Seanca të shkurtra, krizë e gjatë: Kuvendi sërish pa marrëveshje (VIDEO) NULL NULL 11.06.2025 10:57 11.06.2025 10:57 Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar sërish të konstituojnë legjislaturën e re. Kryesuesi i Kuvendit, deputeti Avni Dehari, propozoi sërish që të votohet për komisionin që do të mundësonte votimin e fshehtë për kryetar kuvendi, por sërish nuk pati vota të mjaftueshme. Lushaku-Sadriu: Dështimi i 30-të, paaftësi e LVV-së – LDK nesër shpalos idenë e Qeverisë së Trancizionit Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se dështimi i 30-të për të konstituuar Kuvendin erdhi për shkak të paaftësisë së partisë së parë të dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare, LVV-së. “Ky ishte episodi i 30-të i seancës konstituive, i cili nuk arriti të kurorëzohet me sukses për shkak të paaftësisë së partisë së parë. Për shkak se partia e parë nuk arriti të sigurojë një shumicë. Kjo është një kosto tepër e lartë për qytetarët e Kosovës, për vetë Kosovën, për funksionimin tonë si demokraci dhe e cenon demokracinë e vendit tonë”. “Kjo është një situatë jo serioze ku partia e parë nuk sheh ndonjë urgjencë për të konsoliduar kuvendit, sepse qëllimi final është të mos e lëshojë as ekzekutivin”. “Ua kujtoj që 17 deputetë kanë dhënë betimin dhe janë në zyrtarë të Qeverisë së Kosovës”, deklaroi Lushaku-Sadriu. Ajo tha se kjo krizë po reflektohet në inflacion e në çmime të larta dhe po pamundëson lehtësinë e përballueshmërisë së çmimeve nga qytetarët. Duke folur për propozimin e partisë që ajo përfaqëson për daljen nga kjo krizë, që është një Qeveri Tranzicioni. Ajo tha se LDK-ja “nesër do të shpalosë një plan prej 15 pikash ku do të elaborojë idenë dhe prioritetet që do t’i shihnim si pjesë e kësaj qeverie për një periudhë të caktuar” Krasniqi: PDK gati të votojë dikë tjetër nga VV, jo Haxhiun Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur pas dështimit të seancës së 30-të konstituive të Kuvendit. Ai ritheksoi gatishmërinë e PDK-së për të kontribuar në tejkalimin e krizës aktuale politike, transmeton Klankosova.tv. “Ne si PDK edhe njëherë e ritheksojmë qëndrimin tonë: jemi të gatshëm për t’i dhënë zgjidhje kësaj krize, duke mundësuar votimin e një kandidati që merr shumicën e votave dhe që i hap rrugë krijimit të qeverisë së re brenda afateve kushtetuese”, tha Krasniqi. Krasniqi (PDK): Kam pritur që partia e parë të reflektojë, por s’pres ndryshim Deputeti nga radhët e PDK-së, Altin Krasniqi, ka thënë se nuk pret ndonjë ndryshim nga seanca e sotme, e 30-ta me radhë, për konstituim të Kuvendit. “Nuk pres ndonjë ndryshim. Kam pritur që partia e parë të reflektojë. Sipas meje, gjithçka do të jetë njëjtë”, tha ai për Klan Kosovën në hyrje të Kuvendit. Krasniqi, duke qenë i biri i ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se në të kaluarën, “fillimisht janë siguruar votat, e pastaj kanë ardhur në Kuvend”. Balje s’ndryshon qëndrim, nuk ka votë për Haxhiun Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje nuk ka ndryshuar qëndrim, pra nuk do ta votojë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare. Për gazetarin e Klan Kosovës, Flamur Gajtanin, ajo tutje u shpreh se nuk pret ndryshim as sot, njofton Klankosova.tv. “Jo nuk shoh ndryshim. Nuk ka pasur ndonjë hap tjetër, është situatë e njëjtë. Mendimin e kam të njëjtë. Krejt shkon me fuqi, kush ka më shumë fuqi, ka edhe përgjegjësi”, deklaroi Balje, njofton Klankosova.tv. Moskonstituimi i Kuvendit, Zemaj: Përgjegjësia morale dhe politike bie mbi LVV-në Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka folur para nisjes së seancës së 30-të për konstituimin e Kuvendit. Sipas tij përgjegjësia e madhe morale dhe politike bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje, për ngërçin politik, transmeton Klankosova.tv. “Përgjegjësia e madhe morale dhe politike bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje e cila as nuk dëshiron të gjejë një zgjidhje, as të ofrojë një zgjidhje por me kryeneçësinë politike vazhdon të mbajë peng institucionet e Kosovës”, tha ai. Gashi: S’ka sinjale për ndryshim Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se nuk ka ndonjë sinjal se në seancën e sotme, të 30-tën me radhë, do të ketë ndonjë ndryshim. “Nuk ka sinjale për ndonjë ndryshim por besoj që ka ardhur koha për të gjetur zgjidhje, ka kaluar kohë përtej të arsyeshmes. LDK ka ofruar një zgjidhje. Nëse është e papranueshme për LVV-në, atëherë le t’i bëjë veprimet e duhura sepse ka obligim me të drejtën që e ka fituar duke dalë e para në zgjedhje”, deklaroi Gashi në hyrje të Kuvendit. Murati: Deputetët e opozitës po e shkelin Kushtetutën Deputeti nga radhët e LVV-së, njëherësh ministër në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se deputetët e ish-partive opozitare po e shkelin Kushtetutën duke mos votuar. “Duhet deputetët ta kryejnë obligimin e tyre kushtetues, të votojnë – pro, kundër ose abstenim. Qe 21 herë deputetët e opozitës e shkelin Kushtetutën duke mos marrë pjesë në votim”, deklaroi Murati. Ai i referohet çështjes së votimit të komisionit për votim të fshehtë, ku deputetët e LVV-së po votojnë pro, ndërsa të tjerët nuk po marrin pjesë në votim. /Klankosova.tv Sala Jashari s’pret ndryshime në seancën e sotme konstituive Deputetja e PDK-së, Sala Jashari nuk pret ndryshime në seancën e sotme konstituive e 30-ta me radhë. Për gazetarin e Klan Kosovës, Flamur Gajtanin, deputetja tha se kjo që po ndodh, është kaos i madh për institucionet e Kosovës. “Nuk pres diçka ndryshe. Është i çuditshëm fakti që janë duke pritur deri në seancën e 30 për një rezultat që ish dashtë me qenë qysh në ditën e parë. Seanca do të mund të kishte rezultat pozitiv brenda pesë minutash, kjo që po ndodh është kaos i madh për institucionet e Kosovës. Përsëritja është e dëmshme për të gjithë”, u shpreh Jashari, njofton Klankosova.tv. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Kundërshtimi i komisionit, LDK ankohet në Kushtetuese, proteston në foltore (VIDEO) 04/07/2025
Kosova Rritet numri i zjarreve – Kosova përballet me sfidën me vetëm 800 zjarrfikës! (VIDEO) 04/07/2025