Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

LIVE| Zhvillimet më të fundit nga sulmi i Izraelit ndaj Iranit

NULL NULL
13.06.2025 03:37
Sulmi izraelit në Iran. Foto: AP

15:25 – Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet sot për Iranin

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të premten për të diskutuar situatën e fundit me sulmet e Izraelit mbi Iranin, kanë thënë diplomatët.

Takimi mbahet me kërkesën e Teheranit, raporton The Guardian, transmeton Klankosova.tv.


14: 20 – Trump: E paralajmërova Iranin 60 ditë më parë – sot është e 61-ta

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të premten se sulmi izraelit ndaj Iranit ka qenë “i shkëlqyer” dhe paralajmëroi se do të ketë shumë më tepër për të bërë.

Ai e tha këtë në një intervistë në ABC News, transmeton Klankosova.tv.

“Mendoj se ka qenë i shkëlqyer. U dhamë një shans dhe ata nuk e shfrytëzuan. U goditën rëndë, shumë rëndë. U goditën aq fort sa do të goditesh. Dhe do të ketë edhe më shumë për të bërë. Shumë më tepër”, u citua të thoshte Trump nga një gazetar i ABC në X.

Ndërkaq, në një bisedë të shkurtë telefonike me CNN, presidenti amerikan tha se e ka paralajmëruar Iranin për këtë sulm 60 ditë më parë, dhe shtoi se “sot është dita e 61-të”.

“Irani është dashur të më dëgjojë – e dini se u kam dhënë, nuk e di nëse e dini, por u kam dhënë paralajmërim 60-ditor, dhe sot është dita e 61-të”, tha Trumpi.

“Ne natyrisht se e përkrahim Izraelin, është e dukshme dhe e kemi përkrahur si askush më parë”, deklaroi presidenti amerikan në një bisedë të shkurtër telefonike me CNN-in.

“Ata tani duhet të ulen në tryezë për të bërë një marrëveshje para se të jetë tepër vonë. Do të jetë tepër vonë për ta. E dini që njerëzit me të cilët po merresha kanë vdekur, ata që janë të linjës së ashpër”, tha presidenti.

Ai nuk specifikoi se për cilët njerëz po i referohej.

I pyetur nëse vdekja e tyre ishte rezultat i sulmit të Izraelit mbrëmë, Trump u përgjigj me sarkazëm: “Ata nuk vdiqën nga gripi; ata nuk vdiqën nga Covid”.


14:18 – “Provokim i qartë” – thotë Erdogan për sulmet e Izraelit ndaj Iranit

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, i ka dënuar sulmet e Izraelit kundër Iranit, duke i quajtur “provokim i qartë”.

Presidenti turk paralajmëroi se Qeveria e Izraelit, e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu, po mundohet që ta tërheq rajonin drejt një katastrofe, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

“Sulmet e Netanyahut dhe rrjeti i tij i masakrave, të cilat po ia vënë flakën tërë rajonit tonë dhe botës, duhet të parandalohen” – shkroi Erdogani në rrjetin X, duke shtuar se vendi i tij është duke i vëzhguar për së afërmi zhvillimet në rajon.


13:43 – Mossadi i Izraelit kontrabandoi armë në Iran përpara sulmeve të së premtes, thotë zyrtari i sigurisë izraelite

Agjencia e spiunazhit Mossad e Izraelit kontrabandoi armë në Iran përpara sulmeve të së premtes, të cilat u përdorën për të synuar mbrojtjen e saj nga brenda, sipas një zyrtari të sigurisë izraelite.

Zyrtari tha se “një bazë për lëshimin e dronëve shpërthyes u krijua brenda Iranit dhe se dronët u aktivizuan gjatë sulmit të së premtes për të synuar lëshuesit e raketave në një bazë pranë Teheranit”.

Izraeli gjithashtu kishte “kontrabanduar armë precize në Iranin qendror dhe i kishte pozicionuar ato pranë sistemeve të raketave tokë-ajër”, tha zyrtari, duke shtuar se Izraeli gjithashtu vendosi sisteme sulmi në automjete.

Izraeli goditi në zemër të kompleksit bërthamor, raketor dhe ushtarak të Iranit herët të premten, në një sulm të paprecedentë që vrau disa nga figurat më të fuqishme të Iranit dhe e zhyti Lindjen e Mesme në një territor të ri të rrezikshëm.


13:18 – Trumpi, thirrje Iranit: Bëjeni marrëveshjen bërthamore para se të jetë vonë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka bërë thirrje Iranit që të arrijë një marrëveshje për programin e tij bërthamor, duke deklaruar se “i ka dhënë Teheranit shans pas shansi”.

Bisedimet mes ShBA-së dhe Iranit për një marrëveshje pritet të hyjnë në raundin e gjashtë këtë të diel.

“Në mënyrën më të vendosur u thashë: ‘Thjesht bëjeni’, por sado që u përpoqën, sado që iu afruan, nuk arritën ta përfundonin”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.

“Ka pasur tashmë shumë vdekje dhe shkatërrim, por ende ka kohë për ta ndalur këtë masakër – veçanërisht kur sulmet e radhës pritet të jenë edhe më të përgjakshme”, paralajmëroi ai.

“Irani duhet të bëjë marrëveshje, para se të mos mbetet më asgjë, dhe të shpëtojë atë që dikur njihej si Perandoria Iraniane. Mjaft më me vdekje, mjaft më me shkatërrim – THJESHT BËJE, PARA SE TË JETË VONË”.

Trumpi deklaroi gjithashtu se ishte në dijeni për planet e Izraelit përpara se të ndërmerrte sulmet ajrore gjatë natës, por theksoi se ushtria amerikane nuk kishte asnjë rol në këtë operacion. /Klankosova.tv


12:48 – Tre ‘kokat’ e ushtrisë së Teheranit që u vranë nga sulmet e Izraelit

Oficeri më i lartë ushtarak i Iranit, drejtuesi i Gardës Revolucionare elitare dhe një ish-shef i sigurisë kombëtare janë vrarë gjatë operacionit të paprecedentë të Izraelit, të quajtur “Luanët e Ngjallur”.

Kush janë 3 ‘kokat’ që u vranë nga Izraeli?

