Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

LIVE| Starmer dhe Trump bien dakord që Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore

NULL NULL
22.06.2025 02:14
Foto: People

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në orët e para të së dielës kanë sulmuar tri centrale bërthamore në Iran.

Sulmet janë kryer në tri lokacione bërthamore në Iran – Fordo, Natanz dhe Isfahan, pas të cilave presidenti amerikan, Donald Trump tha se Irani “tani duhet të bëjë paqe” ose të përballet me sulme “shumë më të mëdha”.

Irani konfirmoi zyrtarisht se këto tri lokacione bërthamore janë sulmuar dhe vetëm pak pas kësaj Izraeli tha se Irani ka nisur sulm të ri.

Por, ushtria izraelite u shpreh pastaj se forcat e saj ajrore kanë filluar një valë të re sulmesh kundër “objektivave ushtarake” në Iranin perëndimor.


23:01 – Starmer dhe Trump bien dakord që Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, dhe presidenti i ShBA-së, Donald Trump, folën në telefon këtë mbrëmje.

Zyra e Starmer njoftoi se ata biseduan për situatën në Lindjen e Mesme dhe përsëritën rrezikun e madh që paraqet programi bërthamor i Iranit për sigurinë ndërkombëtare.

“Ata diskutuan për veprimet e ndërmarra nga ShBA-ja mbrëmë për të zvogëluar kërcënimin dhe ranë dakord që Iranit nuk duhet t’i lejohet kurrë të zhvillojë armë bërthamore”.

Udhëheqësit përsëritën “nevojën që Irani të kthehet në tryezën e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur” për të përparuar drejt një “zgjidhjeje të qëndrueshme”, shtohet në deklaratë, me palën që ranë dakord të “qëndrojnë në kontakt të ngushtë” në ditët në vijim, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv


21:53 – Guterres: Populli i Lindjes së Mesme nuk mund të durojë një cikël tjetër shkatërrimi

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se sulmi i ShBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane “shënon një kthesë të rrezikshme në një rajon që është tashmë i tronditur”.

“Dy ditë më parë, në këtë sallë, bëra një apel të drejtpërdrejtë: jepini paqes një shans. Kjo thirrje nuk u mor parasysh”, tha ai në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të dielën.

“Në vend të kësaj, bombardimi i objekteve bërthamore iraniane nga Shtetet e Bashkuara shënon një kthesë të rrezikshme në një rajon që është tashmë i tronditur”.

Guterres tha se ai “ka dënuar vazhdimisht çdo përshkallëzim ushtarak në Lindjen e Mesme”, duke shtuar se “populli i rajonit nuk mund të durojë një cikël tjetër shkatërrimi. E megjithatë, tani rrezikojmë të biem në një vrimë miu hakmarrjeje pas hakmarrjeje”, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.


21:44 – Trump: Ia morëm bombën nga duart Iranit

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ndaj kongresistit republikan Thomas Massie – i cili ciëlsoi  sulmet amerikane ndaj Iranit si jo “kushtetuese”.

Trump, në profilin e tij në Truth Social, u shpreh se dje patën një sukses spektakolar ushtarak, duke ua marrë “bombën” nga duart iranianëve, sipas tij, ata do ta përdornin nëse do të mundnin, por Trump shtoi se për krejt këtë Massie është kundër duke e quajtur edhe kongresist të lehtë.

Trump përfundoi: “MAGA nuk ka të bëjë me politikanë dembelë, madhështorë dhe joproduktivë, një prej të cilëve është padyshim Thomas Massie. Faleminderit ushtrisë sonë të jashtëzakonshme për punën e mrekullueshme që bënë mbrëmë. Ishte vërtet speciale”, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.


21:16 – Sekretari britanik bën thirrje për shtensionim dhe zgjidhje diplomatike mes Iranit dhe Izraelit

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, ka bërë të ditur se ka biseduar me homologun e tij izraelit dhe atë iranian.

Lammy tha se gjatë bisedës me homologët e tij e ka theksuar nevojën për shtensionim të sitautës, teksa shtoi se bëri thirrje për zgjidhje diplomatike.

“Sot kam folur me homologët e mi në Iran dhe Izrael për të theksuar nevojën për de-përshkallëzim. Kam bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike dhe të negociuar për t’i dhënë fund kësaj krize”.

“Irani nuk duhet të ketë kurrë një armë bërthamore. ShBA tani ka ndërmarrë veprime për të lehtësuar këtë kërcënim”, tha Lammy në një postim në “X”, transmeton Klankosova.tv.

Britania e Madhe ka thënë se nuk është e përfshirë në sulmet që Amerika i ndërmori dje ndaj Iranit por se i përkrah ato.


19:02 – Britania, Franca dhe Gjermania i bëjnë thirrje Iranit të mos ndërmarrë veprime të mëtejshme

Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania i kanë bërë thirrje Iranit të mos ndërmarrë asnjë veprim të mëtejshëm që mund të “destabilizojë” Lindjen e Mesme.

Në një deklaratë të përbashkët, Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz thonë se kanë qenë “vazhdimisht të qartë se Irani nuk mund të ketë kurrë një armë bërthamore” dhe mbështesin sigurinë e Izraelit.

Deklarata trajton sulmet amerikane dhe shton: “Qëllimi ynë vazhdon të jetë të parandalojmë Iranin nga blerja e një arme bërthamore”, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Udhëheqësit i bëjnë thirrje Iranit të “angazhohet në negociata” për të siguruar një marrëveshje që “adreson të gjitha shqetësimet që lidhen me programin e tij bërthamor”.

“Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë për këtë qëllim në koordinim me të gjitha palët”, thonë ata.


18:50 – Rama: Shqipëria në krah të presidentit Trump për të parandaluar Teheranin të zotërojë armë bërthamore

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka reaguar pas sulmit të ShBA-së ndaj vendeve bërthamore të Iranit.

