Alarmi për bombë në Kuvend doli i rrejshëm, deputetët mblidhen në mbrëmje (VIDEO) NULL NULL 05.07.2025 12:07 05.07.2025 12:07 Paraditen e së shtunës, Kuvendi i Kosovës u kërcënua përmes një mesazhi se në objektin e tij ndodhet një mjet shpërthyes. Për Klankosova.tv, detaje shtesë ka dhënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani. “Sot, me datë 05.07.2025 në orët e paradites, është pranuar një informatë (me sms), për një kërcënim me mjet shpërthyes në objektin shtetëror të RKS-së. Me të pranuar informatën, janë angazhuar njësitë kompetente policore, të cilat fillimisht kanë bërë perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar personat nga objektet”, tha Kelani për Klankosova.tv. Policia e Kosovës, ka njoftuar prokurorinë kompetente dhe hetuesit policorë të cilët së bashku me njësitë dhe ekspertët përkatës për deminim, janë duke marrë veprimet e duhura të kontrollit në objekt. 14:27 – Alarmi për bombë në Kuvend rezulton i rrejshëm Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi ka bërë të ditur se alarmi për bombë në Kuvendin e Kosovës ka rezultuar të jetë i rrejshëm. Ai ka thënë se në lidhje me këtë është pranuar një thirrje telefonike, ku një person ka folur me aksent siç është shprehur ai “nga shtetet jo mike”, përcjell Klankosova.tv. “Të gjitha njësitë policore kanë dalur në vendin e ngjarjes, duke përfshirë edhe Prokurorinë Themelore të Prishtinës. Në vendin e ngjarjes janë edhe njësitë përkatëse të K9 dhe për deminim, të cilët kanë bërë punën e vet dhe ka rezultuar që kërcënimi ka qenë i rrejshëm dhe deri më tani nuk ka diçka që ia vlen të ceket sa i përketë rezultateve nga vendi i ngjarjes”. “Patjetër se hetimet do të vazhdojmë sa i përketë prejardhjes së kërcënimit apo më mirë të themi thirrjes telefonike të bërë nga një person anonim i cili ka qenë me zë mashkulli, në gjuhën angleze me një aksent që ne menojmë që është i shteteve jo mike, për momentin janë të gjithë këto informacione”, është shprehur ai. 12:54 – Kryeprokurori Gashi shkon në Kuvend pas kërcënimit me bombë Pak para seancës së 42-të konstituive, Kuvendi i Kosovës u kërcënua me bombë. Sipas sekretarit të Kuvendit, Arben Loshi, dikush ka thirrur në gjuhën angleze dhe ka thënë se një bombë do të shpërthejë për 10 minuta në Kuvend, transmeton Klankosova.tv. Lidhur me rastin, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi. 12:47 – Alarmi për bombë, Ibishi: Durimi i qytetarëve ka humbur, anarkistët të mbledhin mend Pak para nisjes së seancës së 42-të konstituive, deputetët e zgjedhur të Kuvendit u evakuuan nga ky institucion, pas një alarmi për bombë në objektin e parlamentit. Lidhur me këtë, në “Speciale” të Klan Kosova ka folur eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi. Ai thotë se durimi i njerëzve ka humbur, transmeton Klankosova.tv. “Policia ndërmerr masat parandaluese në kuptim të izolimit të vendit dhe evakuimit të qytetarëve nga vendi që supozohet të ketë mjete të rrezikshme, apo ka rrezik për vendosjen e tyre. Ardhja e ekipit të specializuar për deminim të mjeteve që janë paralajmëruar si rrezik, atyre iu duhet më shumë kohë për shkak të kompleksivitetit tonë të krijimit të ekipit”. “Kritika ime është ndaj deputetëve të Kuvendi të Kosovës. Çdo kërcënim është për t’u gjykuar pa marr parasysh, po realiteti është se ka humbur durimi i qytetarëve, dhe e gjithë kjo bëhet nga një grup anarkist i deputetëve, por ky veprim i papërgjegjshëm, sidomos pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, të lojërave të mëtejme me këto seanca të 42-tat me radhë, tregon që ka jo vetëm shkelje administrative, por ka edhe vepër penale të cenimit të Kushtetutës, dhe dënimi është i paraparë deri në 6 vjet. Këta deputetë të papërgjegjshëm nuk do të kenë imunitet”, tha Ibishi. “Prandaj mendoj që durimi i qytetarëve ka humbur, jam kundër këtyre kërcënimeve, por reagimet si e Arianit Kocit, dhe të tjerëve është se këta anarkistë duhet të mbledhin mend dhe të kryejnë detyrat e veta”. 12:41 – Loshi: Dikush ka thirrur dhe në anglisht ka thënë se një bombë do të shpërthejë për 10 minuta në Kuvend Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Arben Loshi ka dhënë detaje në lidhje me alarmin për bombë në Kuvendit e Kosovës, duke treguar se u është kërkuar që të qëndrojnë 50 metra larg objektit. Ai u shpreh se dikush ka thirrur dhe në gjuhën angleze ka thënë se një bombë do të shpërthejë për 10 minuta në Kuvend, përcjell Klankosova.tv. “Policia, njësitet e veçanta janë duke bërë veprimet e tyre policore, ne mbetemi që të qëndrojmë jashtë ndërtesës së Kuvendit, së paku 50 metra largësi, sipas rekomandimeve policore”. “Njoftimin neve si administratë na ka dhënë policia për t’i liruar hapësirat, ndërsa njoftimet e tjera policia i ka, ne nuk i kemi të dhënat”. “Sipas njoftimit që është dhënë policia, ku është kërkuar evakuimi i menjëhershëm për shkak se në gjuhën angleze një person ka thirrur dhe ka thënë se një bombë është vendosur në Kuvendin e Kosovës dhe e njëjta do të shpërthejë në interval kohor pas 10 minutash”, është shprehur ai. 12:31 – Kuvendi vazhdon punimet në orën 20:00 Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë punimet sonte në orën 20:00. Seanca e mbrëmjes mbahet pas kërcënimit me mjet të dyshimitë që e ndërpreu atë që ishte paralajmëruar për në orën 11:00, njofton Klankosova.tv 12:24 – Bahtiri pas alarmit për bombë: Në mbrëmje do të jetë seanca Deputeti i betuar, Agim Bahtiri ka folur pas kërcënimit për bombë në Kuvendin e Kosovës. Në lidhje me seancën, ai është shprehur se ajo do të vazhdojë në mbrëmje. “Në mbrëmje do të jetë seanca”, është shprehur Bahtiri. 12:20 – Murati pyetet se a po frikësohet…nuk bën zë Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, është pyetur rreth situatës në Kuvend. Sot deputetët e betuar u desh ta lirojnë objektin e Kuvendit pas alarmit për një mjet të dyshimtë. Ai tha se nuk e di se sa do të zgjasë kjo procedurë në mënyrë që deputetët të kthehen në parlament. I pyetur nëse po ndihej i frikësuar, Murati refuzoi të përgjigjej. 12:19 – Elezi për kërcënimin me bombë në Kuvend: Referuar aktiviteteve të policisë, duket të jetë serioze Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi në një lidhje direkte për Klan Kosovën foli në lidhje me kërcënimin me bombë në Kuvendin e Kosovës. Ai u shpreh se referuar në aktivitetet operacionale të policisë, kanosja duket të jetë serioze, përcjell Klankosova.tv. “Referuar apo mbështetur në aktivitetet operacionale të Policisë së Kosovës, kanosja duket të jetë serioze, për arsye se nëse do të kishim një informacion i cili nuk do të përmbante elemente për dyshimin e bazuar, nuk do të kishim një aktivitet të tillë të policisë”, u shpreh ai. 12:05 – Policia vazhdon kontrollet përreth parlamentit pas kërcënimit me mjet të dyshimtë Policia e Kosovës po vazhdon kontrollet përreth objektit të Kuvendit të Kosovës. Këto zhvillime erdhën