Hossein Salami

Si komandant i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), një trupë ushtarake shumë e fuqishme dhe sekrete, Gjeneralmajor Hossein Salami ishte një nga njerëzit më të fuqishëm në Iran, duke raportuar drejtpërdrejt te Udhëheqësi Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

I lindur në vitin 1960, sipas një dokumenti sanksionesh të SHBA, Salami ishte në krye të IRGC-së që nga viti 2019.

Në këtë rol, ai drejtonte një nga armët më të fuqishme të shtetit iranian, e cila ka luajtur rol kyç në shtypjen e protestave të brendshme dhe në zgjerimin e ndikimit iranian jashtë vendit.

Analistët thonë se IRGC financon dhe mbështet një rrjet të gjerë në rajon që përdoren për të sulmuar trupat amerikane dhe të tjera në Lindjen e Mesme.

IRGC besohet gjithashtu të ofrojë pajisje dhe ndihmë për rebelët Houthi në Jemen, duke i mundësuar ata të sulmojnë anije ndërkombëtare në Detin e Kuq dhe të lëshojnë raketa e drone drejt Izraelit.

Salami ishte në komandë kur Irani nisi qindra drone dhe raketa drejt Izraelit në prill dhe tetor të vitit të kaluar, në sulmet e para direkte nga Irani në territorin izraelit.

Në pamjet e publikuara nga media shtetërore iraniane në janar, ai shihej duke inspektuar një strukturë ushtarake nëntokësore që, sipas mediave, kishte luajtur rol në këto sulme.

I veshur me uniformë të gjelbër ushtarake dhe mjekër të shkurtër, Salami merrte përshëndetjet nga ushtarët në kompleksin nëntokësor dhe ecte mbi flamujt e SHBA-së dhe Izraelit të vendosur në tokë.

Mediat iraniane gjysmë zyrtare raportuan se në këtë vend po prodhoheshin “raketa të reja speciale”.

Salami ishte komandant kur IRGC rrëzoi një avion pasagjerësh ukrainas pak pas ngritjes nga aeroporti ndërkombëtar i Teheranit, duke vrarë të 176 njerëzit në bord.

Analistja e sigurisë e CNN, Beth Sanner, tha se eliminimi i Salamit është e krahasueshme me vrasjen e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane: “Mund ta imagjinoni se çfarë do të bënin amerikanët,” tha ajo.

Mohammad Bagheri

Që nga viti 2016, Mohammad Bagheri shërbente si shefi i shtabit të ushtrisë iraniane, e cila thuhet se përbëhet nga më shumë se 500,000 trupa aktive.

Sipas një dokumenti të Thesarit Amerikan mbi sanksionet kundër tij në vitin 2019, Stafi i Përgjithshëm është “organi më i lartë ushtarak në Iran, që zbaton politika dhe koordinon veprimet e forcave të armatosura”.

Bagheri u sanksionua së bashku me nëntë persona të tjerë pranë Ajatollah Khameneit “të cilët për dekada kanë shtypur popullin iranian, kanë eksportuar terrorizëm dhe kanë përhapur politika destabilizuese në mbarë botën.”

Foto të publikuara nga agjencia iraniane Tasnim e tregonin atë gjatë një vizite të supozuar në Siri në vitin 2017, duke u takuar me trupa iraniane që luftonin krah forcave qeveritare.

Në prill të këtij viti, Bagheri u takua në Teheran me Ministrin saudit të Mbrojtjes, Princ Khalid bin Salman Al Saud, në një vizitë të rrallë nga një anëtar i lartë i familjes mbretërore saudite në Republikën Islamike.

Reuters raportoi se gjatë këtij takimi, ministri saudit e paralajmëroi Bagherin që ta merrte seriozisht ofertën e Presidentit amerikan Donald Trump për një marrëveshje bërthamore, si mënyrë për të shmangur luftën me Izraelin, transmeton Klankosova.tv.

Ali Shamkhani

Ali Shamkhani ishte një nga ndihmësit më të afërt të Ajatollah Khameneit dhe përfaqësoi Teheranin në bisedimet që çuan në marrëveshjen historike për rikthimin e marrëdhënieve diplomatike me Arabinë Saudite.

Televizioni shtetëror iranian IRINN konfirmoi vdekjen e tij pas sulmeve izraelite të premten.

Shamkhani shërbeu si shef i sigurisë kombëtare të Iranit për dhjetë vjet nga viti 2013, dhe më herët mbajti pozita të rëndësishme në Gardën Revolucionare dhe në Ministrinë e Mbrojtjes.

Ai përfaqësoi Iranin në bisedimet e ndërmjetësuara nga Kina me zyrtarët sauditë, të cilat çuan në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve pas viteve të armiqësisë.

Megjithatë, ai u zëvendësua papritur në mes të vitit 2023.

Po ashtu kandidoi për president në vitin 2001 dhe mbajti poste kyçe në IRGC dhe në ministrinë e mbrojtjes. Disa analistë sugjeruan se Ajatollah Khamenei mund ta kishte konsideruar atë si tepër ambicioz.

Megjithatë, ai mbeti këshilltar i afërt i liderit suprem dhe dha këshilla gjatë bisedimeve bërthamore me administratën e Presidentit Trump.

Në prill, pak ditë para rifillimit të bisedimeve me SHBA-në, ai paralajmëroi se Irani mund të dëbojë inspektorët bërthamorë të OKB-së dhe të ndalë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) nëse ndjehej i kërcënuar, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.


12:08 – Kryediplomatja e BE-së bën thirrje për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyenka, ka bërë thirrje për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Kryediplomatja e BE-së , e ka quajtur shpërthimin e ri të dhunës në Lindjen e Mesme “thellësisht alarmues”, raporton AP News, transmeton Klankosova.tv.

“Evropa u kërkon të gjitha palëve të ushtrojnë vetëpërmbajtje maksimale, të ulin tensionet menjëherë dhe të përmbahen nga hakmarrja. Një zgjidhje diplomatike është tani më urgjente se kurrë, për hir të stabilitetit të rajonit dhe sigurisë globale”, tha ajo në një postim në platformën sociale Bluesky.


11:21 – Kallas bën thirrje për përmbajtje dhe diplomaci ndaj tensioneve Izrael- Iran

Shefja për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka reaguar pas sulmeve izraelite ndaj objekteve bërthamore në Iran, duke e cilësuar situatën në Lindjen e Mesme si jashtëzakonisht të rrezikshme.

