Tentime pambarim për konstituim, Kuvendi prek 40 dështime (VIDEO) NULL NULL 01.07.2025 10:56 01.07.2025 10:56 11:23 – Kuvendi prek 40 dështime – nuk bëhet Ka dështuar edhe seanca e 40-të në përpjekje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kjo seancë u mbajt para mbajtjes së takimit të paralajmëruar për këtë javë të presidentes Vjosa Osmani me liderë të partive, njofton Klankosova.tv 11:22 – Deliu-Kodra, Deharit: Respektojeni Kushtetutën Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar nga kryesuesi Avni Dehari, ta respektojë Kushtetutën. “Ktheju rendit të ditës dhe respektoje aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha deputetja, njofton Klankosova.tv. Ndërkohë, kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga regjia t’ia ndalin mikrofonin deputetes. 11:20 – Tentime pambarim për konstituim, nis seanca e 40-të Ka nisur seanca e 40-të në tentativë për ta bërë funksionale legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës. Seanca mbahet një ditë pas raportimeve se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i ftojë liderët e partive politike në takime në ditët në vijim. Kjo është konfirmuar për Klankosova.tv edhe nga Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes. “Presidentja pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata”, deklaroi ai për Klankosova.tv. 11:17 – Edhe Veton Berisha i përgjigjet pozitivisht ftesës së presidentes Deputeti nga komuniteti egjiptian Veton Berisha, ka deklaruar se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së presidentes Vjosa Osmani, me liderët e partive politike parlamentare në vend. Berisha tha se pas vendimi të Kushtetueses duhet të ketë reflektim nga të gjithë. “Ka thënë se duhet të kemi kompromis, duhet të kemi konsensus. Konsensusin siç po shihet nuk e kemi. E kemi një afat ditor dhe pas këtij afati duhet të dimë se çfarë duhet të bëjmë, deklaroi Berisha. “Kryeministri duhet të bëj kompromis. Është në detyrën e tij”, theksoi ai 11:17 – Kadrijaj: Me qasjen që ka Kurti, kjo bllokadë nuk do përfundojë Deputetja e betuar e AAK-së, Time Kadrijaj, ka deklaruar se qasja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është duke e thelluar krizën politike dhe nuk do ta çojë vendin drejt zgjidhjes. Para nisjes së seancës së 40-të konstituive të Kuvendit, ajo theksoi se partia e saj ka qenë e gatshme të ndihmojë në zhbllokimin e situatës, njofton Klankosova.tv. “Nuk do përfundojë fare me këtë qasje që ka z. Kurti. Ne e kemi pasur një takim dhe kemi qëndruar në takim dy orë. I kemi ofruar si parti alternativat tona për zhbllokim të situatës, duke ofruar votat pa asgjë, vetëm që të zhbllokohet kjo situatë dhe të vazhdojmë”, tha Kadrijaj. Kuvendi i testeve, i nxehti i korrikut e zë jofunksional Korriku tashmë ka hyrë, por fillimi i këtij muaji e zë Kuvendin e Kosovës pa shef e nënkryetarë. Me temperaturat mbi 30 gradë Celzius që vijnë bashkë me këtë muaj vere, deputetët e betuar sot për të 40-tën herë do të tentojnë ta konstituojnë legjislaturën e nëntë. Vazhdimi i seancës mbahet nga ora 11:00, njofton Klankosova.tv. Në seancën e kaluar, pati një debat më të ashpër mes kryesuesit Avni Dehari, dhe tri deputeteve të ish-opozitës. Kryesuesi Dehari kërkoi nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë (PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma), që ta bëjnë këtë. Lidhur me këtë pati mospajtime nga deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, përkatësisht Vlora Çitaku, Hykmete Bajrami dhe Time Kadriaj. Kryesuesi i seancës, rikujtoi se në seancën konstituive nuk lejohet debati. Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim. Me 53 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk pati kuorum për vendimmarrje. 11:00 – Kurti në Shkup, Lushtaku: Së pari punët e shtëpisë – s’është i interesuar për konstituim Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku e ka kritikuar kryetarin e VV-së, Albin Kurtin për shkuarjen në Shkup, pasi sipas tij, së pari duhet të kryhen punët e shtëpisë. Para mediave, ai tha se kryeministri në detyrë nuk është i interesuar t’i zgjidh problemet e qytetarëve e as për ta konstituuar kuvendin, njofton Klankosova.tv. “Prej fillimit, sidomos pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetues, ka treguar joseriozitet. Mungesa e tij si deputet në kuvend por edhe si kryetar i kësaj partie tregon që do të bëjë gjithçka, do të shkel çdo ligj dhe kushtetutë vetëm e vetëm të mbajë pushtetin”. “Nuk është i interesuar për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, siç nuk është i interesuar as për hallet e tyre të cilat po rriten. Së pari duhet të jenë prioritet punët e shtëpisë, pastaj të ketë diskutime për punë të shtëpisë në një forum tjetër, nuk i ka zgjidh punët e shtëpisë në Kosovë e që është për keqardhje”, u shpreh Lushtaku. 10:54 – Zemaj thotë se Kurti mund ta keqpërdorë edhe ftesën e presidentes për takim Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike, ka shprehur akuza drejt kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, për keqpërdorim të takimeve me liderë. Zemaj u shpreh se Albin Kurti, ngjashëm do veprojë edhe me takimin e ftuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, transmeton klankosova.tv. ”Takimi i ftuar ka qenë sa për sy e faqe, ndaj kështu edhe mund të keqpërdoret nga i pari edhe në takimet me presidenten e vendit”. ”Nëse ata kanë vota tinëzare të deputetëve serbë, edhe ata mund ta thonë haptaz dhe të përballen me elektoratin dhe të kaluarën e tyre”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.