LIVE| Ndërpritet seanca konstituive (VIDEO) NULL NULL 15.04.2025 09:37 15.04.2025 09:37 Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka ndërprerë seancën, për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve. “Për shkak te rrethanave te krijuara me që raporti i komisionit nuk mori votat e mjaftueshme për për, në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten se si do të veprohet në të ardhmen”, tha Dehari. Haradinaj: Konstituimin e Kuvendit sot e ka bllokuar vetë Albin Kurti Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar përmes Facebook-ut, duke e akuzuar kryetarin e VV-së, Albin Kurti për bllokimin e konstituimit të Kuvendit. Ai tha se nëse duan që të përfundojë kjo procedurë, Kurti dhe minsitrat e tij duhet të tërhiqen nga postet dhe të mos i fajësojnë të tjerët, transmeton Klankosova.tv. “Konstituimin e Kuvendit sot e ka bllokuar vetë Albin Kurti. Ligji e Kushtetuta e këtij shteti nuk lejojnë që të mbash edhe postin e Kryeministrit apo të Ministrit dhe të betohesh si deputet. Nuk mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht. Ne nuk mund ta shkelim Kushtetutën dhe të veprojmë ndryshe, prandaj nuk e votuam raportin. Albin Kurti me ministrat e tij, nëse duan ta konstituojnë Kuvendin, le të tërhiqen ose nga postet ministrore, ose nga mandati i deputetit, e të mos i fajësojnë të tjerët për gabimet e veta.” Zgjedhje të reja në korrik? Deda: Kurti nuk do marrëveshje (VIDEO) Opinionisti politik Ilir Deda ka ngritur alarmin për një mundësi të madhe që vendi të shkojë në zgjedhje të reja në muajin korrik. Sipas tij, Vetëvendosje po përgatitet që të mos krijojë qeverinë, ndërsa mungesa e entuziazmit nga partitë e tjera vetëm sa e shton këtë mundësi. “Siç po duket përtej situatës së tashme, Vetëvendosje po e përgatit veten që të mos e krijojë qeverinë. Duke parë që asnjëra anë tjetër nuk ka ndonjë entuziazëm për ta krijuar, ajo që është e mundshme është që Kosova në korrik shkon në zgjedhje”, deklaroi Deda, në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova. Abdixhiku për VV-në: Duan të blejnë kohë sepse nuk kanë votë – mjaft më me filma e kauza plot mllef Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është deklaruar sërish lidhur me situatën e sotme në Kuvend dhe dështimin për seancën konstituive, duke kërkuar dorëheqjen e anëtarëve të Qeverisë – që janë zgjedhur deputetë. Abdixhiku iu drejtua edhe Kurtit, duke i thënë “jep dorëheqje zotëri”, duke iu referuar asaj që ndodhi si filma e kauza ‘plot mllef’. Ai tha se VV dëshiron që të bejë kohë sepse nuk i kanë votat, transmeton Klankosova.tv “Jep dorëheqje zotëri, betohu si deputet! Si secili tjetër në Kuvend! Mjaft më me filma e kauza plot mllef! Apetiti i madh i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje – dhe i prijësit të tyre për të qenë edhe Kryeministër edhe Deputet, prodhoj sot një epizodë të errët demokratike në vend. Të paprecedentë, sepse askush deri më tani, me mendje demokratike e me respekt ndaj Republikës, nuk kishte provuar t’i ketë të dyja funksionet përnjëherë! Derisa në njërën anë deklarojnë se po japin dorëheqje, në anën tjetër vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e dorëhequra sikurse s’ka ndodhur asgjë e re. Sa të pavërtetë; sa jodemokratik! E vërteta megjithatë është krejt e thjeshtë! Duan të blejnë kohë; sepse nuk kanë votë. Me 52 vota tani, ato që edhe i pamë. pështyesit e moçalit të pështymave, nuk kanë shumicë. I duhet koha për pazare shtesë – të rënda, joparimore, të kushtueshme për këtë Republikë. Aq të kushtueshme sa u kuptua dhe nga mesazhet që i dërgonin njëri tjetrit vet!”