pas alarmit për mjet të dyshimtë në këtë objekt që rezultoi me kërkesën ndaj deputetëve dhe mediave për ta liruar Kuvendin e Kosovës, njofton Klankosova.tv. Ende nuk janë dhënë detaje zyrtaret rreth mjetit të dyshimtë, pos një konfirmimi që erdhi nga Kuvendi. “Policia e Kosovës ka njoftuar për një kërcënim me bombë brenda objektit të Kuvendit dhe ka kërkuar prej të gjithëve, deputetëve dhe personelit, që të largohen nga objekti. Për më shumë ju njofton Policia.” Forcat speciale të Policisë së Kosovës ndodhen në afërsi të Kuvendit dhe objektit të Qeverisë, ku po ofrojnë siguri”, thanë nga parlamenti në një përgjigje për Klankosova.tv. 11:50 – Alarmi për bombë pamundëson seancën e 42-të, Zogaj: Besoj që do e vazhdojmë pas disa orëve Deputeti i betuar i LDK-së, Alban Zogaj është prononcuar para medieve pas alarmit për bombë në Kuvendin e Kosovës. Si shkak i këtij kërcënimi, seanca e 42-të konstituive nuk u mbajt, derisa Zogaj shton se beson që pas disa orëve do vazhdojë kjo seancë, pas procedurave të kryera nga institucionet e sigurisë, transmeton Klankosova.tv. “Krejt çka na është thënë dhe urdhëruar është që ta lirojmë objektin e Kuvendit, por besoj dhe shpresoj që do të ketë procedura të kërkimit tash, dhe pastaj na fton kryesuesi në seancë, ne po presim,jemi këtu. Pas disa orëve besoj se prapë vazhdojmë me seancën”, tha Zogaj. 11:45 – Kërcënimi në Kuvend, Abdixhiku: Nuk e besoj Pasi Kuvendi i Kosovës u njoftua për një kërcënim me bombë brenda objektit të tij, pak para nisjes së seancës së 42-të konstituive, deputetëve të zgjedhur iu kërkua të largoheshin nga ambientet e brendshme të institucionit. Lidhur me këtë, është deklaruar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdxhiku, transmeton klankosova.tv. Ai tha se nuk i beson këtij kërcënimi, duke shtuar se nuk e pa këtë si diçka serioze. 11:45 – Kuvendi e konfirmon alarmin për bombë brenda objektit Alarmi për mjetin e dyshimtë brenda objektit të Kuvendit të Kosovës ka detyruar Policinë t’i largojë nga salla deputetët dhe të gjithë punonjësit e tjerë, si dhe ekipet mediale. Nga Kuvendi tashmë kanë dhënë një përgjigje për Klankosova.tv, duke e konfirmuar rastin, por pa u lëshuar në detaje. “Policia e Kosovës ka njoftuar për një kërcënim me bombë brenda objektit të Kuvendit dhe ka kërkuar prej të gjithëve, deputetëve dhe personelit, që të largohen nga objekti. Për më shumë ju njofton Policia.” Forcat speciale të Policisë së Kosovës ndodhen në afërsi të Kuvendit dhe objektit të Qeverisë, ku po ofrojnë siguri./ Klankosova.tv 11:39 – Rritet numri i forcave policore që po e ruajnë Kuvendin e Kosovës Deputetëve u është kërkuar ta lirojnë Kuvendin pas kërcënimeve se ka një mjet të dyshimtë në objekt. Klankosova.tv jua sjell pamjet ekskluzive të policëve të numrit të shtuar të policëve pranë ndërtesës së Kuvendit. 11:37 – Detaje nga kërcënimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës (VIDEO) Gazetarja Qëndresa Tërshani ka dhënë detajet më të reja rreth kërcënimit të sotëm drejtuar deputetëve të Kuvendi të Kosovës, pak para nisjes së seancës së 42-të konstituive. “Ishte diçka komplet e papritur që ndodhi këtu në Kuvendin e Kosovës, disi ishim të përgatitur që edhe kjo seancë do të kryhet për pak minuta, por as nuk filloi për shkak të një kërcënimi ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ata dolën jashtë me urdhër të zyrtarëve policorë,po ashtu u larguan edhe të gjitha ekipet mediale që ishin në sallë dhe në hyrjet e Kuvendit”, u shpreh Tërshani, transmeton Klankosova.tv. Gazetarja thotë se sipas policisë, në Kuvend ndodhet diçka e dyshimtë, pasi kështu kishte shkuar një kërcënim tek zyrtarët e Kuvendit. Sakaq, forca të shtuara të Policisë së Kosovës kanë mbuluar territorin e Kuvendit të Kosovës si dhe të objektit të Qeverisë. 