Rama, regjimin iranian e cilësoi jo thjesht si një shtet tjetër me ambicie bërthamore apo diktatoriale, por si një teokraci unike, e rrezikshme dhe e pajisur me retorikë apokaliptike, transmeton Klankosova.tv.

“Nuk kemi të bëjmë me një shtet bërthamor si gjithë të tjerët. As me një diktaturë që synon armët bërthamore. Bëhet fjalë për një teokraci – e armatosur me një gjuhë që predikon shkatërrimin, e mbrujtur prej dekadash me propagandë që e shpall botën e lirë si ‘satanike’ dhe që kërkon hapur zhdukjen e saj”, tha Rama.

Tutje, ai theksoi se regjimi në Teheran, po bën një devijim të rrallë në historinë e shteteve të armatosura bërthamore, duke theksuar se nuk mund të krahasohet me asnjë vend tjetër, pavarësisht sistemit politik që ka.

Në këtë kontekst, shefi i qeverisë shqiptare theksoi qëndrimin e Shqipërisë si një shtet që ka dalë nga errësira e një regjimi ateist brutal dhe që sot është krenarisht pjesë e botës së lirë, si dhe partner strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Shqipëria qëndron plotësisht në krah të përpjekjeve të Presidentit Trump për të parandaluar që regjimi teokratik në Teheran të zotërojë ndonjëherë armë bërthamore,” deklaroi ai.

Ndryshe, në një operacion të koduar “Çekani i Mesnatës“, Shtetet e Bashkuara sulmuan zonat bërthamore të Iranit./ Klankosova.tv.


17:34 – Këshilli i Sigurimit do të mbajë seancë emergjente pas sulmeve të Amerikës ndaj Iranit

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një seancë emergjente më vonë sot pas sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

Më herët sot, Irani kërkoi një takim të organit prej 15 anëtarësh për të trajtuar veprimin e SHBA-së, të cilin e quajti “të skandaloz”, duke paralajmëruar se do të ketë “pasoja të përjetshme”, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.


17:27 – Rubio: Irani luajti me neve, presidenti Trump duhej të vepronte

Sekretari i Shtetit Marco Rubio, ka thënë se Irani luajti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në negociatat për programin e tyre bërthamor.

Ai tha se kjo e ka shtyrë presidentin Donald Trump, të ndërmarrë veprime, shkruan BBC transmeton Klankosova.tv.

Rubio deklaroi për FOX News se ShBA-të, i kishin ofruar Iranit një program bërthamor civil, por “ata e refuzuan atë”.

Ai gjithashtu përsëriti pikëpamjen e tij se Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore.

“Ata luajtën me neve. Ata nuk iu përgjigjën ofertave tona. Ata u zhdukën për 10 ditë. Presidenti duhej të ndërmerrte veprime si përgjigje”, thotë ai.
Sekretari i Shtetit po ashtu paralajmëroi se çdo hakmarrje nga Irani do të ishte gabimi i tyre më i madh.

“Ne nuk po i shpallim luftë Iranit. Ne nuk po kërkojmë luftë në Iran. Por nëse ata na sulmojnë, mendoj se kemi aftësitë që ata as nuk i kanë parë ende”, thotë ai.

Më herët sot, ministri i jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se Irani nuk është larguar kurrë nga tryeza e negociatave.

Në vend të kësaj, ai tha se bisedimet u ndërprenë nga sulmet izraelite, të ndjekura nga sulmet amerikane, shkruan BBC transmeton Klankosova.tv.

______________________________________________________________________________________________________

17:24 – Ministria e Jashtme e Iranit i quan sulmet e ShBA-ve “jashtëzakonisht të rrezikshme”

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, ka folur pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës i sulmuan mbrëmë tri objektet kyçe bërthamore iraniane.

Baghaei tha se veprimet e Shteteve të Bashkuara ishin jashtëzakonisht të rrezikshme.

“Veprimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishin jashtëzakonisht të rrezikshme dhe një tradhti ndaj diplomacisë”, tha Bahaei për CNN, transmeton Klankosova.tv.

Në lidhje me sulmet amerikane, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, paralajmëroi se ato do të kenë “pasoja të përjetshme”.


17:00 – Parlamenti iranian voton për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit

Parlamenti i Iranit, ka miratuar mbylljen e Ngushticës së Hormuzit pasi SHBA-të nisën sulme kundër objekteve bërthamore të vendit.

Kjo ngushticë, është një kalim kyç përmes të cilit rrjedh 20 përqind e kërkesës globale për naftë dhe gaz. Prodhuesit kryesorë të naftës, përfshirë Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, mbështeten në rrugën ujore për të hyrë në det të hapur.

Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, mbyllja e këtij korridori detar mund të prishë furnizimin global me naftë, duke shkaktuar një rritje të ndjeshme të çmimeve dhe mund të kufizojë përkohësisht aftësinë e anijeve luftarake amerikane për të dalë nga Gjiri Persik, transmeton Klankosova.tv.

Sipas televizionit shtetëror iranian, pasditen e së dieles organi më i lartë i sigurisë i Iranit tani do të marrë vendimin përfundimtar nëse do ta mbyllë korridorin e transportit detar.

Esmail Kosari, një komandant i Gardës Revolucionare, i tha Klubit të Gazetarëve të Rinj se kjo është në axhendë dhe “do të bëhet sa herë që të jetë e nevojshme”, ka raportuar Telegraph, transmeton Klankosova.tv.

Ushtria amerikane ka shkaktuar “dëme dhe shkatërrime ekstreme” në tre vendet më kritike bërthamore të Iranit, tha gjenerali kryesor i Amerikës.

Duke zbuluar detajet e misionit, të quajtur “Çekani i Mesnatës”, gjenerali Dan Caine tha se SHBA-të “e ruajtën elementin e surprizës” gjatë gjithë operacionit dhe pretenduan se nuk u qëllua asnjë e shtënë drejt bombarduesve të tyre të fshehtë.