- ka shkruar Abdixhiku. Bajrami: Ata që për katër vite e kanë shkelë Kushtetutën, po na e kërkojnë edhe neve ta bëjmë këtë Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se manovrat e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes dështuan edhe një herë, pasi sipas saj, iu dolën në publik pazaret me Listën Serbe. Ajo u shpreh se ata që për katër vjet e kanë shkelë Kushtetutën mbi 10 herë, u shpreh se sot po u kërkojnë edhe atyre që ta bëjmë një gjë të tillë. “Manovrat e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes dështuan edhe një herë, pasi iu dolën në publik pazaret me Listën Serbe. Kur dolën mesazhet dhe të gjithë e kuptuan se Albin Kurtin po e votojnë edhe disa deputetë të Listës Serbe, në skenë dolën shërbëtorët e tij për të akuzuar të tjerët, kinse për bllokim të Kuvendit”. “Kjo propagandë nuk kalon. Në çfarë situate na kanë sjellë: Ata që për katër vite e kanë shkelë Kushtetutën mbi 10 herë, sot po na e kërkojnë edhe neve ta bëjmë një gjë të tillë. Përgjigja jonë është JO. E se kush është i paaftë, u pa qartë sot: me gjithë pazaret dhe përpjekjet, LVV arriti vetëm 52 vota. Zgjidhja është e thjeshtë: Jepni dorëheqje , dorëzoni ato te Komisioni për Verifikim dhe ne votojmë raportin, duke i hapur kështu rrugë betimit të deputetëve”. “Deri tani nuk ka dorëheqje zyrtare. Referenca për “deklarime” të 23 dhe 27 marsit nuk është dorëheqje, sepse mbi të gjitha kur jepë dorëheqje s’mundesh me u kthy në zyre të Qeverisë e me ushtru funksion prapë. Mbi të gjitha Kuvendi nuk merr vendime mbi deklarata, vendimet në Kuvend merren në bazë të dokumenteve”, ka shkruar Bajrami. Haradinaj: Edhe zgjedhjet janë zgjidhje Deputeti i zgjedhur nga radhët e AAK, Daut Haradinaj, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Kjo pasi që në seancë nuk kaloi raporti i verifikimit të mandateve të deputetëve. Haradinaj tha se “edhe zgjedhjet janë zgjidhje”, kështu duke dhënë edhe si opsion zgjedhjet, në rast të mosformimit të institucioneve. Ndërprerja e seancës konstituive, deklarohet Presidenca Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka ndërprerë seancën, për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve. Ai tha se lidhur me këtë do t’i drejtohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, rreth asaj se si duhet të vazhdohet tutje. “Detyrohemi të ndërpresim seancën dhe me letër t’i kërkojmë presidentes se si të veprojmë në të ardhmen”, ka deklaruar Dehari. Bekim Kupina, këshilltar i presidentes, tha se deri më tani nuk ka asnjë letër nga Kuvendi. “Deri më tani nuk ka arritur asnjë letër nga Kuvendi. Para përgjigjes duhet të vijë pyetja”, deklaroi Kupina për Klankosova.tv. Sipas rregullës, një seancë nuk mund të shtyhet më tepër se 48 orë. Hoti pas dështimit të seancës konstituive: Vendit i shërbehet duke respektuar Kushtetutën Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pasi ka dështuar seanca e sotme konstituive e Kuvendit të Kosovës. Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se vendit i shërbehet duke respektuar Kushtetutën dhe ndarjen e pushteteve, duke treguar maturi politike në çdo rrethanë, duke treguar gjithmonë përkushtim ndaj interesit të shtetit, duke treguar gatishmëri për të bartur çdo kosto politike kur avancohet interesi shtetëror. Sipas tij, Kuvendi i Kosovës sot nuk u konstituua për arsye të mungesës së këtyre vlerave tek partia që ka dalë e para në zgjedhje, pra LVV-ja. Abdixhiku godet Vetëvendosjen: Ata që komunikojnë me mesazhe me Listën Serbe nuk duhet të flasin Gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, disa nga deputetët u kapën teksa komunikonin me mesazhe, duke u koordinuar rreth mënyrës së votimit për kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë e re. Lidhur me këto mesazhe ka reaguar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai në një