LIVE| Kosova bëhet me qeveri të re NULL NULL 11.02.2026 16:42 11.02.2026 16:42 Votohet Qeveria “Kurti 3” Kuvendi i Kosovës ka votuar sonte për formimin e Qeverisë së re, të udhëhequr nga Albin Kurti, duke shënuar nisjen e mandatit të ri qeverisës, i njohur si “Kurti 3”. Seanca e jashtëzakonshme u mbajt në orët e mbrëmjes, ku pas procedurave parlamentare dhe votimit të përbërjes së kabinetit qeveritar, ekzekutivi i ri mori mbështetjen e shumicës së deputetëve të legjislaturës së dhjetë. 66 prej tyre votuan për, 49 votuan kundër, dhe nuk pati asnjë abstenim, raporton Klankosova.tv. Albin Kurti prezanton emrat e Qeverisë së re Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka prezantuar kabinetin qeveritar, që duhet të sigurojë të paktën 61 vota nga 120 për të kaluar, raporton Klankosova.tv Këta janë të gjithë emrat e propozuar: Albin Kurti propozon kabinetin qeveritar Kurti prezanton ekspozenë e tij për mandatin e ardhshëm Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, i mandatuari për formimin e qeverisë së re, Albin Kurti, ka nisur prezantimin e ekspozesë për mandatin e ardhshëm qeverisës para deputetëve të legjislaturës së 10-të. Aty, ai foli fillimisht për gjykimin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Më tutje, Kurti foli edhe për rritjen ekonomike të vendit gjatë qeverisjes së tij, por edhe për aspekte tjera. 21:34 – “Kosova është më e sigurt se kurrë, do t’i forcojmë aleancat” Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon fjalimin e tij para deputetëve, ku ka folur edhe për aleatët dhe sigurinë e vendit. Ai tha se aleancat nuk do të lëkunden, por veç do të forcohen në katër vitet e ardhshme, raporton Klankosova.tv “Kosova është më demokratike dhe më e sigurt se kurrë më parë, Kosova është rreshtuar në anën e paqes, të drejtësisë, dhe të aleatëve të saj demokratikë. Aleanca jonë me BE-në dhe ShBA-në dhe vendet mike, nuk do të lëkundet sepse ky bashkëpunim nuk është strategji, është vlerë. Në katër vitet e ardhshme do t’i forcojmë aleancat”. 21:28 – Kurti: Jemi vendi me shkallën më të ulët të inflacionit në rajon, pas Shqipërisë Mandatari për formimin e qeverisë së re, Albin Kurti, në ekspozenë e tij para deputetëve të legjislaturës së 10-të, ka folur për të arriturat që, sipas tij, janë bërë gjatë mandatit të tij të fundit qeverisë në aspektin ekonomik. “Në gati 5 vitet e fundit, nga të cilat pothuajse 1 vit si qeveri në detyrë, pa kompetenca të plota, kemi ndërtuar dhe zhvilluar një Kosovë më të drejtë, më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse. Kemi një rritje mesatare reale prej 6 për qind të bruto produktit vendor. Bruto Produkti Vendor, kur e morëm qeverinë ishte 7 miliardë euro, ndërsa tash ka arritur në 11 miliardë euro. Projektojmë që sivjet të arrijë në 12 miliardë euro”, deklaroi mes tjerash Kurti. Për inflacionin, ai tha se qeveria ka arritur ta menaxhojë me politika mbështetëse për qytetarin, dhe “jemi vendi me shkallën më të ulët të inflacionit në rajon, pas Shqipërisë”. Kurti foli edhe për rritje të numrit të të punësuarve, sikurse edhe për ngritjen e të ardhurave. Rritja tha ai do të vazhdojë edhe në mandatin e ri, “duke e ngritur pagën mesatare në sektorin publik në mbi 1000 euro në muaj”. Ai foli edhe për shtesat për fëmijë, duke thënë se ato janë aktualisht 30-45 euro për çdo fëmijë, ndërsa tha se në mandatin e ri do të dyfishohen ato. “Me këtë rritje do të lëmë prapa edhe disa shtete të BE-së sa u përket shtesave për fëmijë”, deklaroi Kurti. 