“Me kriminelët në krye të institucioneve, Kosova do të falimentojë” NULL NULL 01.06.2016 22:22 01.06.2016 22:22 Ish kryetari i kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se Kosova po shkon drejt falimentimit me privatizimin e ndërmarrjeve publike. Në profilin e tij në facebook, shkruan se udhëheqësit e institucioneve kosovare, nuk i njohin përgjegjësitë e tyre kushtetuese. Krasniqi shkruan se shteti nuk mbahet me kriminelë e me veprime anti-kushtetuese të udhëheqësve të shtetit. Ky është statusi i plotë i krasniqit në Facebook: “Shtetet bëhen me luftë”, por e gjithë çështja është, si mbahen e zhvillohen shtetet. Bazamenti i shtetit është Kushtetuta, nga e cila burojnë ligjet. Ligjet duhet të jenë të standardeve ndërkombëtare, pa të cilat nuk ka shtet të së drejtës. Aty ku nuk ka shtet të së drejtës, nuk ka liri, demokraci e zhvillim ekonomik. Vetëm aty ku ka sundim të ligjit (të standardeve), ka zhvillim, progres e jetë të dinjitetshëm për qytetarët. Për t’i thënë të gjitha këto më shtyri deklarimi i Kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli i cili ju paska thënë punëtorëve të Fabrikës së Tubave të Ferizajt siç raportojnë mediat se: “Veseli u premton punëtorëve të Fabrikës së Tubave se do t’ua zgjidh problemet”. Me ligjet në fuqi për privatizimin e Pronave (Ndërmarrjeve) Shoqërore e Publike, punëtorëve nga shitja u takojnë 20% të shumës se shitjes. Punëtorët të cilëve ju premton Veseli kërkojnë më shumë. Atëherë shtrohet pyetja: Si kryetari i Kuvendit të Kosovës mund t’ua zgjidhë çështjen më shumë se të ndërlikuar? Ku do ta mbështet ai një zgjidhje tjetër, veç asaj që e parasheh ligji? Nëse Kryetari thirret në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, ai është antikushtetues, pasi nuk ka pasur parasysh asnjë ligj që rregullon lëndën e privatizimit?! Pyetja shtrohet çka tregojnë këto dy raste dhe shumë raste të tjera të qeveritarëve të djeshëm e të sotshëm? Tregojnë se krerët e institucioneve tona shtetërore, nuk i njohin përgjegjësit e tyre Kushtetuese. Nuk i njohin ligjet në fuqi, mbase dhe nuk dëshirojnë që t’i dinë ato. Çështja është, me ketë kulturë institucionale që është instaluar në Kosovë, a mund të mbahet shteti, a mund të zhvillohet e ligjësohet ai? Unë dyshoj dhe dyshoj shumë! Me këto veprime të krerëve të institucioneve kryesore të shtetit, përfshirë edhe punën kriminale të Komisionit qeveritar për veteranet, shteti nuk mbahet, përkundrazi, shteti shkon drejt falimentimit. Atëherë kush duhet të shpëtoj shtetin nga falimentimi, nëse jo krerët e institucioneve më të lartë të shtetit?! *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.