10:29, 6 Prill 2020

Edhe përgjatë fundjavës ishte e tensionuar situata në Kapshticë dhe Kakavijë.

Qeveria shqiptare nuk e lejon kalimin në vendin e tyre të shqiptarëve që kanë qenë në Greqi, pas mbylljes totale të kufijve për shkak të Covid-19.

Presidenti Ilir Meta shprehu shqetësim mbi situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët po bllokohen në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës.

Meta kërkoi që situata të marrë zgjidhje menjëherë duke u bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë kushtet e urgjencës në pikat kufitare, ndërsa nga autoritetet përgjegjëse kërkoi që të respektojnë jo vetëm kërkesat e situatës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por edhe detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare që shteti ka ndaj qytetarëve të vet në një situatë të tillë.

Kryedemokrati Lulzim Basha tha se “Qeveria shqiptare është përgjegjëse për jetën e çdo shqiptari. Kushtetuta e Shqipërisë e detyron qeverinë të mos lërë pa atdhe asnjë shqiptar”.

Duke e konsideruar situatën e krijuar në kufi si një tragjedi, Basha bëri thirrje që ajo të marrë fund menjëherë./ A2 CNN

Konkurs Pune

Lexo më shumë