21:28 – Kurti: Faleminderit që votuat LVV dhe ndihmuat në shënimin e një rekordi historik Mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti, në fjalën e tij në Kuvend, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe angazhimin e treguar në këtë proces demokratik. Ai theksoi se falë tyre kanë shënuar dhe një rekord të ri historik, raporton Klankosova.tv. “Të dashur qytetarë, lejoni që së pari t’ju falenderoj juve, ata që votuat Lëvizjen Vetëvendosje dhe ndihmuat në shënimin e një rekordi historik. Ky rezultat është i rëndësishëm, por dua gjithashtu të falënderoj të gjithë ata që votuan partitë e tjera. Pjesëmarrja e lartë në zgjedhje dhe shprehja e vullnetit të lirë janë dëshmi e angazhimit të lartë qytetar për forcimin e demokracisë dhe procesit zgjedhor”, ka thënë ndër tjerash Kurti. /Klankosova.tv 21:22 – Kurti e nis fjalën me gjyqin në Hagë: Kërkesa për 45 vjet burg bie ndesh me të vërtetën e luftës tonë Mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti, ka nisur fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, ku fillimisht ka përmendur gjykimin ndaj katërshes së UÇK-së në Hagë, raporton Klan Kosova. Kurti tha se kërkesa e Prokurorisë së Specializuar bie ndesh me të vërtetën e luftës çlirimtare. “Këto dy seanca po i mbajmë pasdite, sepse këto ditë po zhvillohen seancat e fundit të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thachit, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Kërkesa e Prokurorisë për nga 45 vjet burg për secilin është orvatje që bie ndesh me të vërtetën dhe mohon kontekstin historike politik luftës sonë çlirimtare. Qëndrimi i Qeverisë në Kosovë është i qartë, në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit ndaj popullatës civile, që i ka kryer regjimi i Millosheviqit.” – tha Kurti. /Klankosova.tv Haxhiu fton Kurtin të paraqesë përbërjen e qeverisë Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në hapje të seancës për votimin e qeverisë, ftoi mandatarin Albin Kurti që të prezantojë përbërjen e kabinetit të qeverisë së re. “Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani Sadriu, në mbështetje në nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës, me dekretin nr 18-2026, datë 11 shkurt, 2026, Kuvendit të Republikës së Kosovës ia ka propozuar zotin Albin Kurti, kandidat për kryeministër për të formuar qeverinë e Republikës së Kosovës”. “Prandaj, ftoj kandidatin e propozuar për kryeministër të Republikës së Kosovës, zotin Albin Kurti, që para deputetëve të Kuvendit ta paraqet përbërjen e qeverisë për miratim, si dhe ekspozenë e tij për mandatin e ardhshëm qeverisës”, tha Haxhiu. 21:09 – Mblidhen deputetët për seancën e Qeverisë Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur të mblidhen në sallën plenare. Kjo po bëhet me qëllim të votimit për Qeverinë e re. Kuvendi i Kosovës është konstituuar me zgjedhjen e kryetares dhe pesë nënkryetarëve. Seanca për formimin e Qeverisë edhe pse u paralajmërua për në orën 19:00, pritet të mbahet rreth orës 21:00. Klan Kosova mëson se deputetët brenda gjysmë ore pritet të mblidhen në sallën e Kuvendit, për të votuar kabinetin që do të prezantohet nga kryetari i VV-së, Albin Kurti, i cili tashmë është mandatuar kryeministër. Paraprakisht, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se në përputhje me Kushtetutën, ka caktuar Kurtin si mandatar për formimin e Qeverisë së re. Osmani i ka uruar atij suksese në udhëheqjen e qeverisë së re dhe punë në shërbim të qytetarëve të Kosovës. /Klankosova.tv Albin Kurti – propozohet mandatar për formimin e Qeverisë Lëvizja Vetëvendosje e ka dorëzuar në Presidencë emrin e Albin Kurtit për mandatar për formimin e qeverisë, raporton Klankosova.tv Arbërie Nagavci nga kjo parti njoftoi, duke publikuar letrën që e çuan te Presidentja Vjosa Osmani. “E nderuar që, në cilësinë time si Kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, t’i dorëzoj Presidentes së Republikës së Kosovës propozimin për caktimin e z. Albin Kurti si Mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Bazuar në vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, vazhdojmë me përgjegjësi institucionale drejt formimit të qeverisë së re. Faleminderit qytetarëve për besimin! Qeveria Kurti 3″ – shkroi Nagavci. /Klankosova.tv 18:31 – Sonte seanca për formimin e Qeverisë Seanca për formimin e Qeverisë mbahet sonte, raporton Klankosova.tv Nga ora 19:00, deputetët do të mblidhen sërish, për votimin e kabinetit qeveritar që do të prezantohet nga LVV. 18:28 – Votohen nënkryetarët e Kuvendit Kryeparlamentarja e re e Kosovës, Albulena Haxhiu, pas fjalimit të saj pasi mori këtë pozitë, prezantoi pikën e katërt të rendit të ditës, që