______________________________________________________________________________________________________

16:42 – Ushtria izraelite thotë se dhjetëra objektiva ushtarake u sulmuan në të gjithë Iranin

Ushtria izraelite po vazhdon të sulmojë Iranin pas bombave amerikane që goditën tre lokacione bërthamore.

Forca ajrore e vendit thotë se më herët sot 30 avionë luftarakë “sulmuan dhjetëra objektiva ushtarake në të gjithë Iranin, duke përdorur më shumë se 60 municione”.

I pari në valën e sulmeve shënjestroi një “seli të raketave strategjike në rajonin e Yazdit”, thonë ata, përpara se të shtojnë se “lokacionet ushtarake” u sulmuan në Isfahan, Bushehr dhe Ahvaz.

Si kujtesë, sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pete Hegseth, thotë se ShBA-ja “shkatërroi programin bërthamor iranian” në sulmet e kryera gjatë natës në tre lokacione – Fordo, Natanz dhe Isfahan, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.


16:23 – Vance thotë se Trumpi e mori vendimin përfundimtar “disa minuta para” sulmeve

Presidenti amerikan Donald Trump mori një vendim përfundimtar “disa minuta para se të hidheshin bombat” të shtunën, tha zëvendëspresidenti JD Vance, duke shtuar se presidenti amerikan “kishte aftësinë ta anulonte këtë sulm deri në minutën e fundit” dhe vendosi të vazhdonte.

SHBA-ja tani po vëzhgon nga afër nëse Irani sulmon trupat amerikane apo vazhdon programin e tij të armëve bërthamore, tha Vance në një intervistë me “Meet the Press ëith Kristen Ëelker” të NBC.

Ai sugjeroi që hapat e ardhshëm të Iranit do të bëhen të qartë brenda 24 orëve të ardhshme, duke përshkruar një “moment shumë delikat”, transmeton Klankosova.tv.

Deri më tani, tha Vance, SHBA-ja ka “marrë disa mesazhe indirekte nga iranianët”, pasi Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth tha më herët të dielën se ka “mesazhe publike dhe private që u dërgohen drejtpërdrejt iranianëve në kanale të shumëfishta”.

I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse Irani ndërmerr hapa për të ndërprerë transportin detar në Ngushticën e Hormuzit, Vance tha se ky veprim “do të ishte vetëvrasës” dhe do të “shkatërronte ekonominë e tyre”.

Vance përsëriti se SHBA-të “nuk kanë interes për trupa në terren” dhe hodhi poshtë shqetësimet se përfshirja e SHBA-së do të përshkallëzohej, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.


15:39 – Sulmi amerikan ndaj Iranit, Emiratet e Bashkuara Arabe bëjnë thirrje për ulje të menjëhershme të tensioneve

Emiratet e Bashkuara Arabe – të cilat janë fqinje me Iranin dhe strehojnë trupa amerikane në një bazë në Abu Dhabi – kanë theksuar nevojën për një ” ulje të menjëhershme të tensioneve” për të shmangur pasojat serioze dhe për të “kursuar rajonin nga tërheqja në një paqëndrueshmëri më të thellë”.

Një deklaratë nga ministria e saj e jashtme u bëri thirrje vendeve të intensifikojnë përpjekjet për të gjetur një “zgjidhje gjithëpërfshirëse” për të mbrojtur rajonin.

Kjo vjen pasi Irani kërcënoi të hakmerrej ndaj SHBA-së për sulmin ndaj objekteve të saj bërthamore brenda natës.

Deklarata e ministrisë së jashtme tha gjithashtu se është e rëndësishme të nxirren “mësime nga përvojat historike të rajonit dhe konfliktet e kaluara” për të shmangur përshkallëzimin, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

Ndërkohë, rregullatori bërthamor i Emirateve të Bashkuara Arabe lëshoi ​​një deklaratë për të “siguruar publikun” se autoritetet përkatëse kombëtare po monitorojnë nga afër zhvillimet që lidhen me objektet bërthamore në Iran, tha agjencia shtetërore e lajmeve të Emirateve WAM.

Rregullatori tha se monitorimi i tij kishte konfirmuar se nuk ka ndikime në Emiratet e Bashkuara Arabe që vijnë nga sulmi. Gjithashtu, i kërkoi publikut të mbështetet në burimet zyrtare për informacion dhe të shmangë përhapjen e thashethemeve dhe lajmeve të paverifikuara, transmeton Klankosova.tv.


15:16 – Zëvendëspresidenti amerikan thotë se SHBA nuk është në luftë me Iranin

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance dha një intervistë të shkurtër për NBC News në të cilën tha se “Shtetet e Bashkuara nuk janë në luftë me Iranin”.

“Ne jemi në luftë me ambiciet e tij bërthamore”, tha ai, duke shtuar se SHBA beson se e ka “shkatërruar” programin bërthamor të Iranit, transmeton Klankosova.tv.

Vance gjithashtu kundërshtoi disa nga kritikat ndaj presidentit Donald Trump, duke thënë se “nuk është e vërtetë” që operacioni ishte jashtë autoritetit të tij presidencial – siç e vuri në dyshim më parë udhëheqësi demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries.

Zëvendëspresidenti shtoi se SHBA dhe aleatët e saj tani do të punojnë për të çmontuar “përgjithmonë” programin bërthamor të Iranit.


14:37 – ShBA-ja vendosi bombardues mbi Paqësor si “karrem” gjatë operacionit në Iran

Kryetari i Shtabit të Përbashkët të Shefave të Ushtrisë, Gjenerali Dan Caine ka thënë se operacioni ushtarak amerikan kundër Iranit, i koduar si Operacioni “Çekani i Mesnatës”, përfshiu më shumë se 125 avionë.