Në një postim në platformën X, Kallas u bëri thirrje të gjitha palëve që të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejmë të konfliktit.

“Diplomacia është rruga më e mirë përpara dhe jam e gatshme të mbështes çdo përpjekje që çon drejt qetësimit të situatës,” shkroi ajo.


11:03 – Irani thotë se impianti i pasurimit bërthamor është dëmtuar

 Organizata e Energjisë Atomike e Iranit tha në një deklaratë se pjesë të impiantit të pasurimit bërthamor në Natanz u dëmtuan gjatë sulmeve izraelite.

Siç raporton “AP”, për fat të mirë nuk pati rrezatim bërthamor ose ndotje kimike, transmeton klankosova.tv.

Izraeli sulmoi Iranin në orët e para të së premtes, derisa Irani i është kundërpërgjigjur me rreth 100 dronë.


10:59 – Pamje nga pasojat e sulmit izraelit në Teheran

Ushtria izraelite tha se ka përdorur 200 aeroplanë ushtarakë në sulmin në Iran, duke lëshuar më shumë se 330 “municione” dhe duke goditur mbi 100 caqe në mbarë vendin.

Shihni më poshtë pamjet e përmbledhura nga CNN të dëmit të shkaktuar nga ky sulm në kryeqytetin iranian, Teheran.

Pamje nga pasojat e sulmit izraelit në Teheran


10:33 – Analizë e CNN: Sulmi i Izraelit ndaj Iranit mund të përshkallëzohet dhe të përfshijë edhe ShBA-në

CNN ka publikuar një analizë përmes së cilës thotë se sulmi i Izraelit ndaj Iranit mund ta fusë tërë rajonin në një luftë, ku do të mund të përfshihej edhe ShBA-ja, transmeton Klankosova.tv.

Sulmet ajrore të Izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit mund të nxisin një kundërpërgjigje masive nga Teherani dhe të çojnë rajonin drejt një lufte të përmasave të plota, kanë paralajmëruar prej kohësh analistë dhe ekspertë të sigurisë.

Në rast se konflikti mes Izraelit dhe Iranit përshkallëzohet më tej, ekziston rreziku që në të të përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara, për shkak të aleancës së ngushtë që ka me Izraelin dhe rolit të saj si furnizuesi më i madh me armë për këtë shtet.

Shenjat e para të këtij rreziku u shfaqën që në fillim të javës, kur ShBA-ja urdhëroi largimin e personelit jo-thelbësor nga disa lokacione në Lindjen e Mesme, pasi paralajmërimet e inteligjencës thoshin se një sulm izraelit ndaj Iranit ishte i pashmangshëm.

Të premten, zyrtarët izraelitë deklaruan gjendje emergjente dhe njoftuan se po përgatiteshin për hakmarrjen e Iranit.

Banorët në Izrael dhe në mbarë Lindjen e Mesme po përballen me pasiguri dhe frikë, pasi sulmet izraelite kanë futur rajonin në një fazë të re, të paparashikuar të konfliktit.

Shtrirja rajonale e Iranit: Irani mbikëqyr një të ashtuquajtur “Bosht i Rezistencës” në të gjithë rajonin, që përfshin grupe aleate besnike si Hezbollahu në Liban, Houthit në Jemen, si dhe milici të ndryshme në Irak dhe Siri.

Sipas ekspertëve, një sulm i Izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit ka gjasa të sjellë edhe fundin e negociatave mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Vitin e kaluar, lufta e gjatë përmes palëve të treta mes Izraelit dhe Iranit shpërtheu në mënyrë të hapur me një seri sulmesh të drejtpërdrejta me raketa mes dy vendeve.

Në atë kohë, ShBA-ja e paralajmëroi Izraelin që të mos godiste infrastrukturën energjetike apo bërthamore të Iranit. Ndërkohë, Irani u përpoq ta minimizonte rëndësinë e sulmeve, duke u kundërpërgjigjur me sulme të fuqishme në pamje, por të kalkuluara për të shkaktuar dëme të kufizuara.

Fazë e re e konfliktit: Sulmi i së premtes nga Izraeli shënon një përshkallëzim të ndjeshëm, duke goditur zemrën e programit bërthamor dhe kompleksit ushtarak të Iranit. Izraeli ka shënjestruar objektin kryesor të pasurimit të uraniumit në Natanz dhe ka vrarë Gjeneral Hossein Salami, komandantin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, si dhe Gjeneralmajor Mohammad Bagheri, oficeri më i lartë ushtarak i vendit.

Analistja e sigurisë në CNN, Beth Sanner, tha se eliminimi i Salamit është i krahasueshëm me eliminimin e kryetarit të shefave të shtabit të përbashkët të ushtrisë amerikane: “Mund të imagjinoni si do të reagonin amerikanët”, tha ajo.

Sanner theksoi se Irani tashmë është “nën kërcënim ekzistencial” dhe për këtë arsye, izraelitët pritet të përballen me “një hakmarrje masive, shumë më të madhe se herën e kaluar”. /Klankosova.tv


10:31 – Rutte bën thirrje për de-përshkallëzim pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi të premten se është “jetike” që aleatët e Izraelit të punojnë për të ulur tensionet, pasi Izraeli goditi rreth 100 objektiva në Iran, përfshirë objektet bërthamore dhe ushtarake në Teheran.

“Mendoj se është jetike që shumë aleatë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, të punojnë, që tani, për de-përshkallëzimin e situatës. E di që ata po e bëjnë këtë dhe mendoj se kjo është tani përparësia kryesore,” tha Rutte gjatë një konference për shtyp në Stokholm.
“Kjo ishte një veprim i njëanshëm nga Izraeli,” shtoi ai, duke theksuar se situata është në zhvillim të shpejtë, transmeton Klankosova.tv.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, paralajmëroi Izraelin për një “fat të hidhur dhe të dhimbshëm” pas sulmeve që vranë shefin e shtabit të forcave të armatosura, komandantin e Gardës Revolucionare dhe disa shkencëtarë bërthamorë të Iranit.