11:29 – Kërcënimi në Kuvend, Abrashi: Deputetët të ftoheshin të qëndronin në objektin e Qeverisë Seanca e 42-të konstituive nuk nisi fare. Kjo për shkak të dyshimit se janë kërcënuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, transmeton Klankosova.tv. Lidhur me këtë, analisti i politikave nga “Demokracia Plus”, Emir Abrashi në Klan Kosova tha se deputetët duhej të ftoheshin për të qëndruar në objektin e qeverisë. “Është jokorrekte. Nëse ka vërtetë një sulm, apo një kërcënim për një sulm ndaj objektit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, vetëm këto inate do të duhej të liheshin anash, të paktën të ftoheshin të gjithë deputetët të qëndronin në objektin e qeverisë, derisa të zgjidhej kjo çështje. “Në anën tjetër, ndoshta është jokorrekte të qëndrosh në objektin e qeverisë, pasi parlamenti dhe qeveria ndodhen në të njëjtin oborr”, tha ai. Ai shton se këtu sheh një dështim të hallkës së sigurisë. 11:26 – Kadrijaj: E pakuptimtë situata, s’ka njeri normal që e sulmon Kuvendin Deputetja e betuar e AAK-së, Time Kadrijaj, e ka quajtur të pakuptimtë situatën e evakuimit. “Nuk e di çka ka ndodh. Nuk e di kush e ka marrë këtë informacion. Besoj që është tepër e pakuptimtë kjo që po ndodh”, ka thënë Kadrijaj për mediat. “Nuk e besoj, ndoshta është ndonjë telefonatë e qëllimshme që me i largu deputetët nga Parlamenti se s’ka njeri normal që e sulmon institucionin e Kuvendit të Kosovës e që i sulmon deputetët”. “Ne po e respektojmë këtë vendim”, tha ajo, duke shtuar se do të kthehen sapo t’u thotë policia. 11:16 – Konjufca: Kërcënimi ka qenë i qartë Deputeti i betuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka folur rreth kërcënimit e raportuar sot në Kuvendin e Kosovës. “Kërcënimi ka qenë i qartë, policia po mendon ashtu, të gjitha grupet parlamentare po i binden këtij vendimi. Me sa di unë vetëm përmes telefonatës, tjerat nuk i kemi të qarta”, tha ai, njofton Klankosova.tv 11:15 – Policia kërkon largimin e deputetëve, Balje: S’besoj që ka me ndodh diçka, mundet me qenë “fake” Deputetja Duda Balje është deklaruar pas evakuimit të deputetëve nga Kuvendi i Kosovës, që dyshohet se lidhet me një kërcënim. “Na thanë me dalë sa më shpejt prej Kuvendit, asgjë më shumë, naj alarm naj sen. S’besoj që ka me ndodh diçka, mundet me kanë fejk”, u shpreh Duda Balje. 11:14 – Alarm për mjet të dyshimtë në Kuvend, deputetët dhe gazetarët lirojnë objektin Deputeti i betuar i Partisë Demokratike të Kosoves, Abelard Tahiri, ka thënë se u është kërkuar nga Policia që ta lirojnë Kuvendin e Kosovës, njofton Klankosova.tv “S’po dimë çka po ndodh realisht. Na kërkun me dalë. Policia mër shkak të masave të sigurisë duhet të evakuohet stafi”, ka thënë Tahiri për mediat. “Tash ka një kërcënim. Besoj se më tutje jep policia jep sqarime”. Sot ishte paraparë të mbahej vazhdimi i 42-të për konstituimin e Kuvendit. Kuvendi e konfirmon alarmin për bombë brenda objektit *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Osmani: Mbrojtja e të drejtave të pacientëve, indikator i rëndësishëm i funksionimit demokratik të shtetit 2 orë më parë