Ai tha gjithashtu se gjatë operacionit në Iran, janë vendosur  bombardues mbi Paqësor si “karrem”, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

“Bombarduesit hodhën shumë bomba në dy objekte bërthamore iraniane, Fordoë dhe Natanz”, tha Caine.

Në 125 avionë, janë përfshirë B2, cisterna furnizimi me karburant, aeroplanë zbulues dhe avionë luftarakë.

“Paketa kryesore e sulmit e përbërë nga shtatë bombardues B-2 Spirit, secili me dy anëtarë të ekuipazhit, vazhdoi qetësisht në lindje me komunikime minimale,” tha Caine.


14:26 – ‘Ndalojeni tragjedinë e luftës’, thotë Papa pasi SHBA-ja goditi objektet bërthamore në Iran

Papa Leoni tha të dielën se bashkësia ndërkombëtare duhet të përpiqet të shmangë luftën që rrezikon të hapë një “humnerë të pariparueshme” dhe se diplomacia duhet të zëvendësojë konfliktin.

“Çdo anëtar i bashkësisë ndërkombëtare ka një përgjegjësi morale: të ndalojë tragjedinë e luftës përpara se ajo të shndërrohet në një humnerë të pariparueshme”, tha Papa Leo gjatë lutjes së tij javore me pelegrinët, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Kjo deklaratë erdhi pasi forcat amerikane goditën tre vendet kryesore bërthamore të Iranit gjatë natës, duke u bashkuar me një sulm izraelit në një përshkallëzim të ri të madh të konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa Teherani u zotua të mbrohej.


14:26 – Hegseth: SHBA nuk kërkon luftë – Irani ta dëgjojë Trumpin

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, në një konferencë për media tregoi se cilat pajisje ushtarake të shtetit u përdorën në sulmin ndaj Iranit.

Ai thotë se bombarduesit e fshehtë B-2 të Amerikës “hynë, dolën dhe u kthyen në vendet bërthamore të Iranit pa e ditur bota”, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Avionët e mëdhenj konsiderohen të jenë të vetmit avionë të aftë për të mbajtur armë që mund të godasin objektin më të sigurt bërthamor të Iranit, i cili është varrosur thellë nën tokë poshtë një mali.

“Sulmi përfshinte misionin më të gjatë të bombarduesve B-2 që nga viti 2001 dhe përdorimin e parë operativ të MOP – Massive Ordnance Penetrator”, tha Hegseth.

Ai përsërit pohimin e Trumpit se “SHBA nuk kërkon luftë”, por shtoi “ne do të veprojmë shpejt dhe me vendosmëri kur populli ynë, partnerët dhe interesat tona të kërcënohen”.

“Irani duhet ta dëgjojë presidentin dhe të dijë se ai e mendon çdo fjalë që thotë”.


14:14 – IDF: Izraeli ende ka një sërë qëllimesh në Iran pas sulmeve të ShBA-së

Zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Effie Defrin tha se Izraeli ka një sërë qëllimesh në Iran, duke vënë në dukje se IDF po vazhdonte ofensivën e saj ushtarake pasi Shtetet e Bashkuara nisën sulme kundër lokacioneve bërthamore iraniane gjatë natës.

“Ne kemi plane e qëllime dhe ne veprojmë vazhdimisht për t’i arritur ato. Ne gjithashtu po përgatitemi që fushata të zgjatet”, tha tutje zëdhënësi Effie Defrin.

Pa specifikuar se cilat janë ato, ai tha se Izraelit ka një sërë qëllimesh në Iran, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

Ai tha se IDF po shikojnë rezultatet e bombardimeve të ShBA-së në një lokacion kyç bërthamor iranian dhe se Izraeli po e shikon vazhdimisht situatën.


14:10 – Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së: Sulmi amerikan shkatërroi programin bërthamor iranian

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, dhe Kryetari i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Dan Caine, po informojnë shtypin rreth sulmit amerikan ndaj objekteve bërthamore iraniane gjatë natës.

Hegseth e nisi fjalimin duke thënë se sulmet kishin për qëllim “degradimin” dhe “shkatërrimin” e aftësive bërthamore të Iranit, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Ai thotë se sulmi “shkatërroi” programin bërthamor iranian, por nuk ndikoi te trupat apo civilët iranianë.

Hegseth shtoi se shumë presidentë “ëndërronin t’i jepnin goditjen përfundimtare programit bërthamor të Iranit, por askush nuk mundi përpos Trumpit”.

Tutje, ai tha se operacioni ndaj Iranit ishte “i guximshëm dhe brilant”.

“Kur Presidenti Trump flet, bota duhet të dëgjojë”, thotë ai, duke shtuar se “asnjë vend tjetër përveç SHBA-së nuk mund ta kishte bërë këtë”.


14:02 – Garda Revolucionare thotë se SHBA do të pendohet për sulmet ndaj Iranit

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit tha se kundërpërgjigjja e saj ndaj sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj objekteve bërthamore iraniane do të shkaktojë “pendim të thellë”.

“Akti i sotëm i agresionit nga regjimi terrorist amerikan i ka dhënë Republikës Islamike të Iranit të drejtën legjitime për të vepruar në vetëmbrojtje, duke përfshirë edhe opsionet që shkojnë përtej llogaritjeve iluzive të koalicionit agresor”, tha një deklaratë e IRGC e botuar në agjencinë shtetërore të lajmeve Tasnim të Iranit, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

IRGC – një paralele ushtarake me ndikim me ushtrinë konvencionale të Iranit – ka trajnuar, armatosur dhe financuar rrjetin e përfaqësuesve iranianë që shtrihen në Lindjen e Mesme.

“Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike është i njohur mirë me realitetet e kësaj lufte hibride në shkallë të plotë dhe nuk do të frikësohet kurrë nga zhurma e Trumpit ose bandave kriminale që sundojnë Uashingtonin dhe Tel Avivin”, thuhet në deklaratë.