Më vonë, ushtria izraelite njoftoi se Irani kishte lëshuar 100 dronë drejt Izraelit si kundërpërgjigje, të cilët po kapeshin nga mbrojtja ajrore jashtë territorit izraelit.

Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, paralajmëroi për një situatë “shumë serioze dhe të tensionuar” në Lindjen e Mesme.

“Ajo që po ndodh tani në një rajon të paqëndrueshëm, rrezikon ta përkeqësojë edhe më shumë situatën,” tha Kristersson. Ai shtoi se ekziston një “konsensus i gjerë” se Irani nuk duhet të lejohet të zhvillojë armë bërthamore, por theksoi se kjo çështje duhet të kthehet në “tryezën e negociatave”.

“Skenari aktual mund të rrisë më tej rrezikun e kërcënimeve terroriste dhe aktiviteteve të tjera të rrezikshme,” përfundoi ai.


10:17 – Merzi foli me Netanyahun mëngjesin kur u sulmua Irani

Kancelari gjerman Friedrich Merz u bëri thirrje Iranit dhe Izraelit të “përmbahen nga hapat që mund të çojnë në një përshkallëzim të mëtejshëm dhe të destabilizojnë të gjithë rajonin”.

Merz, i cili tha se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e informoi atë për operacionin ushtarak në një telefonatë të premten në mëngjes, tha në një deklaratë se Gjermania është gati të përdorë “të gjitha mjetet diplomatike të disponueshme” për të ushtruar ndikim mbi palët në konflikt, shkruan AP, transmeton klankosova.tv.

Ai tha se “qëllimi duhet të mbetet që Irani të mos përdorë dhe prodhojë armë bërthamore”.

Udhëheqësi gjerman theksoi “të drejtën e Izraelit për të mbrojtur ekzistencën e tij dhe sigurinë e qytetarëve të tij”.

Ai tha se autoritetet e sigurisë në Gjermani do të rrisin mbrojtjen për objektet hebraike dhe izraelite.


09:48 – Irani kërkon seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Në orët e para të së premtes, Izraeli ka kryer sulm ndaj Iranit.

Sakaq, siç raporton CNN, Irani ka kërkuar seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar sulmet e paprecedentë të Izraelit ndaj vendit, transmeton klankosova.tv.

Kërkesa vjen mes thirrjeve ndërkombëtare në rritje për qetësi, pasi Izraeli paralajmëroi se operacioni i tij ushtarak kundër Iranit do të vazhdonte për ditë të tëra ndërsa Irani u zotua për hakmarrje.


09:38 – Tensionet Iran-Izrael, anulohen disa fluturime

Disa nga transportuesit ajror më të mëdhenj ndërkombëtarë, përfshirë Emirates, Etihad, Qatar Airways, Air India dhe Luftanasa, kanë anuluar, pezulluar dhe riorientuar fluturimet pas sulmit të Izraelit të premten në mëngjes ndaj Iranit.

Etihad, transportuesi kombëtar i Emirateve të Bashkuara Arabe, anuloi fluturimet për në dhe nga Tel Avivi, ndërsa Emirates anuloi fluturimet për në dhe nga Iraku, Jordania, Libani dhe Irani.

Qatar Airways ka pezulluar përkohësisht fluturimet për në Iran dhe Irak.

Air India tha se disa fluturime ishin devijuar ose kthyer mbrapsht, dhe Luftanasa për momentin ka pezulluar fluturimet për në Iran.

Transporti kryesor i Sirisë, Syrian Airlines, njoftoi të premten se ka pezulluar fluturimet për në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite pasi hapësira ajrore e Irakut dhe Jordanisë u mbyll.

Siria nuk ka njoftuar një mbyllje të plotë të hapësirës së saj ajrore. Syrian Airlines tha se po “monitoron nga afër situatën”.

Irani gjithashtu deklaroi hapësirën e tij ajrore të mbyllur dhe aeroporti Ben Gurion i Tel Avivit u mbyll deri në njoftim të mëtejshëm.

El Al dhe Israir të Izraelit më parë evakuuan aeroplanët nga Tel Avivi.


09:38 – CNN: Aeroplanët luftarakë të prodhuar në ShBA u përdorën nga Izraeli për të sulmuar Iranin

Imazhet e publikuara nga ushtria izraelite të premten treguan avionë luftarakë F-35, F-15 dhe F-16 të prodhuar në Amerikë ishin të përfshirë në sulmet ajrore ndaj Iranit.

Izraeli tha se 200 avionë luftarakë morën pjesë në sulmet ndaj vendeve bërthamore, vendeve ushtarake dhe udhëheqjes ushtarake të Iranit, duke përdorur 330 municione, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

200 avionët luftarakë izraelitë të përdorur përbëjnë pothuajse 60% të avionëve të aftë për luftë të vendit, sipas statistikave në “Bilanci Ushtarak 2025”, të botuara nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS).

Shtetet e Bashkuara kanë qenë prej kohësh furnizuesi kryesor i armëve për Izraelin. Aeroplanët luftarakë përfaqësojnë fuqinë e gjerë ushtarake të ShBA-së dhe janë në përdorim si nga forcat amerikane, ashtu edhe nga ato izraelite.

Avionët luftarakë të gjeneratës së pestë F-35, të padukshëm, të prodhuar nga Lockheed Martin, janë më modernët në flotën e Izraelit dhe operon 39 prej tyre, sipas statistikave të IISS.

Izraeli ka në inventarin e tij 75 modele të ndryshme të avionëve F-15 me dy reaktivë, të prodhuar fillimisht nga McDonnell Douglas (tani pjesë e Boeing), dhe pothuajse 200 njësi të një game modelesh F-16, të prodhuara fillimisht nga General Dynamics dhe tani nga Lockheed Martin, sipas IISS. /Klankosova.tv


09:37 – Ambasadori në Paris: Izraeli nuk e paralajmëroi Francën për sulmin

Izraeli nuk e paralajmëroi Francën përpara sulmit të tij ndaj Iranit sepse nuk është më një aleat aq i ngushtë sa ishte më parë, tha të premten ambasadori i tij në Francë.

“Shteti francez për një periudhë të caktuar nuk është aq afër sa ishte më parë”, tha për radion RTL Joshua Zarka, i cili më parë ishte përgjegjës për dosjen e Iranit në ministrinë e jashtme izraelite, raporton Reuters.