prononcim para mediave e ka goditur partinë fituese, Lëvizjen Vetëvendosje, për koordimin me Listën Serbe, për vota. “Dhe dua të them një gjë shumë të thjeshtë. Ata që komunikojnë me mesazhe për bërjen e votave nga Lista Serbe për qeverinë e ardhshme më së paku duhet të flasin për këto koordinime”, deklaroi ai. Seanca dështoi, Albin Kurti: Ky është sulm brenda institucional kundër Kosovës, situatë e paparë në shtetin tonë Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, është deklaruar pasi seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar, për shkak se deputetët nuk e kanë votuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve. Kurti tha se votimi kundër nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, është sulm brenda institucional kundër Kosovës dhe një situatë e paparë në shtetin tonë. “Deputët e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë”. “Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot.” – ka shkruar Kurti. Zeqaj: Limaj nuk do votoj qeverinë Kurti (VIDEO) Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, dhe kryetari i LVV-së Albin Kurti, është thënë se kanë arritur marrëveshje për të bashkëqeverisur. Por sipas Florent Zeqaj, i cili foli në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, kjo nuk do të mundësohet pasi që nuk janë dakorduar për kërkesat. “Fatmir Limaj nuk po shkon me votu qeverinë Kurti, për shkak se nuk janë dakordu me kërkesat që i ka pasur Kurti karshi votimit të qeverisë Kurti, sa kam informacione unë”, tha Zeqaj. Abdixhiku: Vetëvendosje po e zvarrit krijimin e institucioneve Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po tenton ta zvarris procesin e formimit të institucioneve duke blerë kohë. Me këtë rast, Abdixhiku para mediave tha se LVV-ja ka bërë veprim jokushtetues. “Një i zgjedhur s’mund të jetë kryeministër, ministër apo edhe deputet i Kuvendit të Kosovës. Ky qëndrim i partisë fituese është qëndrim jokushtetues, i cili po bëhet si pjesë e një loje për të zvarritur sa më shumë formimin e institucioneve dhe blerë kohë”, deklaroi Abdixhiku. “Zgjidhja është shumë e tjeshtë, të japin dorëheqje nga pozitat që kanë, të ulen në ulesët e Kuvendit si deputet të Republikës së Kosovës, ta bëjnë betimin dhe kështu nis formalisht konstituimi i Kuvendit të Kosovës”, theksoi ai. Derisa për akuzat e VV-së, kreu i LDK-së tha se janë të një mendësie të njëjtë polarizuese. “Dhe dua të them një gjë shumë të thjeshtë. Ata që komunikojnë me mesazhe për bërjen e votave nga Lista Serbe për qeverinë e ardhshme më së paku duhet të flasin për këto koordinime”, deklaroi ai. Edhe Kusari i akuzon opozitën dhe Listën Serbe: Nuk po e pranojnë rezultatin zgjedhor Mimoza Kusari – Lila nga grupi i Lëvizjes Vetëvendosje, është deklaruar pasi nuk kaloi raporti i komisionit për verfikimin e mandateve. Ajo e akuzoi opozitën dhe Listën Serbe, duke thënë se po e shfaqin paaftësinë e tyre dhe sipas saj, po tregojnë se nuk e pranojnë rezultatin zgjedhor. “Për herë të parë në Kosovë, opozita aktuale dhe ajo e ardhshme nuk e voton raportin për certifikimin e rezultateve dhe konfirmimin e mandateve. PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe votuan së bashku kundër konstituimit të Kuvendit – pra edhe kundër mandateve të tyre. Me këtë veprim, sot, përmes një tjetër shfaqjeje të paaftësisë së tyre të vazhdueshme, treguan se nuk e pranojnë më rezultatin e zgjedhjeve që vetë e kishin pranuar dhe votuar në KQZ.” – ka shkruar Kusari – Lila. Peci: Konstituimi i Kuvendit u pamundësua nga opozita dhe Lista Serbe Pas ndërprejes së seancës konstituive, është deklaruar deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje – Guxo, Faton Peci. Sipas Pecit, konstituimi i Kuvendit u pamundësua nga opozita dhe Lista Serbe. “Për të hapur mundësi dhe për t’u futur në afate ligjore dhe kushtetuese për të pasur institucione Republika e Kosovës, për të pasur kryetarin e Kuvendit dhe për të hyrë rrjedhimisht në afate kushtetuese për nominimin e mandatarit të qeverisë së ardhshme”, deklaroi ai. Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka ndërprerë seancën, për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve. “Rast i paprecedentë”, Haxhiu: Opozita bllokoi seancën konstituive (VIDEO) Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, ka folur pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se grupi parlamentar i LVV-së ishte plotësisht i gatshëm të merrte pjesë me prezencë fizike dhe të votonte raportin e komisionit për verifikimin e mandateve. Ajo tha se përkundër përgatitjes për të bërë betimin e deputetëve dhe për të proceduar me propozimin për kryetar e nënkryetar të Kuvendit nga radhët e LVV-së, opozita bllokoi procesin duke mos votuar raportin e përgatitur nga komisioni që udhëhiqej nga deputeti Artan Abrashi. “Sot ishim të pranishëm në seancën konstituive të Republikës së Kosovës. Grupi parlamentar i LVV-së ishte i gatshëm të marrë pjesë me prezencë fizike në seancë, të votojë raportin e komisionit për verifikimin e kuorumit të mandateve, të japë verdiktin për deputetët dhe të bëjë betimin, ashtu siç e kërkon edhe Rregullorja e Kuvendit. Po ashtu, ishte paraparë të vazhdohej me propozimin për kryetarin dhe nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e LVV-së. Por siç e keni parë, ndodhi një situatë e paprecedentë: opozita nuk e votoi raportin e komisionit për verifikimin e kuorumit të mandateve, komision ky i kryesuar nga deputeti i LVV-së, Artan Abrashi”, tha Haxhiu në prononcim për emisionin “Kosova Today”, në Klan Kosova. Fatmir Limaj me deputetët e vet dalin nga Kuvend Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, me deputetët e vet, është larguar tashmë nga Kuvendi i Kosovës, teksa pauza e dytë akoma po vazhdon. Pas tij, është parë të largohet edhe Nenad Rashiqi. Ndryshe, në votimin e raportit të komisionit për verifikimin e mandateve, Nisma e Limajt ishte në një linjë me Lëvizjen Vetëvendosjen, pasi ka votuar pro raportit. Kurti në zyrën e Konjufcës pas mbylljes së seancës konstitutive Seanca konstituive ka shkuar në pauzë 15-minutëshe. Kjo pas që nuk kaloi, raporti i komisionit të përkohshëm parlamentar për verifikimin e mandateve. Pas kësaj kreu i LVV-së, Albin Kurti është futur në zyrën e Glauk Konjufcës. Deputetët e Nismës në të njëjtën linjë me ata të Vetëvendosjes, votuan pro raportit Nisma e Fatmir Limajt siç duket është në një linjë me Lëvizjen Vetëvendosjen, pasi ka votuar pro raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në votimin e parë të këtij raporti, PDK, LDK dhe AAK kanë votuar kundër. 52 deputetë votuan pro, 46 kundër, 11 abstenuan dhe rrjedhimisht nuk kaloi ky raport. Ndryshe, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se nuk mund ta votojnë raportin e komisionit për verifikimin e mandateve, pasi ai është “jokushtetues”. Kurti në zyrën e Konjufcës pas mbylljes së seancës konstitutive Seanca konstituive ka shkuar në pauzë 15-minutëshe. Kjo pas që nuk kaloi, raporti i komisionit të përkohshëm parlamentar për verifikimin e mandateve. Pas kësaj kreu i LVV-së, Albin Kurti është futur në zyrën e Glauk Konjufcës./Klankosova.tv. PDK bllokadë, Krasniqi: S’mund të votojmë raportin nëse anëtarët e Qeverisë s’japin dorëheqje Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është deklaruar pasi që nuk ka kaluar raporti i komisionit të përkohshëm parlamentar për verifikimin e mandateve. Ai ka thënë se PDK nuk mund të votojë këtë raport, i cili sipas tij