13:39 – Gjermania i kërkon Iranit të rifillojë ‘menjëherë’ bisedimet me ShBA-në

Kancelari gjerman, Friedrich Merz i kërkoi të dielën Iranit të rikthehet në tryezën e negociatave pa vonesë pas sulmeve ajrore të ShBA-së

“Irani duhet të hyjë menjëherë në negociata me SHBA-në dhe Izraelin dhe të gjejë një zgjidhje diplomatike për konfliktin”, tha Merz, sipas një deklarate nga zëdhënësi i tij Stefan Kornelius, transmeton Klankosova.tv

Qeveria gjermane ka vlerësuar se “pjesë të mëdha të programit bërthamor të Iranit janë dëmtuar nga sulmet ajrore”, shtoi Kornelius,

Apeli vjen në një kohë kur tensionet rriten në të gjithë Lindjen e Mesme pas asaj që Presidenti i SHBA-së Donald Trump e përshkroi si një “sukses historik ushtarak” dhe mes frikës se hakmarrja iraniane mund të shkaktojë një luftë më të gjerë rajonale.


13:29 – Meloni bën thirrje për negociata mes Izraelit dhe Iranit

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, tha se po e ndjek sulmet Izrael – Iran me vëmendjen më të madhe, teksa bëri thirrje për negociata.

Meloni tha se Itali “do të vazhdojë përpjekjet e saj për t’i sjellë palët në tryezën e negociatave”.

Meloni e organizoi një videokonferencë këtë mëngjes me ministrat përkatës dhe zyrtarët më të lartë të inteligjencës së vendit, raporton agjencia italiane e lajmeve ANSA, transmeton Klankosova.tv


13:15 – Ushtria izraelite vlerëson dëmet në centralin bërthamor iranian pas sulmeve amerikane

Një zëdhënës i Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thotë se ata ende po vlerësojnë situatën dhe shton se është “shumë herët për të përcaktuar” nëse pretendimi i Iranit se uraniumi i pasuruar është hequr nga centralet bërthamore para sulmit amerikan është i vërtetë.

Effie Defrin e IDF-së thotë gjithashtu se ushtria po shqyrton dhe vlerëson shkallën e dëmit të shkaktuar nga sulmi amerikan në Fordo – një uzinë pasurimi uraniumi e fshehur në një shpat të largët mali që është jetike për ambiciet bërthamore të Iranit, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Kur u pyet nëse Izraeli mund të zgjerojë objektivat e tij për të përfshirë vende civile, Defrin thotë, “ne kemi një plan me objektiva dhe ne do të vazhdojmë të godasim këto objektiva”, pa dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë.


13:13 -Në pritje të përgjigjes së Iranit, Trump nuk ka planifikuar asnjë ngjarje publike sot

Presidenti Donald Trump nuk ka në agjendën e tij ngjarje publike sot.

Siç raporton CNN, ai dhe ekipi i tij ndjekin nga afër përgjigjen iraniane ndaj vendimit të tij për të nisur sulme në tre centrale bërthamore iraniane.

Kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit të Ushtrisë, Gjenerali Dan Caine dhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth do të informojnë gazetarët mbi operacionin amerikan në Pentagon në orën 8 të mëngjesit sipas orës lokale.


12:32 – Kremlini: Putini s’ka plan të flasë me Trumpin pas sulmeve, por telefonata mund të caktohet shpejt

Kremlini ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putini nuk ka plan të flasë me homologun e tij amerikan, Donald Trump pas sulmeve të ShBA-së në vendet bërthamore të Iranit.

Por, sipas raportimeve të agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, Kremlini ka thënë se një telefonatë mund të caktohet shpejt, shkruan CNN.

Ndërkohë, në një telefonatë të enjten, Putin dhe udhëheqësi kinez, Xi Jinping dënuan ashpër sulmet e Izraelit ndaj Iranit, sipas deklaratave nga Kremlini dhe Ministria e Jashtme e Kinës.


12:08 – Ministri i Jashtëm iranian pas sulmeve nga ShBA-ja: Ne duhet të përgjigjemi

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi ka vazhduar duke thënë se nuk e di se sa “hapësirë ​​ka mbetur për diplomaci” pasi Shtetet e Bashkuara goditën objektet bërthamore iraniane.

Ai është shprehur se është kaluar një vijë e kuqe e madhe dhe sipas tij, ata duhet të përgjigjen, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

“Ata kaluan një vijë të kuqe shumë të madhe duke sulmuar objektet bërthamore. Ne duhet të përgjigjemi bazuar në të drejtën tonë legjitime për vetëmbrojtje”, është shprehur Araghchi.

Diplomati më i lartë i Iranit tha se ka qenë në kontakt me disa ministra të jashtëm nga rajoni dhe “pothuajse të gjithë janë shumë të shqetësuar”.


11:07 – Presidenti i Izraelit: Sulmi i SHBA-së ndaj Iranit, historik

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog e ka quajtur sulmin e SHBA-së ndaj Iranit një vendim “historik” dhe “të guximshëm”.

I pyetur nga BBC nëse aftësitë bërthamore të Iranit janë eliminuar, Herzog thotë se nuk i di detajet, “por është mjaft e qartë për mua se programi bërthamor iranian është goditur ndjeshëm”, transmeton Klankosova.tv.

Ai u pyet gjithashtu nëse Izraeli i kërkoi drejtpërdrejt presidentit amerikan, Donald Trump të sulmonte Iranin. Herzog thotë “ne vendosëm t’ua lëmë amerikanëve”, përpara se të shtonte se nuk e dinte që SHBA do të sulmonte objektet bërthamore të Iranit.

“U zgjova kur ndodhi,” thotë ai.

A do të ndalojë tani Izraeli sulmet ndaj Iranit? Herzog nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke thënë vetëm se Irani po qëllon raketa në territorin izraelit dhe “ne duhet të bëjmë gjithçka që duhet për të mbrojtur veten kundër raketave”.