“Është një aleat, por jo aq sa të paralajmërohesh paraprakisht për një operacion të tillë.”, transmeton Klankosova.tv


09:27 – “Jemi në gatishmëri lufte”, shqiptarja që jeton në Izrael flet për situatën atje (VIDEO)

Në orët e para të së premtes Izraeli ka sulmuar Iranin. Ky i fundit i është kundërpërgjigjur me 100 dronë.

Në Izrael është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, derisa Irani betohet se shteti izraelit do të vuajë pasojat.

Shumë liderë iranianë u vranë po ashtu si pasojë e sulmit izraelit, transmeton Klankosova.tv.

Shqiptarja që jeton në Izrael, Ita Gani tha për “Ora Shtatë” se situata atje nuk është fare e qetë.

“I gjithë Izraeli është në gatishmëri lufte, sepse sulmi i Irani që ne po e presim  që ka lëshuar raketa balistike, që janë rreth një orë afër nesh, pra jemi të tronditur. Natyrisht që jemi të përgatitur edhe për këtë sulm”, u shpreh Ita Gani.

Ndërsa gazetari Misha Pumo që vepron në shtetin rus, tha se Rusia do ta dënojë veprimin e Izraelit karshi Iranit.


09:00 – Dronët iranianë me cak Izraelin shihen duke kaluar nëpër hapësirën ajrore të Irakut

Dy zyrtarë irakianë të sigurisë, të cilët folën në kushte anonimiteti për “AP” për shkak të ndjeshmërisë së situatës, thanë se më shumë se 100 dronë të nisur nga Irani drejt Izraelit u gjurmuan duke kaluar hapësirën ajrore irakiane.

Banorët e provincës Diyala të Irakut, e cila kufizohet me Iranin, raportuan se kishin dëgjuar zhurmën e avionëve dhe shpërthimet nga sulmet brenda territorit iranian të premten në mëngjes, transmeton klankosova.tv.

Disa më vonë thanë se panë dronë të nisur nga Irani duke u drejtuar drejt Izraelit.


08:56 – Zhvillimet më të fundit nga sulmi i Izraelit ndaj Iranit

Izraeli ndërmori një sulm të paprecedentë ndaj Iranit herët në mëngjesin e së premtes, duke goditur zemrën e programit bërthamor të vendit dhe udhëheqës të lartë ushtarakë.

Irani nisi hakmarrjen pak pas sulmit, duke ngritur sërish shqetësimet për përshkallëzimin e mundshëm të një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme, ndërsa shtetet në mbarë botën i bëjnë thirrje të dy palëve të shmangin përshkallëzimin, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

Ja çfarë dihet deri tani:

Sulmi: Izraeli përdori 200 avionë luftarakë, duke hedhur mbi 330 municione të ndryshme dhe duke goditur mbi 100 objektiva në të gjithë Iranin, sipas Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF). Sipas IDF, sulmi është ende në vazhdim – një burim ushtarak i tha më herët CNN-it: “Ky nuk është një sulm njëditor”.

Objektivat: Sipas një burimi të sigurisë izraelite, sulmi kishte në shënjestër udhëheqësit më të lartë ushtarakë të Iranit dhe shkencëtarë të lartë bërthamorë. Ndër objektivat ishte edhe objekti më i madh për pasurimin e uraniumit në Iran – kompleksi bërthamor i Natanzit – por, sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, nuk është regjistruar rritje e niveleve të rrezatimit.

Komandantë të vrarë: Gjatë goditjeve u vranë disa prej komandantëve më të lartë iranianë, përfshirë gjeneralin Hossein Salami, komandantin e fuqishëm të Gardës Revolucionare Islamike; gjeneral-majorin Mohammad Bagheri, ushtaraku më i lartë në Iran; si dhe ish-shefin e sigurisë kombëtare, Ali Shamkhani.

Hakmarrja e Iranit: Teherani u kundërpërgjigj duke lëshuar mbi 100 dronë drejt territorit izraelit, sipas IDF. Mbrojtja ajrore izraelite është vënë në punë për të ndaluar ata.

Qëndrimi i ShBA-së: Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se ShBA-ja nuk ka pasur asnjë përfshirje apo ndihmë në këto sulme. Para sulmit, presidenti Donald Trump tha se nuk dëshironte që Izraeli të godiste Iranin, ndërkohë që negociatat për marrëveshjen bërthamore janë ende në zhvillim.

Gjendja e jashtëzakonshme: Izraeli ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme – janë mbyllur shkollat, janë ndaluar grumbullimet publike dhe është dhënë këshilla për të shmangur punët jo thelbësore. Spitalet izraelite janë urdhëruar të ndalojnë aktivitetet ambulatore dhe ato jo urgjente, duke u zhvendosur në zona të mbrojtura. Ndërkohë, ushtria po thërret me dhjetëra mijëra rezervistë për t’u përgatitur për hapat e ardhshëm.

Mbyllja e hapësirës ajrore: Izraeli, Irani dhe Jordania kanë mbyllur hapësirat e tyre ajrore. Aeroporti Ben Gurion në Tel Aviv është mbyllur për nisje dhe ulje.

Reagimet globale: Shtete si Omani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Britania, Australia dhe Zelanda e Re kanë shprehur shqetësim – disa prej tyre kanë kritikuar sulmin izraelit si përshkallëzues. Shumica i bëjnë thirrje të dy vendeve që të shmangin përshkallëzimin dhe të ruajnë stabilitetin në rajon.

Alarmi i sigurisë nga ShBA: ShBA-ja ka lëshuar një alarm sigurie, duke i udhëzuar të gjithë punonjësit e qeverisë amerikane në Izrael dhe familjet e tyre që të qëndrojnë të strehuar. Gjithashtu, u është bërë thirrje qytetarëve amerikanë në Izrael të marrin masa paraprake dhe të njohin vendndodhjen e strehave më të afërta për raste sulmesh të mundshme. /Klankosova.tv


08:42 – Izraelitët furnizohen me ushqime dhe ujë pasi sulmuan Iranin

Në Jerusalem, raftet e supermarketeve po shterohen me shpejtësi nga njerëzit që po grumbullojnë ushqime dhe ujë.