është kundërkushtetues, njofton Klankosova.tv. “Kushtetuta e thotë qartë se nuk mund të bëhesh deputet nëse je kryeministër apo ministër”, tha Krasniqi, duke shtuar se deputetët e zgjedhur të LVV-së – që aktualisht janë pjesë e Qeverisë në detyrë – duhet të japin dorëheqje sepse s’mund të mbajnë të dy postet. “Kjo mund të zgjidhej lehtë nëse ata japin dorëheqje”, tha Krasniqi. Në votimin e parë të këtij raporti, PDK, LDK dhe AAK kanë votuar kundër. Betimi i deputetëve, ky është teksti që duhet ta lexojnë Po mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Një nga pikat e rëndësishme të kësaj seance, do të jetë edhe betimi i deputëve. Me këtë rast, ligjvënësit duhet ta lexojnë një tekst, me rastin e betimit. “Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!”, shkruan në tekstin e Betimit. Të pranishëm aty janë 119 deputetë, e vetëm një mungon. Në seancë ka dështuar kalimi i raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve/ Klankosova.tv “Jo”, Elbert Krasniqi kapet duke folur me “AK”, përmend 4 vota të Listës Serbe për Qeverinë Kamera e Klan Kosovës ka kapur disa mesazhe të Elbert Krasniqit, duke komunikuar me një person të regjistruar me iniciale A.K., rreth formimit të Qeverisë. Mes tjerash, Krasniqi ka përmendur “4 vota të Listës Serbe na votojnë Qeverinë” . Kurse personi AK, ia kthen shkurt me Jo. Kurti jep dorëheqje nga posti i kryeministrit Albin Kurti ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Kështu ka deklaruar ai përmes një letre drejtuar Sekretariatit të Kuvendit të Kosovës, që e ka siguruar Klan Kosova. Bazuar në ligj, ata që e fitojnë mandatin si deputet e nëse janë pjesë e Qeverisë së Kosovës, pra kanë ndonjë pozitë ekzekutive si: Kryeministër, zëvendëskryeministër, ministër apo edhe zëvendësministër, duhet të japin dorëheqje nga pozita qeveritare. Kjo pasi sipas rregullave, ata nuk mund të jenë njëkohësisht, deputet dhe pjesë e ekzekutivit./ Klankosova.tv Votohen anëtarët e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve Me 119 vota për, deputetët votuan anëtarët e komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Nga LVV u propozua Artan Abrashi si anëtar dhe kryesues i komisionit për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. PDK për anëtar propozoi Përparim Grudën, LDK Armend Zemajn, Lista Serbe Branislav Noikoliqin, AAK- NISMA propozoi Time Kadrijajn, etj. “S’kemi marrëveshje për….”, Elbert Krasniqi në zor për nënkryetarin e komuniteteve Kryetari i Iniciativës së re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, po kërkon përgjigje lidhur me kandidatin e komuniteteve për nënkryetar. Në mesazhet që i dolën, shihet se ai ka dërguar një mesazh ku ka shkruar se s’ka marrëveshje lidhur me emrin për nënkryetar të komuniteteve. Fatmir Limaj futet në sallën e Kuvendit, s’ia hedh sytë Haradinajt (VIDEO) Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, tashmë është futur në sallën e Kuvednit, ku ka filluar seanca konstituive e legjislaturës së nëntë. Pasi është nënshkruar, Limaj është parë duke e tejkaluar kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn, pa ia hedhur sytë edhe pse ishin në një koalicion për zgjedhjet e 9 shkurtit. Siç është raportuar, Limaj ka arritur marrëveshje me Albin Kurtin për krijimin e Qeverisë, ndonëse ende s’është konfirmuar një gjë e tillë. Gjithçka gati – në Kuvend arrijnë edhe deputetët e VV-së Tashmë gjithçka është gati për fillimin e seancës konstitutive. Në sallën e Kuvendit kanë arritur edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, në krye me kryetarin e saj, Albin Kurtin, të cilët paraprakisht janë nënshkruar, njofton Klankosova.tv. Seana është paraparë të nisë në orën 10:00, mirëpo edhe nuk ka filluar. Bajrami: Nuk