është zgjedhja e pesë nënkryetarëve. Ajo sqaroi se votimi i pesë nënkryetarëve do të bëhet në pako, siç është dakorduar në takimin e djeshëm të partive politike me tashmë ish-kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha. Hekuran Murati propozoi Ardian Golën për nënkryetar nga LVV. Blerta Deliu-Kodra e PDK-së, propozoi Vlora Çitakun. Nga LDK-ja, Besian Mustafa e propozoi Kujtim Shalën. Lista Serbe, përmes deputetit Igor Simiq, propozoi Sllavko Simiqin. Elbert Krasniqi propozoi Emilija Rexhepin. Në votim morën pjesë 115 deputetë, nga të cilët 104 votuan për, 3 kundër dhe 6 abstenuan. “Me zgjedhjen e nënkryetarëve, Kuvendi konsiderohet i konstituuar”, tha Haxhiu. 18:28 – Haxhiu: Presim kthimin e ish-krerëve të UÇK-së pranë familjeve të tyre Pas zgjedhjes së saj si Kryetare e Kuvendit të Kosovës me 66 vota pro, Albulena Haxhiu ka mbajtur një fjalim ku falënderoi deputetët dhe shprehu angazhimin e saj për të udhëhequr Kuvendin me përkushtim dhe transparencë. Ajo po ashtu ka folur për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në Hagë, dhe ka thënë se pret kthimin e tyre në vend dhe pranë familjeve të tyre, raporton Klankosova.tv. “Historia e popullit tonë është e qartë dhe e drejtë. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë e drejtë për çlirim. Dihet kush ka qenë agresori, dihet kush ka kryer krime në vendin tonë. Ato krime janë të regjistruara dhe të dëshmuara nga bota e gjerë. Ato janë kryer nga Serbia, e cila asnjëherë nuk u përball me drejtësinë në mënyrë serioze. Përkundrazi, kriminelët e luftës u ricikluan në pushtet dhe u amnistuan. Ne presim që ish-krerët e UÇK-së të kthehen sa më shpejt në vend dhe tek familjet e tyre, dhe që këto orvatje të Prokurorisë të marrin fund sa më parë. Për këtë duhet të jemi të bashkuar”, tha Haxhiu. /Klankosova.tv 18:21 – Haxhiu: Me peshë kushtetuese dhe vullnetin e qytetarëve, do ta nderoj detyrën si Kryetare e Kuvendit Pas zgjedhjes së saj si Kryetare e Kuvendit të Kosovës me 66 vota pro, Albulena Haxhiu ka mbajtur një fjalim ku falënderoi deputetët dhe shprehu angazhimin e saj për të udhëhequr Kuvendin me përkushtim dhe transparencë. “Më lejoni që së pari të ju falënderoj për besimin e dhënë për udhëheqjen e legjislaturës së 7-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sot e marr këtë detyrë me vetëdije të plotë për peshen kushtetuese që ajo bart, dhe me respekt të thellë për vullnetin e qytetarëve që na kanë sjellë këtu. Këtë besim do ta nderojmë me punë të përditshme, me transparencë dhe po ashtu me përkushtim të plotë. Të qenit në krye të Kuvendit do të thotë të shërbesh Republikës, rendit demokratik dhe ebsimit publik. Kuvendi është shtëpia politike e të gjithë qytetarëve tanë, atyre që janë me ne, dhe atyre që mendojnë ndryshe, sepse shteti u shërben të gjithëve”, tha Haxhiu, raporton Klankosova.tv. Ajo theksoi se detyra e saj do të jetë të sigurojë që Kuvendi të funksionojë me dinjitet, transparencë dhe respekt të ndërsjellë, duke vepruar gjithmonë në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe praktikat më të mira parlamentare. “Do të sigurohem që secili prej jush të gjejë hapësirë këtu me dinjitet dhe respekt, sepse një Kuvend funksional është parakusht për një shtet të fortë dhe demokraci të qëndrueshme”, tha Haxhiu. /Klankosova.tv 18:13 – Albulena Haxhiu më në fund e zë karrigen e kryeparlamentarit Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka votuar për Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit. Me 66 vota për, Haxhiu kaloi, pasi partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje e propozoi për kryeparlamentare. Kujtojmë se dje u tha se për zgjedhjen e kryetarit ka konsensus mes partive politike, që u dakorduan po ashtu që të pesë nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës të votohen në pako. /Klankosova.tv 17:39 – Formohet komisioni për verifikim të mandateve Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka prezantuar pikën e parë të rendit të ditës, që ka të bëjë me formimin e komisionit për verifikimin e mandateve. Nga partitë u propozuan