Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Reprizë, reprizë, reprizë – as në seancën e 35-të nuk ka konstituim të Kuvendit (VIDEO)

NULL NULL
21.06.2025 10:32

Kadrijaj thotë se VV qëllimshëm po e mban të bllokuar Kuvendin

Deputetja e betuar e AAK-së, Time Kadrirjaj thotë se moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës po bëhet qëllimshëm nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Më besoni që më vjen keq që është e 35-ta herë që po tentohet të zgjidhet kryeparlamentare, dhe ne nuk e shohim fare një angazhim të Lëvizjes Vetëvendosje për sigurimin e 61 votave për kryeparlamentaren, dhe po shihet qartë një abuzim i një të drejte që ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese dhe ajo e drejtë iu dha partisë së parë për të propozuar kandidaten për kryeparlamentare. Ne e kemi konceptuar e kemi pranuar këtë të drejtë, por nuk mund të pranojmë abuzimin që po e bën VV-ja. Po bëhet qëllimshëm moskonstituimi i Kuvendit”, u shpreh deputetja, transmeton Klankosova.tv


Ndër të tjera, Kadrijaj shton se AAK është në pritje të një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese.

Shënohet dështimi i 35-të, Mustafa: Përgjegjësia bie mbi VV-në

Deputeti i betuar i LDK-së, Besian Mustafa është deklaruar pas dështimit të 35-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ai tha se përgjegjësia e plotë bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje, transmeton Klankosova.tv.

“Sot pamë edhe një herë një tentim për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të konstituuar Kuvendin e për të vazhduar pastaj për konstituimin e qeverisë dhe organeve të tjera shtetërore. Fatkeqësisht, Kuvendi edhe kësaj radhe, ose partia që ka shumicën në ulëset e Kuvendit nuk arriti që të krijojë një shumicë për të konstituuar Kuvendin”, u shpreh Mustafa.


Çitaku: Për Kurtin pushteti është më i rëndësishëm se shteti

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka folur për media pas dështimit të 35’të për ta konstituuar Kuvendin.

Çitaku i bëri thirrje publike Lëvizjes Vetëvendosje për reflektim, duke shtuar se Kosova është buzë kolapsit.
Ndër tjerash, deputetja e PDK-së tha se egoja e Kurtit është më e madhe se Kosova.

“Për Albin Kurtin pushteti është më i rëndësishëm se shteti, egoja është më e madhe se Kosova, ambicia është më e rëndësishme se demokracia, kjo situatë duhet të marrë fund dhe presim nga VV që të reflektojë. Kosova është buzë kolapsit”, tha Çitaku, transmeton Klankosova.tv


35 tentativa, asnjë rezultat – seanca e radhës më 23 qershor

Ka dështuar edhe seanca e sotme parlamentare, e që rrumbullakësoi numrin 35-të qëkur po provohet që të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Pas dështimit të saj, është vendosur që ajo e radhës të mbahet, si rëndom, pas 48 orësh, njofton Klankosova.tv.

Deputetët do të mblidhen për të 36-ën herë të hënën, më 23 qershor në orën 11:00.


Dështon edhe tentativa e radhës për të konstituuar Kuvendin

Deputetët e Kuvendit në seancën e 9 qershor, 2025. Foto: Kuvendi i Kosovës

Ka dështuar edhe përpjekja e 35-të për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Deputetët e zgjedhur nuk arritën as sot të formojnë legjislaturën e nëntë, derisa seanca e radhës do të mbahet pas 48 orësh, transmeton Klankosova.tv.

Seanca e sotme u ndërpre, pasi komisioni për votim të fshehtë nuk kaloi.


Nis seanca e 35-të konstituive

Ka nisur edhe seanca e 35-të konstituive.

Deputetët e zgjedhur po përpiqen edhe sot që të arrijnë konstituimin e parlamentit, transmeton Klankosova.tv.

Megjithëse, sipas deklarimeve të deritanishme, edhe ky tentim do të dështojë.


 


Kalojnë 20 minuta, seanca nuk nis – mungojnë deputetët

Seanca e 35-të konstituive është dashur të nis qysh para 20 minutash.