e votojmë kandidatin për kryetar të propozuar nga VV-ja Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Hykmete Bajrami, ka thënë se LDK-ja nuk do ta votojë kandidatin për kryetar të Kuvendit që do të propozohet nga Vetëvendosje. Bajrami tha se LDK-ja nuk ka ndryshuar qëndrim në lidhje me këtë. “Ne konsiderojmë që në qoftë se Lëvizja Vetëvendosje ka propozim për emrin e kryetarit të Kuvendit, duhet t’i kenë edhe votat për ta votuar atë”, deklaroi ajo. Ajo theksoi se nuk ka asnjë marrëveshje mes deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje. Ndryshe, Hykmete Bajrami, do të jetë shefe e Grupit Parlamentar të LDK-së./ Klankosova.tv Kurti i buzëqeshur – por s’përgjigjet nëse i kanë numrat për kryeparlamentarin Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetari LVV-së, ndonëse i buzëqeshur arriti në hollin e Kuvendit ku për pak pritet të nisë seanca konstitutive, nuk iu përgjigj gazetarëve në pyetjen nëse i kanë numrat për kryeparlamentar. Njësoj ka vepruar edhe ditëve të kaluara, njofton Klankosova.tv. Kusari-Lila përgjigjet se a do propozohet për kryetare kuvendi Mimoza Kusari Lila ka arritur në Kuvend për seancën konsitutive që pritet të filloj pas pak. E pyetur se a do jetë emër potencial për kryetare kuvendi, ajo u përgjigj se “Jo”. Ndërsa tutje tha se “ seanca nuk ka filluar ende” në pyetjen se a kanë numrat për të formuar qeverinë./Klankosova.tv. Lista Serbe arrin në sallën e Kuvendit, deputetët nënshkruhen Anëtarët e Listës Serbe kanë arritur në sallën e Kuvendi të Kosovës, ku pas pak pritet të fillojë seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Deputetët e zgjedhur të Listës Serbe janë futur në sallë të prirë nga kryetari i parisë, Zlatan Elek. Në këtë seancë duhet që deputetët të bëjnë betimin dhe të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët. Ofertë për ministre? – Balje e konfirmon, thotë “PO” Duda Balje e ka konfirmuar se ka marrë një ofertë për ministre nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti. Teksa mbërriti për seancën konstitutive të Kuvendit e cila pritet të nisë pas pak, ajo tha: “Po, oferta po. Duhet me folë edhe pak”. Rashiq konfirmon votën për Qeverinë Kurti Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, deklaroi se beson që do të jetë sërish ministër në qeverinë Kurti, nëse ajo votohet. Para hyrjes në Kuvend, ai u shpreh se sot do të votojë për Qeverinë Kurti, pasi siç tha, konsideron që është një përfaqësim më adekuat në këtë moment, dhe që partia më e madhe shqiptare në Kosovë mund të udhëheqë qoftë në aspektin e Kuvendit, e po ashtu në aspektin qeveritar. Rashiq në Qeverinë Kurti 2 ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim. Deputetët e PDK-së hyjnë në sallën e Kuvendit Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë hyrë tashmë në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku do të mbahet seanca konstituive. Ata fillimisht janë nënshkruar në listën e pjesëmarrësve, njofton Klankosova.tv. Ende nuk ka nisur seanca konstituive e Kuvendit. Kjo seancë ishte paraparë të nis nga ora 10:00./ Klankosova.tv Arrijnë në sallën e Kuvendit edhe deputetët e LDK-së Në sallën e Kuvendit të Kosovës sapo kanë arritur edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Seanca ende nuk ka filluar ndonëse është paralajmëruar për në orën 10:00, njofton Klankosova.tv. Qeverinë apo kryeparlamentarin? Veton Berisha deklaron mbështetjen për Vetëvendosjen Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës ka deklaruar se do të mbështesë secilin kandidat që do ta propozojë Vetëvendosja për kryeparlamentar. Berisha është pyetur edhe për krijimin e Qeverisë, me ç’rast ka thënë se ende nuk ka marrëveshje lidhur me mbështetjen që mund t’i japin. “Ne