“Mënyra për ta bërë këtë është sigurisht që ta trajtojmë atë në një nivel ndërkombëtar dhe të sigurohemi që të ketë një strategji daljeje,” shtoi ai.


10:34 – Çmimet e naftës pritet të rriten pas sulmeve të ShBA-së ndaj Iranit

Çmimet globale të naftës pritet të rriten pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit.

Carole Nakhle, drejtoreshë ekzekutive e Crystol Energy ka thënë se tani frika për përkeqësim të gjendjes është më e madhe.

“Sulmet e ShBA-së e kanë çuar konfliktin në një nivel të ri dhe shumë njerëz kanë frikë se kjo vetëm sa do ta përkeqësojë një situatë të keqe”, u shpreh ajo.

Nakhle gjithashtu foli edhe për mundësinë e rritjes së çmimeve të naftës, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

“Kjo frikë do të reflektohet në një premium më të lartë gjeopolitik të shtuar në çmimet e naftës – askush nuk e di se sa përbën kjo, por si rregull i përgjithshëm, sa më e madhe të jetë frika, aq më i madh është premiumi”, shtoi ajo.


10:19 – Raketa iraniane shkatërron një bllok apartamentesh në Tel Aviv

Një raketë balistike iraniane la një vrimë të madhe në një ndërtesë apartamentesh tre ose katërkatëshe në veri të Tel Avivit.

Raketa shkatërroi katin e sipërm të ndërtesës. Gjithashtu, ajo shkatërroi betonin e mureve të ndërtesës dhe theu të gjitha dritaret e saj, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

Ekipet e kërkim-shpëtimit dhe të rikuperimit po operojnë zonën.


10:17 – Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së do të mbajë takim urgjent për situatën në Iran

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) do të mbajë një takim urgjent rreth situatës urgjente në Iran, sipas kreut të mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, Rafael Grossi.

Ndërkohë, kreu bërthamor i Iranit, Mohammad Eslam, i ka shkruar IAEA-së, duke thënë se Teherani dëshiron një hetim mbi sulmet e SHBA-së dhe po i kërkon mbikëqyrësit të dënojë veprimin e SHBA-së, raportojnë mediat iraniane, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

Më parë, IAEA konfirmoi se nuk ka pasur “rritje” të niveleve të rrezatimit pasi SHBA goditi tre centrale bërthamore në Iran.


09:34 – Si u zhvilluan sulmet e ShBA-së ndaj Iranit?

Presidenti amerikan, Donald Trump gjatë natës ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka kryer sulme në tre lokacione bërthamore në Iran – Fordo, Natanz dhe Isfahan.

Presidenti amerikan, Donald Trump pas sulmeve tha se Irani “tani duhet të bëjë paqe” ose të përballet me sulme “shumë më të mëdha”.

Më pas Irani konfirmoi zyrtarisht se këto tri lokacione bërthamore janë sulmuar.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu lëshon një deklaratë duke thënë se presidenti Trump dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vepruan me shumë forcë, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Ndërkaq, sekretari i OKB-së, Antonio Guterres e quajti veprimin e SHBA-së një “përshkallëzim të rrezikshëm”.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike thotë se nuk ka “rritje” të niveleve të rrezatimit në lokacionet bërthamore iraniane pas sulmeve.

Mirëpo, Izraeli tha se Irani ka nisur sulm të ri dhe ushtria izraelite u shpreh se forcat e saj ajrore kanë filluar një valë të re sulmesh kundër “objektivave ushtarake” në Iranin perëndimor.


09:31 – Guterres për sulmet e ShBA-së ndaj Iranit: Përshkallëzim i rrezikshëm

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka reaguar pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit.

Ai tha se tani ekziston një “rrezik në rritje që ky konflikt të dalë shpejt jashtë kontrollit, me pasoja katastrofike për civilët, rajonin dhe botën”, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

“Në këtë orë të rrezikshme, është thelbësore të shmanget një spirale kaosi. Nuk ka zgjidhje ushtarake. E vetmja rrugë përpara është diplomacia. E vetmja shpresë është paqja”, është shprehur ai.


09:19 – BBC: Mbretëria e Bashkuar nuk është e përfshirë në sulmet e SHBA-së ndaj Iranit

BBC ka mësuar se Mbretëria e Bashkuar nuk ka qenë e përfshirë në sulmet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit.

Megjithëse, BBC thotë se kryeministri britanik, Sir Keir Starmer iu tha paraprakisht se sulmet do të ndodhnin, transmeton Klankosova.tv.

SHBA goditi tri centrale bërthamore në Iran.


08:58 – OKB thotë se nuk ka rritje të niveleve të rrezatimit në uzinat bërthamore të Iranit

Agjencia mbikëqyrëse bërthamore e OKB-së ka thënë se nuk ka pasur rritje të raportuara të niveleve të rrezatimit jashtë vendit në tre centralet bërthamore iraniane të synuara në sulmet amerikane.

“Pas sulmeve në tre centrale bërthamore në Iran – përfshirë Fordow – ANEA mund të konfirmojmë se deri në këtë kohë nuk është raportuar asnjë rritje e niveleve të rrezatimit jashtë vendit”, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

“ANEA do të japë vlerësime të mëtejshme mbi situatën në Iran sapo të bëhen të disponueshme më shumë informacione”, thuhet në njoftimin  kësaj agjencie.


08:48 – Starmer mbështet Trumpin: SHBA sulmoi Iranin për të zbutur kërcënimin e programit bërthamor

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, ka reaguar pas sulmeve të SHBA-së ndaj Iranit, ku ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë veprime për të “zbutur” “kërcënimin e madh” të programit bërthamor iranian.

