Hovenier: Nuk ka BE e NATO për Kosovën pa progres në dialog NULL NULL 16.08.2023 12:23 16.08.2023 12:23 15:59 – Raportet “ftohtë-nxehtë” mes ambasadorit Hovenier dhe kryeministrit Kurti Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, e pranoi se ka pasur disa mospërputhje mendimesh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Në një takim që pati sot me gazetarë, ai shprehet se nuk mendon që është befasi për ndokënd kur thotë se kanë pasur disa dallime me Qeverinë Kurti për disa çështje specifike. “Ne ishim të shqetësuar, sepse donim të punonim së bashku se si të menaxhonim çështjen e kryetarëve të komunave në veri të zgjedhur ligjërisht, mënyrën se si ata e morën detyrën dhe mënyrën se si ata e filluan mandatin, kështu që padyshim që ishte një adresim shumë kritik nga qeveria të përdorte policinë dhe të pengonte hyrjen me forcë në ndërtesa”. “Nuk menduam se ajo gjë ishte e nevojshme. Njëra nga kërkesat tona dhe të BE-së ka qenë që këta kryetarë të punojnë nga lokacionet alternative për momentin, derisa situata të qetësohet”, deklaroi Hovenier. Ai tutje shtoi se është situatë e përzier me Qeverinë Kurti, pasi në disa çështje gëzojnë bashkëpunim shumë të ngushtë dhe punojnë në disa gjëra së bashku shumë mirë, e në disa të tjera kanë pasur disa dallime. Megjithatë ai edhe e arsyeton kreun e ekzekutivit. “E respektoj të drejtën e kryeministrit për t’i bërë zgjedhjet e tij dhe për të përcaktuar atë që ai beson se është më e mira për vendin e tij. Ai është kryeministër i zgjedhur në mënyrë demokratike i një shteti demokratik”, vlerësoi ambasadori amerikan në Kosovë. “Shpresoj se askush nuk do të duhet ta vë në dyshim angazhimin e ShBA-së për qytetarët e Kosovës dhe këtë përpjekje që të gjithë po e bëjmë për ta parë Kosovën të njihet ashtu siç është, si një vend i vogël i Ballkanit Perëndimor dhe shpresojmë ta shohim plotësisht të integruar në të gjitha institucionet evropiane dhe euroatlantike”, përfundoi përfaqësuesi i ShBA-së në vendin tonë. ShBA-ja nuk e mbështet as “Shqipërinë e Madhe” dhe as “Serbinë e Madhe”, thotë Hovenieri Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin as “Shqipërinë e Madhe” dhe as “Serbinë e Madhe”. Këtë qëndrim në emër të Uashingtonit, e bëri të ditur të mërkurën në Prishtinë, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier në një takim me gazetarë. Sipas tij, SHBA-ja e përkrah integritetin territorial dhe sovranitetin e çdo shteti në Ballkanin Perëndimor, njofton Klankosova.tv. Ky reagim i diplomatit vjen pas zhvillimeve që pasuan vizitën e kryeministrit Kosovar, Albin Kurtit, në Maqedoninë e Veriut, e cila nxiti reagime të bartësve të institucioneve për shkak të disa simboleve që promovonin shtetin etnik të shqiptarëve. 14:28 – Hovenier: Nuk ka BE e NATO për Kosovën pa progres në dialog Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se kërkesat që qeverai e tij ka karshi asaj të Kosovës, në lidhje me veriun e vendit, nuk janë presion. Sipas tij, ato janë thjesht kërkesa në të mirë të Kosovës. Për më tepër, ai tha se “i ambasador amerikan në Kosovë, është shumë shumë komfort me atë që po i kërkohet Kosovës të bëjë dhe atë që po i kërkohet popullit të Kosovës të bëjë”. “Atë çfarë po i kërkojmë Kosovën unë nuk e shoh si presion, hiq. I shoh që janë një numër kërkesash legjitime nga ShBA dhe partnerët, që avancojnë këto synime strategjike”, tha Hovenier në një bashkëbisedim me një grup gazetarësh të medieve të ndryshime, ku ishte edhe Klan Kosova. “Kosova s’do të jetë e aftë të bëhet anëtare e BE-së, nuk do të jetë e aftë të hyjë në Partneritetin për Paqe e pastaj të bëhet anëtare e NATO-s, dy synime fundamentale të ShBA-së që dëshiron të ndodhin, pa bërë progres në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”. Ai tha se qeveria e tij, pro edhe BE-ja i kërkojnë Kosovës