jemi për të ndërtuar institucionet e Kosovës, pastaj shohim se si do të veprojmë”. Limaj s’përgjigjet nëse ka pasur takim me Kurtin Para pak minutash, në Kuvend arriti edhe kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Ai nuk iu përgjigj pyetjes nëse ka pasur një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, njofton Klankosova.tv. “Sot është ditë solemne, shpresoj të konstituohet parlamenti”, tha Limaj para gazetarëve i cili dukej goxha në disponim. Haradinaj: Në princip jemi pro konstituimit të Kuvendit Para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, u deklarua para gazetarëve. Haradinaj tha se deputetët e AAK-së nuk bëhen pengesë në votimin e kryetarit të Kuvendit. Ai tha se janë pro konstituimit të Kuvendit. “Nëse shumica i ka votat dhe votohet kryetari i Kuvendit. Ne dje kemi deklaruar në princip ne kemi qenë dhe jemi për t’u konstituar kuvendi, mirëpo do të marrim qëndrim të përbashkët me opozitën”, deklaroi ai. Gjithçka gati për seancën konstituive Gjithçka është bërë gati në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës për seancën konstituive, e cila është paralajmëruar të fillojë në ora 10:00. Dokumenti i betimit është vendosur në vendet ku ulen deputetet. Me këtë seancë shënohet dhe hapi i parë drejt themelimit të legjislaturës së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. A do ta votojë LDK-ja kryeparlamentarin? – Deklarohet Haziri Pak para fillimit të seancës konstituive, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, është deklaruar për Klan Kosova. Në pyetjen se a do ta votojë LDK-ja, kryeparlamentarin, ai tha: “Nuk ka situatë të tillë ku do të garantohet bllanko vota për gjithçka. Është pjesë e proceseve politike. Qeveria është krejt e ndarë nga kuvendi”. Tutje, Haziri tha se i takon partisë së parë të dalë me propozimin për kryetar. “E kemi tash e një kohë të konfirmuar, te konstatuar dhe po presim që sot me u zbatu rezultati zgjedhor. Është në përgjithësinë e plotë të partisë së parë e cila sot me dalë me bë propozimin dhe partia jonë dhe partitë e tjera me i bë propozimet”, u shpreh Haziri, njofton Klankosova.tv. Behrami: Qëndrimet e PDK-së janë të ditura, nuk votojmë një kryeparlamentar nga VV-ja Sot me fillim nga ora 10:00, do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Gjatë hyrjes në Kuvend Artan Behrami nga rradhët e PDK-së, konfirmoi edhe njëherë qëndrimet e partisë që përfaqëson. Ai theksoi se PDK-ja nuk e voton sot një kryeparalamentar nëse është nga Vetëvendosje, njofton Klankosova.tv. “Gjithçka gati për të bërë betimin, por qëndrimet e PDK-së janë të ditura të njohur dhe të komunikuara nga kryetari Memli Krasniqi”. Qëndrimi i PDK-së ka qenë që ne nuk e votojmë një kryeparalamnetar që vjen nga rradhët e Vetëvendosjes dhe ky mbetet qëndrimi jonë”, tha Behrami në një prononcim për Klan Kosova. Para seancë konstituive, Limaj mbledh partinë Nga ora 10:00 pritet të nisë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Para nisjes së seancës, kryetari i Nismas Socialdemokrate Fatmir Limaj, e ka mbledhur partinë. Sipas informacioneve që ka Klan Kosova, takimi ka nisur në ora 08:50. Mediat nuk lejohen të hyjnë në Kuvend deri në orën 09:30 Sot me fillim nga ora 10:00, do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Natyrisht, për ta përcjellur nga afër ka edhe interesim të mediave. Por, ekipet e gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve nuk janë lejuar të hyjnë brenda objektit të Kuvendit. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Kundërshtimi i komisionit, LDK ankohet në Kushtetuese, proteston në foltore (VIDEO) 04/07/2025
Kosova Rritet numri i zjarreve – Kosova përballet me sfidën me vetëm 800 zjarrfikës! (VIDEO) 04/07/2025