22:23, 9 Prill 2020

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq të enjten zhvilloi një takim me kryetarin e Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj, në të cilin biseduan për situatën aktuale në Malësi, të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Presidenti Gjukanoviq vuri në dukje se situata në komunën e Tuzit është e qëndrueshme dhe se masat e marra nga institucionet përkatëse shëndetësore dhe organet shtetërore në periudhën e kaluar ishin të duhura dhe të justifikueshme.

“Vetëm dhjetë ditë më parë kemi pasur situatën e shpërthimit të mundshëm në përhapjen e koronavirusit, por falë masave të marra në kohë nga autoritetet kompetente, falë organizimit të mirë të Komunës së Tuzit, dhe falë qëndrimit të përgjegjshëm të banorëve të saj, ne po dëshmojmë sot se këto masa ishin jo vetëm të justifikuara, por që zbatimi i tyre i përgjegjshëm prodhoi efekte që na bëjnë të gjithëve shumë të lumtur dhe të kënaqur sot”, tha Gjukanoviq.

Ai theksoi se interesi më i rëndësishëm i Malit të Zi sot është të parandalohet përhapja e COVID-19, për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve të vendit.

Kryetari i Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj tha se disiplina, sjellja e duhur dhe përgjegjësia janë mënyrat më të mira për ta mposhtur virusin.

“Është kënaqësi që së bashku si ekip, me Trupin Koordinues Kombëtar, Qendrën Klinike dhe me qeverinë, dërguam një mesazh të qartë se si mund të funksionojmë dhe të kapërcejmë të gjitha situatat së bashku”, tha Gjeloshaj.

Përfaqësuesit e Komunës së Tuzit falënderuan Presidentin Gjukanoviç për vizitën dhe fjalët përkrahëse për komunën, qytetarët dhe vullnetarët, duke u dakorduar që bashkërisht të përcjellim situatën dhe që ky model suksesi në luftën kundër virusit të jetë shembull edhe për të tjerët.

Mbrëmjen e 24 marsit territori i Tuzit në Malësi, me shumicë shqiptare hynë në fuqi masa kufizuese pasi Organi Kombëtar i Koordinimit të luftës kundër sëmundjeve infektive vendosi që banorët e zonës të vetizoloheshin për shkak se brenda një dite u konfirmuan 15 raste me COVID-19.

Autoritetet vendore të mbështetura nga institucionet qendrore ndërmorën masat e duhura duke parandaluar përhapjen e infektimit me koronavirus.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Mal të Zi tha të enjte se nuk ka asnjë rast të ri të konfirmuar me koronavirus.

Në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik thuhet se gjatë ditës janë analizuar 76 kampione dhe të gjitha dolën negative. Në Mal të Zi numri i përgjithshëm i të prekurve nga koronavirusi është 252, ndërsa dy persona kanë humbur jetën nga pasojat e tij./voa/

Konkurs Pune

Lexo më shumë