Pjesa më e madhe e vendit u zgjua rreth orës 03:00 këtë mëngjes me një shpërthim sirenash dhe një alarm telefonik që paralajmëronte për një “kërcënim” – me njerëzit që u udhëzuan të qëndronin afër strehëve, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Shërbimet e emergjencës së Izraelit thonë se po mobilizojnë shërbimet e gjakut në të gjithë vendin, ndërsa disa spitale thonë se po lirojnë pacientët që janë mjaftueshëm mirë për të shkuar në shtëpi.

Në Bregun Perëndimor, janë vendosur bllokada në të gjitha qytetet palestineze deri në njoftim të mëtejshëm.

E gjithë kjo është në përgatitje për hakmarrje – me paralajmërimin e ushtrisë izraelite se 100 dronë iranianë janë në rrugën e tyre drejt Izraelit.


08:03 – Çfarë dihet deri tani për sulmet e Izraelit ndaj Iranit?

Izraeli nisi sulme në të gjithë Iranin të premten, duke thënë se ato kishin në shënjestër “zemrën” e programit bërthamor të Iranit.

Me kundërsulme që priten “në të ardhmen e afërt”, në Izrael u shpall gjendja e jashtëzakonshme.

Hossein Salami, shefi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit – një degë e fuqishme e forcave të armatosura të vendit – u vra, raportuan mediat shtetërore iraniane, si dhe shkencëtarët bërthamorë.

SHBA-ja thanë se nuk ishin të përfshira në sulme, të cilat goditën edhe impiantin kryesor të pasurimit bërthamor të Iranit.

Kur dhe ku ndodhën sulmet?

Shpërthime u raportuan në kryeqytetin e Iranit, Teheran, rreth orës 03:30 sipas orës lokale (01:00 BST). Media shtetërore iraniane tha se zonat e banimit u goditën, me shpërthime që u dëgjuan edhe në verilindje të Teheranit.

Në Izrael, banorët u zgjuan nga sirenat e sulmeve ajrore pothuajse në të njëjtën kohë dhe morën alarme telefonike emergjente. Ushtria izraelite tha se kishte goditur “dhjetëra objektiva ushtarake, duke përfshirë objektiva bërthamore në zona të ndryshme të Iranit”.

Orë pas sulmeve fillestare, u raportua një shpërthim në impiantin bërthamor të Natanzit, i cili ndodhet rreth 225 km (140 milje) në jug të kryeqytetit, sipas medias shtetërore iraniane.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), më vonë konfirmoi se impianti i Natanzit ishte goditur dhe tha se po punonte me autoritetet iraniane për të vlerësuar nivelet e rrezatimit në vend.

Çfarë ka thënë Izraeli?

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se sulmet – të quajtura Operacioni “Luani në Ngritje” – ishin “një operacion ushtarak i synuar për të zmbrapsur kërcënimin iranian ndaj mbijetesës së Izraelit”.

Ai tha se operacioni do të “vazhdojë për aq ditë sa të duhen për të eliminuar përhapjen”.

“Në muajt e fundit, Irani ka ndërmarrë hapa që nuk i ka ndërmarrë kurrë më parë, hapa për ta armatosur këtë uranium të pasuruar.

“Nëse nuk ndalet, Irani mund të prodhojë një armë bërthamore në një kohë shumë të shkurtër. Mund të jetë një vit. Mund të jetë brenda pak muajsh, më pak se një vit.

Ky është një rrezik i qartë dhe i pranishëm për mbijetesën e Izraelit.” Në fjalimin e tij, Netanyahu falënderoi gjithashtu Presidentin e SHBA-së Donald Trump për “përballjen me programin e armëve bërthamore të Izraelit”.

Një zyrtar ushtarak izraelit i tha BBC-së se Irani kishte material të mjaftueshëm bërthamor për të krijuar bomba bërthamore “brenda disa ditësh”.

Çfarë ka thënë Irani?

Një zëdhënës i forcave të armatosura të Iranit ka thënë se SHBA-të dhe Izraeli do të paguajnë një “çmim të rëndë” për sulmet, sipas Reuters.

“Forcat e armatosura me siguri do t’i përgjigjen këtij sulmi sionist”, tha zëdhënësi iranian, Abolfazl Shekarchi.

Çfarë kanë thënë SHBA-të?

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se nuk ishte i përfshirë në sulme dhe nuk ofroi asnjë ndihmë.

Ai tha se përparësia kryesore për SHBA-në ishte mbrojtja e forcave amerikane në rajon. Trump ende nuk ka komentuar për sulmet.

Në reagime të tjera ndërkombëtare, Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, tha se ata ishin “të alarmuar nga përshkallëzimi” dhe se sulmet rrezikonin “destabilizimin e mëtejshëm të një rajoni që është tashmë i paqëndrueshëm”.

Çfarë është programi bërthamor i Iranit?

Irani prej kohësh ka pohuar se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime civile. Ai ka disa objekte përreth Iranit, të paktën disa prej të cilave janë shënjestruar në sulmet izraelite. Por shumë vende – si dhe organi mbikëqyrës global bërthamor, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) – nuk janë të bindura se programi i Iranit është vetëm për qëllime civile.

Këtë javë, bordi i guvernatorëve të organit mbikëqyrës deklaroi zyrtarisht se Irani ka shkelur detyrimet e tij për mospërhapje për herë të parë në 20 vjet. Ai përmendi “shumë dështime” të Iranit për të dhënë përgjigje të plota në lidhje me materialin bërthamor të padeklaruar dhe rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit.

Një raport i mëparshëm i IAEA-s tha se Irani kishte pasuruar uranium në pastërti 60%, mjaftueshëm uranium të gradës së armëve për të bërë nëntë bomba bërthamore.


07:34 – Si reagoi bota për sulmet izraelite në Iran?

Vende anembanë botës po reagojnë për sulmet izraelite ndaj Iranit, me disa që shprehin alarm dhe të tjerë që e kritikojnë këtë veprim.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, i ka kërkuar Iranit dhe Izraelit të “tërhiqen dhe të ulin tensionet urgjentisht”, duke i quajtur sulmet “shqetësuese”. “Përshkallëzimi nuk i shërben askujt në rajon”, thotë ai.