të avancojë negociatat dhe konkluzat e negociatave për të themeluar Asociacionin për komunat me shumicë serbe. Në këtë kontekst, ai garantoi se ky mekanizëm nuk do të jetë i rrezikshëm për funksionimin e shtetit të Kosovës, njofton Klan Kosova. “Kemi qenë të qartë se si e shohim asociacionin. Që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, që nuk është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe që nuk është një nivel shtesë i qeverisjes”, tha ai. “Ne kemi qenë shumë të qartë. Jam shumë rehat për t’ia bërë këto kërkesa Qeverisë së Kosovës. Mendoj që është politikë e mirë dhe legjitime të shoh këto gjëra teksa avancojnë”. Duke shtuar se “nuk duhet të ketë dyshim dhe se është shumë e qartë ShBA-ja ka një përkushtim afatgjatë e të vendosur për popullin e Kosovës”, Hovenier tha se amabasada amerikane në Prishtinë ka tri qëllime të mëdha strategjike për Kosovën. E para, sic tha, ështa ta mbështesë Kosovën të marrë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euro-atlantike. E dyta dhe e treta kanë të bëjnë me mbështetjen e ekonomisë dhe qeverisë kosovare që të jenë më efektive për qytetarët./Klankosova.tv/. 13:19 – Hovenier: Çdo përpjekje për ripërcaktim të kufijve do të ishte kundërproduktive dhe destabilizuese Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka deklaruar se vendi i tij nuk e përkrah idenë e ripërcaktimit të kufijve kombëtar në rajonin e Ballkanit dhe sipas tij, çdo përpjekje për ta bërë një gjë të tillë do të ishte kundërproduktive dhe destabilizuese. Këto komente i dërguari i Uashingtonit në Kosovë i bëri gjatë një takimi që pati të mërkurën me gazetarë në Prishtinë. Sipas Hovenier, SHBA-ja e përkrah integritetin territorial të çdo shteti në Ballkanin Perëndimor. “SHBA-ja mbështet fuqishëm aspiratat drejt BE-së si dhe integritetin territorial të çdo shteti në Ballkan, përfshirë Kosovën”. Sipas tij, vendet e rajonit duhet të përqendrohen në përmbushjen e kritereve të nevojshme në rrugën evropiane duke intensifikuar pajtimin rajonal si dhe raportet e mira fqinjësore, njofton Klankosova.tv Ai mes tjerash theksoi se Amerika nuk e mbështet as “Shqipërinë e Madhe” dhe as “Serbinë e Madhe”. Reagimi i tij erdhi pas vizitës së kryeministrit Albin Kurti në Maqedoni të Veriut, vizitë kjo që ngjalli reagime të shumta. 13:17 – Hovenier: Ndalesa e barnave është keqinterpretim, Kosova i lejon ato të hyjnë nga Serbia Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier, i ka quajtur keqinterpretime pretendimet se Kosova nuk po e lejon importimin e medikamenteve dhe furnizimeve mjekësore nga Serbia. Në një intervistë që ka zhvilluar sot me gazetarë, ai ka thënë se ilaçet dhe furnizimet mjekësore importohen nga Serbia sot, në të njëjtën mënyrë si importoheshin para datës 14 qershor, raporton Klan Kosova. “Kjo është një gjë vërtetë serioze dhe ne e marrim atë shumë seriozisht. Kështu që ne biseduam me autoritetet, si me Qeverinë e Kosovës dhe bëmë maksimumin për të marrë njohuri nga homologët serbë për të na ndihmuar të kuptojmë situatën dhe duhet të jem i qartë se është kuptimi ynë që ilaçet dhe furnizimet mjekësore importohen nga Serbia sot, në të njëjtën mënyrë si importoheshin para datës 14 qershor, kur u vendos për herë të parë kjo masë”, ka thënë ambasadori amerikan. Tutje, ai ka shtuar se duket se ka njerëz që mundohen të keqinterpretojnë situatën. “Kemi pasur një bisedë shumë të qartë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe MSH-ja nuk duket të ketë dijeni për ndonjë kërkesë për import të barnave ose furnizime mjekësore të cilave ata nuk u janë përgjigjur pozitivisht”, ka thënë amerikani. Më tej ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë veprime që promovojnë qarkullimin e lirë të mallrave në vend që t’i kufizojnë ato në çfarëdo mënyre, që kjo çështje të mos keqinterpretohet.