Në një deklaratë ai thotë: “Programi bërthamor i Iranit është një kërcënim i madh për sigurinë ndërkombëtare. Iranit nuk mund t’i lejohet kurrë të zhvillojë një armë bërthamore dhe SHBA ka ndërmarrë veprime për të zbutur këtë kërcënim”, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

“Situata në Lindjen e Mesme mbetet e paqëndrueshme dhe stabiliteti në rajon është një përparësi. Ne i bëjmë thirrje Iranit të kthehet në tryezën e negociatave dhe të arrijë një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund kësaj krize”, ka bërë thirrje kryeministri britanik.


08:46 – NATO thotë se po e vëzhgojnë nga afër situatën në Lindjen e Mesme

Një zyrtar i NATO-s i tha Reuters të dielën se Aleanca po e ndjek nga afër situatën pas sulmeve të SHBA-së në tre centralet kryesore bërthamore të Iranit.

“Sigurisht që po e ndjekim situatën nga afër,” tha zyrtari, shkruan SkyNeWs, transmeton Klankosova.tv.


08:42 – Ministria iraniane: Bota nuk duhet të harrojë se SHBA në mes të një procesi diplomatik, tradhtoi diplomacinë

Ministria e Jashtme e Iranit thotë se SHBA ka filluar një “luftë të rrezikshme kundër Iranit” duke goditur objektet e tij bërthamore të dielën, sipas një deklarate të ndarë nga agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim e Iranit.

“Bota nuk duhet të harrojë se ishin Shtetet e Bashkuara ato që, në mes të një procesi diplomatik, tradhtuan diplomacinë”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme. Duke e përshkruar Izraelin si “gjenocidal dhe të paligjshëm”, deklarata akuzoi SHBA-në për nisjen e “një lufte të rrezikshme kundër Iranit”, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Ajo tha se sulmet ishin një shkelje e kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar, dhe se qeveria amerikane “mban përgjegjësi të plotë për pasojat e rënda dhe të tmerrshme të këtij krimi të tmerrshëm”.

Ministria paralajmëroi se ishte “e drejta legjitime e Iranit për t’i rezistuar plotësisht dhe me vendosmëri agresionit ushtarak amerikan dhe krimeve të kryera nga ky regjim mashtrues dhe për të mbrojtur sigurinë dhe interesat kombëtare të Iranit me të gjitha mjetet e nevojshme”.

Ajo i kërkoi OKB-së dhe organeve të saj të ndryshme, përfshirë mbikëqyrësin e saj bërthamor, Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, që “të adresojnë urgjentisht këtë akt flagrant dhe kriminal të paligjshmërisë”. Ajo i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbajë një seancë urgjente për të dënuar sulmet.


08:27 – Trumpi ka kërkuar që Irani të “bëjë paqe” – çfarë nënkupton kjo?

Në një fjalim kombëtar të shtunën në mbrëmje, presidenti i SHBA-së Donald Trump paralajmëroi se Irani “duhet të bëjë paqe tani” – ose të përballet me më shumë sulme.

Por nuk është e qartë se çfarë saktësisht nënkupton ai me “bëj paqe”, ose çfarë hapash do të duhet të ndërmarrë Irani për të përmbushur këtë kërkesë, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

Trump nuk dha detaje mbi deklaratën e tij, megjithëse paralajmëroi në mediat sociale më pas se çdo hakmarrje iraniane do të përballej me forcë. Irani qëlloi një valë të re raketash drejt Izraelit të dielën në mëngjes.

Çfarë ka thënë ai më parë? Në fillim, Trumpi kishte qenë i “etur” të hartonte një marrëveshje bërthamore – diçka që ai e kishte shtyrë për javë të tëra para sulmit fillestar të Izraelit ndaj Iranit. Ai vazhdoi ta theksonte idenë edhe pasi Izraeli sulmoi, duke pretenduar se Irani donte të bënte një marrëveshje.

Por, ndërsa sulmet vazhduan, toni i tij filloi të ndryshonte. Të martën, ai tha se donte “një fund, një fund të vërtetë, jo një armëpushim. Një fund. Ose dorëzim të plotë”.

Më vonë të martën, ai mori një qëndrim edhe më të fortë, duke postuar dy fjalë në Truth Social me të gjitha shkronjat e mëdha: “DORËZIM PA KUSHT”.

Pasi u ngroh me idenë e përfshirjes së ushtrisë amerikane, Trumpi njoftoi një afat të vetë-imponuar prej dy javësh të enjten për të vendosur nëse do ta godiste apo jo Iranin.

Ai e justifikoi pauzën e tij duke deklaruar nevojën për t’i dhënë diplomacisë një përpjekje të fundit, duke thënë se do ta merrte vendimin e tij bazuar në “mundësinë e konsiderueshme të negociatave që mund të zhvillohen ose jo me Iranin në të ardhmen e afërt”.

Të shtunën në mbrëmje, SHBA goditi Iranin, duke synuar tre centrale bërthamore kryesore dhe duke futur zyrtarisht forcat amerikane në një konflikt tjetër në Lindjen e Mesme.

Nuk është e qartë se çfarë versioni të “paqes” nënkupton Trump këtë herë: një marrëveshje bërthamore; negociata të mëtejshme me Teheranin; apo një “dorëzim të plotë pa kushte”.


 08:22 – Forcat ajrore të Izraelit sulmojnë Iranin perëndimor

Izraeli ka nisur sulme të reja ajrore në Iranin perëndimor, tha ushtria izraelite, të parat që nga sulmi i ShBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit në një deklaratë thanë se Forcat Ajrore Izraelite “kanë filluar një seri sulmesh drejt objektivave ushtarake në Iranin perëndimor”, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

“Përveç kësaj, këtë mëngjes, Forcat Ajrore Izraelite goditën lëshuesit e raketave të gatshëm për t’u lëshuar drejt territorit izraelit, ushtarë në Forcat e Armatosura iraniane dhe neutralizuan me shpejtësi lëshuesit që lëshuan raketa drejt territorit izraelit pak kohë më parë”, thuhet në deklaratë.