këta emra: Adnan Rrustemi nga LVV, Përparim Gruda nga PDK, Armend Zemaj nga LDK, Sërgjan Popoviq nga Lista Serbe dhe Albana Bytyqi nga AAK. Edhe partitë tjera të pakicave jo-serbe propozuan emrat për formimin e komisionit për verifikim të mandateve. Nga 118 deputetë në sallë, të gjithë votuan pro. Kryesuesi Dehari tha se komisionit do t’i duhen rreth 15 minuta kohë. /Klankosova.tv Zemaj (LDK): Pa marrëveshje politike ne nuk votojmë asnjë kandidat Para nisjes së seancës konstituive, Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk do të votojë për asnjë kandidat të propozuar për postin e Kryetarit të Kuvendit pa një marrëveshje politike paraprake. “Ne kemi deklaruar gjithmonë se bllokadën që e kishim fatkeqësisht për një vit të kaluar, dhe gjithçka që kemi vendosur në pjesën përmbajtësore politike, është se pa marrëveshje politike ne nuk votojmë asnjë kandidat”, tha Zemaj./Klankosova.tv Kurti: Po synojmë të jemi të suksesshëm në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, para hyrjes në Kuvend, është deklaruar shkurt. “Po synojmë të jemi të suksesshëm në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë” – tha ai para gazetarëve. Ndërkohë, seanca akoma nuk ka filluar edhe pse ishte planifikuar në 17:00. /Klankosova.tv Rashiq: Besoj që do të jem i propozuar për ministër Nenad Rashiq, deputet i zgjedhur nga komuniteti serb, ka paralajmëruar se do të jetë ministër për Komunitete dhe Kthim. Në një prononcim për mediat para se të hynte në sallën e Kuvendit për seancën konstituive, ai tha se beson që propozimi i Kurtit do të jetë me emrin e tij në të për ministër, raporton Klankosova.tv. “Ende nuk kemi dëgjuar ekspozenë e kryeministrit, por sikur dy herë më parë, kam qenë i propozuar për ministër për Komunitete dhe Kthim, dhe besoj që do të mbetet propozimi i njëjtë”, u shpreh Rashiq. Ai tha se do të votojë pro kandidaturës së Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit. Rashiq tha se vendimi Kushtetueses duhet të respektohet, për sa i përket çështjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Ramush Haradinaj me deputetët e vet arrijnë në Kuvend Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, bashkë me deputetët e zgjedhur të kësaj partie, kanq arritur në Kuvend. Ata tashmë janë futur në sallë, por paraprakisht s’janë deklaruar për media. Seanca konstitutive e Kuvendit të Republikës së Kosovës u planifikua fillimisht për në orën 12:00, e më pas është shtyrë për në 17:00, raporton Klankosova.tv Këto zhvillime, Klan Kosova do t’i ndjekë direkt në një Speciale, kurse informacionet më të fundit mund t’i gjeni edhe në Klankosova.tv PDK nesër në Kuvend kërkon miratimin e Rezolutës për Procesin në Hagë Partia Demokratike e Kosovës në seancën e parë të punës në Kuvendin e Kosovës, pra nesër, do të kërkojë që të miratohet Rezoluta për Procesin në Hagë. Këtë e ka bërë të ditur nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku e cila fillimisht falënderoi të gjitha subjektet politike të cilat dje në solidarizim me luftëtarët që po gjykohen në Hagë, shtynë seancën për në orën 17:00. “Ka momente kur politika hesht, dhe historia flet. Ky ka qenë një nga ato momentet. Në seancën e parë të punës bashkë me marrëveshjet ndërkombëtare do të kërkojmë që të miratohet Rezoluta e përgatitur nga ekspertë të pavarur për procesin në Hagë”, tha Çitaku, njofton Klankosova.tv. Përmes kësaj rezolute kërkohet që Dhomat e Specializuara të Hagës, ta kthejnë procesin në binar të standardeve evropiane për gjykim të drejtë dhe të paanshëm./Klankosova.tv 16:42 – Seanca konstituive – zgjedhja e kryeparlamentarit Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur me 30 minuta vonesë dhe po drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari (LVV). Fillimisht formohet Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, më pas betimi i deputetëve, e pas këtyre procedurave zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve. Këto zhvillime, televizioni KLAN KOSOVA do t’i ndjekë direkt në një Speciale, kurse informacionet më të fundit mund t’i gjeni edhe në Klankosova.tv.