“Stabiliteti në Lindjen e Mesme duhet të jetë përparësi dhe ne po angazhojmë partnerë për të ulur tensionin. Tani është koha për përmbajtje, qetësi dhe një kthim në diplomaci.”

Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite dënoi fuqishëm këtë sulm duke thënë se “agresioni flagrant izraelit” minon “sovranitetin dhe sigurinë e Iranit dhe përbën një shkelje të qartë të ligjeve dhe normave ndërkombëtare”, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

Ambasada e Kinës në Iran e quajti situatën në vend “të rëndë dhe komplekse”, duke u bërë thirrje qytetarëve kinezë në vend të monitorojnë nga afër zhvillimet dhe të rrisin masat e tyre të sigurisë, duke përfshirë shmangien e zonave të ndjeshme ose të mbushura me njerëz.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka thënë se Amerika nuk është e përfshirë në sulmet e Izraelit, duke shtuar në një deklaratë se “prioriteti ynë kryesor është mbrojtja e forcave amerikane në rajon”.

Ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, tha se Canberra ishte “e alarmuar nga përshkallëzimi midis Izraelit dhe Iranit”. Ajo i bëri thirrje të gjitha palëve të prioritizojnë dialogun dhe diplomacinë.

Sakaq kryeministri i Zelandës së Re, Christopher Luxon, në mënyrë të ngjashme i quajti sulmet “një zhvillim të padëshiruar në Lindjen e Mesme”, duke paralajmëruar se “rreziku i llogaritjeve të gabuara është i lartë”. Negociatat bërthamore SHBA-Iran që ishin planifikuar të dielën në Oman shihen si “rruga më e mirë përpara”, tha Luxon – megjithëse tani nuk është e qartë nëse bisedimet do të vazhdojnë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, “dënoi çdo përshkallëzim ushtarak në Lindjen e Mesme”, tha një zëdhënës i shefit të OKB-së në një deklaratë të raportuar nga Reuters. Guterres u bëri thirrje të dyja palëve të përmbahen.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë, Randhir Jaiswal, tha se vendi po “monitoronte nga afër situatën, duke përfshirë raportet që lidhen me sulmet në vendet bërthamore”, dhe i bëri thirrje të dyja palëve të shmangin përshkallëzimin. Ai tha se India kishte marrëdhënie “të ngushta dhe miqësore” si me Izraelin ashtu edhe me Iranin. /klankosova.tv


07:34 – Irani i kundërpërgjigjet Izraelit me 100 dronë

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Effie Defrin, thotë se Irani nisi “rreth 100 dronë drejt territorit izraelit”, të cilët ai thotë se po punojnë për t’i kapur.

Defrin shton se shefi i shtabit të ushtrisë iraniane, komandanti i Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC) të Iranit dhe komandanti i komandës së emergjencës së Iranit u vranë në sulmet e së premtes, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Në Izrael është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.


07:17 – Sulmohet pika kryesore bërthamore në Iran

Kreu i agjencisë globale mbikëqyrëse bërthamore ka konfirmuar se vendi kryesor i pasurimit bërthamor të Iranit në Natanz u godit nga sulmet izraelite në orët e para të së premtes.

Në një postim në X, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se po “monitoronte nga afër situatën thellësisht shqetësuese në Iran”, shkruan BBC, transmeton Klanksova.tv.

Agjencia tha se ishte në kontakt me autoritetet iraniane në lidhje me nivelet e rrezatimit në vend, si dhe me inspektorët e saj në Iran.


07:12 – Vritet edhe shefi i Forcave të Armatosura të Iranit

Mohammad Bagheri, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, është vrarë si pasojë e sulmeve izraelite, raportojnë mediat shtetërore, shkruan BBC.

Ai iu bashkua Gardës Revolucionare në vitin 1980 përpara se të ngjitej në radhët e tij për t’u bërë një nga udhëheqësit më të rëndësishëm ushtarakë të vendit.

Mediat shtetërore iraniane kanë bërë të ditur se edhe kreu i Gardës Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, është vrarë pas një sulmi ajror nga Izraeli, transmeton Klankosova.tv.


06:57 – Trumpi ishte në dijeni që Izraeli do ta sulmonte Iranin: SHBA-të nuk janë të përfshira

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka folur me Fox News në lidhje me sulmet izraelite në Iran.

Ai tha se ishte në dijeni të planeve të Izraelit paraprakisht, por e bëri të qartë se ushtria amerikane nuk luajti asnjë rol në operacion. Ai përsëriti se shpreson që Irani të vazhdojë negociatat me SHBA-në për të frenuar programin e saj bërthamor, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

“Ka disa njerëz në udhëheqje që nuk do të kthehen,” tha ai ndër të tjera, duke vënë në dukje se SHBA-të kanë konfirmuar se shumë udhëheqës iranianë kanë vdekur në sulm.

Ai tha se administrata e tij kontaktoi një aleat kyç të Lindjes së Mesme para sulmit për t’i informuar ata.


05:37 Udhëheqësi suprem i Iranit: Izraeli do të përballet me ndëshkim të ashpër – i përgatiti vetes fat të dhimbshëm

Lider suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar se Izraeli do të përballet me një “ndëshkim të ashpër” për sulmet e së premtes.

Në një deklaratë të publikuar nga agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA, Khamenei konfirmoi se një numër komandantësh dhe shkencëtarësh janë vrarë gjatë sulmeve që Izraeli ka deklaruar se kishin në shënjestër objektiva bërthamore.

“Regjimi izraelit ka kryer një krim në agim. Ky regjim duhet të presë një ndëshkim të ashpër”.

“Gjatë sulmeve të armikut, një numër komandantësh dhe shkencëtarësh u vranë. Pasardhësit dhe kolegët e tyre do të vazhdojnë menjëherë detyrat e tyre, me ndihmën e Zotit, pa asnjë ndërprerje”, tha Khamenei, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai paralajmëroi Izraelin se me sulmin e së premtes, i ka “përgatitur etes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm – dhe me siguri do ta marrë atë”.


05:25 – Pas sulmeve ndaj Iranit, Izraeli u bën thirrje qytetarëve të strehohen në mënyrën më të mirë

Pasi sulmoi Iranin, Irzareli u ka bërë thirrje qytetarët e tij që të streohehen në “mënyrën më të mirë të mundshme”.