08:00 – “Shkatërrim në shkallë të gjerë” pas sulmit me raketa në Izraelin qendror

Ndërtesat janë dëmtuar rëndë në Tel Aviv pasi u goditën nga një raketë iraniane, thanë forcat e emergjencës atje.

“Ky është një vend shkatërrimi në shkallë të gjerë. Disa ndërtesa banimi dykatëshe u dëmtuan rëndë dhe disa u shembën”, tha agjencia e shërbimeve të emergjencës Magen David Adom (MDA).

Policia izraelite tha se oficerët dhe njësitë e asgjësimit të bombave ishin në vendin e rënies së municioneve në Izraelin qendror.

Një zyrtar i qytetit në qytetin verior të Haifës gjithashtu konfirmoi një ndikim në qytet.


 07:54 – Shërbimi izraelit i emergjencës: 11 të plagosur pas sulmit të fundit iranian

Shërbimi izraelit i emergjencës, Magen David Adom (MDA) ka thënë se 11 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e sulmit të fundit iranit.

Në njoftimin e këtij shërbimi bëhet e ditur se personat e plagosur janë duke u dërguar në spital, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Sipas MDA, në mesin e të plagosurve është edhe një me një plagë të rëndë në pjesën e sipërme të trupit, ndërkaq 10 të tjerët kanë lëndime të lehta me mavijosje.


07:47 – Ministri i Jashtëm izraelit: Trumpi e ka shkruar emrin e tij me shkronja të arta në librat e historisë

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar ka reaguar pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit.

Ai përmes një postimi në X ka thënë se falë këtij vendimi të guximshëm, Trumpi e ka shkruar emrin e tij me shkronja të arta në librat e historisë, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Gideon Sa’ar është shprehur se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka udhëhequr atë që ai e quajti “lëvizjen historike”.


 07:40 – Udhëheqësit izraelitë falënderojnë Trumpin pas sulmeve ndaj Iranit

Udhëheqësit izraelitë kanë falënderuar presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump pas sulmeve amerikane në vendet bërthamore iraniane, duke e përshkruar sulmin si vendimtar dhe historik.

Presidenti izraelit, Isaac Herzog përmes një postimi në X ka thënë se këto sulme janë një “moment vendimtar”, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

“Në faqet e historisë njerëzore, ky është një moment kur parimet e lirisë, përgjegjësisë dhe sigurisë kanë triumfuar. Një moment vendimtar midis boshtit të terrorit dhe të keqes dhe boshtit të shpresës”, ka shkruar ai.

Në lidhje me këto sulme ka reaguar edhe kryeministri izraelitë, Benjamin Netanyahu i cili tha se vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte i guximshëm.

“Unë dhe Presidenti Trump shpesh themi: Paqe përmes forcës. Së pari vjen forca, pastaj vjen paqja. Sonte Presidenti Trump dhe Shtetet e Bashkuara vepruan me shumë forcë”, është shprehur Netanyahu.

Ndërkaq, Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz ka thënë se këto sulme e kanë bërë aleancën ShBA-Izrael më të fortë.

“Aleanca midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit tani është më e fortë se kurrë – për hir të paqes dhe sigurisë për të dy kombet dhe për të gjithë botën e lirë”, tha Katz.


07:31 – Vala e fundit e raketave iraniane, ekipet izraelite të emergjencës po dalin në 10 vende

Ekipet izraelite të emergjencës po shkojnë në 10 vende të caktuara, pas raportimeve për ndikimet nga vala e fundit e raketave iraniane.

“Pas alarmeve që u dëgjuan në minutat e fundit, ekipet e MDA-së dolën për të kontrolluar vendet ku u morën raportimet,” tha agjencia e emergjencës Magen David Adom në një deklaratë.

Ushtria izraelite më parë tha se sistemet e saj mbrojtëse po funksiononin, pasi lëshoi ​​një paralajmërim për një valë të re raketash, e para që kur ShBA-ja konfirmoi se kishte bombarduar Iranin, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

Bëhet e ditur se sirenat paralajmëruese janë dëgjuar edhe në Jordani, që ndodhet midis Izraelit dhe Iranit.


 07:09 – Irani lëshon raketat e para drejt Izraelit pas sulmeve të ShBA-së

Ushtria izraelite ka thënë se Irani ka lëshuar një valë të re raketash drejt vendit dhe u bëri thirrje njerëzve të strehohen.

“Pak kohë më parë, IDF identifikoi raketa të lëshuara nga Irani drejt territorit të shtetit të Izraelit”, thuhet në deklaratën e Forcave Mbrojtëse të Izraelit.

Vala e re e raketave është e para që Irani ka lëshuar që kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se kishin sulmuar objektet bërthamore të Iranit, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

“Sistemet mbrojtëse po veprojnë për të kapur kërcënimin”, tha IDF-ja, duke shtuar se njerëzit ishin “udhëzuar të hynin në një hapësirë ​​të mbrojtur dhe të qëndronin atje deri në njoftim të mëtejshëm”.


07:04 – Ministri i Jashtëm iranian paralajmëron se sulmet amerikane do të kenë “pasoja të përjetshme”

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi ka dënuar sulmet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj objekteve bërthamore të Iranit.

Ai përmes një postimi në X ka paralajmëruar se ato sulme do të kenë “pasoja të përjetshme”, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

“Ngjarjet e këtij mëngjesi janë të skandalshme dhe do të kenë pasoja të përjetshme”, ka shkruar ai, duke shtuar se Irani “rezervon të gjitha opsionet për të mbrojtur sovranitetin, interesin dhe popullin e tij”.

“Shtetet e Bashkuara, një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kanë kryer një shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së, ligjit ndërkombëtar dhe (Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore) duke sulmuar instalimet bërthamore paqësore të Iranit”, ka shkruar tutje ai.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.