16:41, 2 Prill 2020

Spanja ka kaluar një moment tjetër historik të rëndë, pasi numri i vdekjeve nga koronavirusi ka kaluar 10,000.

Spanja, që është vendi i dytë për nga numri i vdekjeve nga Covid-19, ka humbur po ashtu afër 900,000 vende të punës.

Në ndërkohë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë regjistruar 6,6 milionë kërkesa të reja për përfitimet financiare të të papunëve – që është një rekord.

Shifrat e papunësisë janë një tjetër shenjë e ndikimit të madh që pandemia ka në bizneset në shumë shtete, transmeton Klan Kosova.

Në gjithë botën numri i personave të konfirmuar me koronavirus është afër një milion. Kjo sipas Universitetit Johns Hopkins i cili evidenton shifrat e përhapjes së virusit në nivel global.

Cilat janë më të rejat nga Spanja?

Covid-19 tashmë ka marrë 10,003 jetë në Spanjë, derisa në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 950 vdekje të reja.

Numri i rasteve të konfirmuara është rritur nga 102,136 – sa ishte të mërkurën – në 110,238. Kjo është një rritje prej tetë për qind që është e njëjtë me trendin e rritjes që është regjistruar ditëve të kaluara.

Autoritetet spanjolle besojnë se virusi ka arritur në kulm të shpërthimit, prandaj presin që të shohin ulje të rasteve të reja ditëve në vijim.

Tabela që tregon shifrat ditore të vdekjeve nga koronavirusi në Spanjë që nga 6 marsi deri më sot

Shifra e papunësisë në muajin mars është rritja më e lartë mujore e papunësisë e regjistruar ndonjëherë në Spanjë – që ishte një nga vendet me nivelin më të lartë të papunësisë në eurozonë.

Spanja ndaloi të gjitha daljet nga shtëpia, përpos atyre të domosdoshme, dhe mbylli shumicën e bizneseve në mes të marsit.

Të dhënat tregojnë se 898,822 njerëz kanë humbur punën e tyre që nga fillimi i bllokimit, përfshirë rreth 550,000 punëtorë të përkohshëm.

Shifra zyrtare e papunësisë në Spanjë u rrit në 3.5 milionë – që është shifra më e lartë që nga prilli i vitit 2017.

Konkurs Pune

Lexo më shumë