Kjo thirrje nga shteti izraelit vjen në pritje të një kundërpërgjigjeje nga Irani, pas sulmeve të kryera në orët e para të së premtes.

“Është thelbësore që të strehoheni në mënyrën më të sigurt të mundshme, qoftë në shtëpitë tuaja apo në hapësira publike – preferohet një dhomë e sigurt apo hapësirë e mbrojtur e miratuar nga Komanda e Forcave të Brendshme. Nëse nuk ka hapësira të mbrojtura pranë jush, duhet të futeni në shkallë ose në një bodrum”, thuhet në thirrjen e shtetit izraelit drejtuar qytetarëve, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

Izraeli ka sulmuar Iranin, duke shënjestruar programin bërthamor dhe drejtues të lartë ushtarakë, në një operacion që, sipas kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, do të zgjasë për shumë ditë.


04:56 – Pas sulmeve ndaj Iranit, Izraeli thërret mijëra ushtarë: Jemi në pikë pa kthim

Pas sulmeve ndaj Iranit, Izraeli ka thirrur mijëra ushtarë për t’u përgatitur pët atë “që vjen më pas”.

Kështu ka deklaruar shefi i Shatbit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Gjeneral Eyal Zamir, teksa shta se “jemi në pikë pa kthim”.

“E kemi nisur këtë operacion sepse ka ardhur koha, jemi në pikë pa kthim. Nuk mund të përballojmë të presim një rast tjetër për të vepruar, nuk kemi zgjidhje tjetër”.

“Ngjarjet e fundit dhe të së kaluarës na kanë mësuar se kur armiku përpiqet të na shkatërrojë, nuk duhet të mbyllim sytë. Duhet të luftojmë për ekzistencën tonë; liria u jepet atyre që janë të gatshëm të luftojnë për të”, tha Zamir, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

Ai shtoi se Izraeli është “duke thirrur dhjetëra mijëra ushtarë dhe është përgatitur në të gjitha kufijtë”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se sulmet ndaj Iranit do të vazhdojnë për disa ditë, e të cilat i quajti si sulme ndaj “objektivave bërthamore”.

Në anën tjetër, Irani ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, duke mbyllur shkollat, ndaluar tubimet teksa tha se po përgatitet për kundërpërgjigje.


04:38 – Sulmet izraelite, vritet kreu i Gardës Revolucionare të Iranit

Mediat shtetërore iraniane kanë bërë të ditur se kreu i Gardës Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, është vrarë pas një sulmi ajror nga Izraeli.

Siç shkruan CNN, i vrarë ka mbetur edhe ish-kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Fereydoon Abasi, transmeton Klankosova.tv.

Salami ishte një nga liderët më të lartë të Iranit, teksa një zyrtar izraelit ka thënë se sulmet kishin objektin “programin bërthamor të Iranit dhe objektiva të tjera ushtarake”.


04:18 – Qeveria izraelite: Sulmet ndaj Iranit do të vazhdojnë edhe ditëve tjera

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar se Izraeli ka goditur objektivat bërthamore në Iran, duke bërë të ditur se oeracioni do të vazhdojë për shumë ditë.

“Çaste më parë, Izraeli nisi operacionin Rising Lion, një operacion ushtarak i synuar për të zbrapsur kërcënimin iranian për vetë mbijetesën e Izraelit”, tha Netanyahu në një fjalim televiziv, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

“Ky operacion do të vazhdojë për aq ditë sa duhet për të hequr këtë kërcënim”, tha i pari i qeverisë izraelite.

Sipas tij, Irani kishte një program për të zhvilluar armë bërthamore, duke paraqitur një rrezik të qartë dhe të pranishëm për vetë mbijetesën e Izraelit.

“Ne goditëm në krye të programit të armatimit bërthamor të Iranit.”

Netanyahu shtoi se me anë të këtij operacioni, duke mbrojtur veten, Izraeli gjithashtu mbron edhe të tjerët, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv

“Ne mbrojmë fqinjët tanë arabë. Ata gjithashtu kanë vuajtur nga fushata e kaosit dhe masakrës së Iranit”, deklaroi kryeqeveritari izraelit.

Nga ana tjetër, Qeveria e Iranit nuk ka komentuar ende për sulmet


03:51 – Sulmi izraelit mbi Tehran, SHBA: Ne nuk jemi të përfshirë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mohuar involvimin në sulmet izraelite mbi Iranin.

“Nuk ka pasur asnjë përfshirje apo ndihmë të SHBA-së në sulmet e kryera nga Izraeli në Iran”, deklaroi ekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

“Sonte, Izraeli ndërmori veprime të njëanshme kundër Iranit. Ne nuk jemi të përfshirë në këto sulme dhe prioriteti ynë kryesor është mbrojtja e forcave amerikane në rajon,” tha ai në një deklaratë.

“Izraeli na këshilloi se ata besojnë që ky veprim ishte i nevojshëm për vetëmbrojtje të tij. Presidenti Trump dhe administrata kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të mbrojtur forcat tona dhe për të qëndruar në kontakt të ngushtë me partnerët tanë rajonalë, u shpreh Rubio, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv

“Më lejoni të jem i qartë: Irani nuk duhet të synojë interesat apo personelin e SHBA”, shtoi ai.


03:36 – Izraeli sulmon Iranin

Izraeli ka filluar sulmet kundër Iranit.

Burimet e mediumit prestigjioz amerikan CNN, bëjnë me dije se një zyrtar i lartë izraelit i ka konfirmuar këto bombardime, duke bërë të ditur se ky “sulm parandalues” është i saktë, i kombinuar mirë në drejtim të dhjetëra objektivave iraniane.

Nga ana tjetër, Shtete e Bashkuara të Amerikës përmes Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, u deklaruan lidhur me këtë realitet të ri global, duke mohuar të jenë të përfshirë.

“Sonte, Izraeli ndërmori veprime të njëanshme kundër Iranit. Ne nuk jemi të përfshirë në këto sulme dhe prioriteti ynë kryesor është mbrojtja e forcave amerikane në rajon”, tha ai në një deklaratë, transmeton Klankosova.tv.

E kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, bëri të ditur se nuk bëhet fjalë vetëm për sulme një ditore, por ato sipas tij do të zgjasin.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.