Megjithëse, në sallën plenare shihen numër i vogël i deputetëve, i përbërë kryesisht nga deputetët e PDK-së dhe LKD-së, transmeton Klankosova.tv

Çka vërehet është mungesa e madhe e deputetëve të partisë fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, ani pse zili paralajmërues për nisjen e seancës ka nisur të bie që disa minuta.


Krasniqi: Çdo 48 orë vijmë me shpresën që do të dalin me emrin e ri të kryeparlamentarit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosoës, Memli Krasniqi, foli shkurtimisht për media para fillimit të seancës së 35-të në tentim për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Gazetarja, Qëndresë Bellagoshi bëri të ditur se Krasniqi u shpreh se çdo ditë vijnë me shpresë që VV do të dal me emër të ri për kryeparlamentar.

“Çdo 48 orë vijmë me shpresën që do të dalin me emrin e ri të kryeparlamentarit, por tashmë dihet që shpresat janë të ulta sot”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, kujtojmë se sot me fillim nga ora 11:30 mbahet Konventën e Përgjithshme të 11’të me radhë, ku Krasniqi pritet ta konfirmohet edhe për një mandat në krye të partisë. / Klankosova.tv

 

Limaj për Kurtin: E bëri gjithë atë fushatë, nuk është në gjendje me u ul me bisedu për ndërtimin e Qeverisë

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur para tentimit të 35-të të konstituimit të Kuvendit.

Limaj tha se sot nuk pret ndryshime, për faktin se nuk ka pasur ndonjë lëvizje.

Derisa tha se për tre muaj kishte qenë njeriu më i sulmuar në vend, pasi tha se kishte kërkuar gjënë më normale që duhet ta kërkojë një politikan, bisedimin. Ai shtoi se “në botë armiqtë bisedojnë me njëri – tjetrin”.

“Jo nuk pres për faktin që nuk ka pasë ndonjë lëvizje. E kemi obligim si deputet me ardhë, me përmbush obligimin ligjor me shpresën që rrugët politike të kuptojnë peshën dhe rëndësinë. Është e habitshme çka po ndodh tash e sa muaj”.

“Me u zgjedh, me kërku me bë vendin më mirë, me bë gjithë atë fushatë, mos me kanë në gjendje me u ul e me ndërtu Qeverinë e parlamentin e institucionet, në kohën kur bota është rrezuar, me gjithë ato probleme ekonomike e politike, me problemet e sigurisë”, tha Limaj, transmeton Klankosova.tv

Limaj ndër tjerash tha se me këtë situatë po rrezikohet siguria e Kosovës. / Klankosova.tv


“E turpshme ajo që po ndodh”, Gashi: Bota po kallet, ne shtyhemi për një pozitë 

Deputeti i betuar i LDK-së, Arben Gashi është deklaruar pak para nisjes së seancës së 35-të konstituive.

Ai tha se gjendja në të cilën është Kuvendi sot është e turpshme, dhe sipas tij, kësaj situate duhet t’i vijë fundi sa më shpejt, transmeton Klankosova.tv.

“Çfarë ka nënkuptuar me fjalën nomadë Kurti. Sepse në vetvete fjala nomadë nuk ka diçka të keqe. Ka plot popullsi që e kanë për nder dhe krenari që janë nomadë, e para, e dyta, është përgjegjësi e Kurtit dhe partisë së tij të konstituojnë Kuvendin. Fatkeqësisht është e turpshme ajo që po ndodh, bota o kallet flakë, e ne po shtyhemi mes vete kush çfarë pozite po merr. Duhet t’i vijë fundi sa më shpejt kësaj situate. Është e papranueshme gjendja në të cilën ka hyrë vendi”, u shpreh Gashi.


Guri komenton ‘nomadët’ e kryeministrit në detyrë: I vetmi në Kosovë që nuk ka shtëpi është Kurti

Deputeti i betuar i LDK-së, Paris Guri ka komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, teksa i etiketonte deputetët si “nomadë”.

Guri tha se i vetmi “nomad” në këtë me, është vetë Kurti, transmeton Klankosova.tv.

“Nomadë janë ata që nuk kanë shtëpi, e i vetmi në Republikën e Kosovës që nuk ka shtëpi është Albin Kurti, nomadë nuk është ish-opozita, është Albin Kurti i cili nuk ka një vend rezident ku jeton, i cili nuk e ka familjen në një vend”, u shpreh Guri.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.