Listat me kandidatë: Sa jopolitikanë duan ulëse kuvendi? NULL NULL 12.12.2024 20:34 12.12.2024 20:34 Një numër i personave publikë të cilët më herët nuk u morën me politikë, për këto zgjedhje nacionale të 9 shkurtit, kanë vendosur të futen në rrugën për kandidatë për deputetë në listat e subjekteve politike. Prej tyre është edhe këngëtarja Edona Llalloshi e cila është listën e Vetëvendosjes, ku u radhit si e 19-ta, për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, raporton Klan Kosova. Bashkë me të në parti është edhe trajneri i futbollit Bylbyl Sokoli me numër 32, që nga Albin Kurti u veçua për profesionalizmin. Në mesin e personazheve që nuk shquheshin për politikë më parë, është edhe Sanije Rexha, gruaja e ish-luftëtarit të UÇK-së, Abedin Rexhës, i njohur me nofkën Sandokani. Asaj i është ndarë numri 55 në listë. Një figurë nga një familje patriotike e ka edhe PDK-ja, që me numër 9 renditi Sala Jasharin e Jasharëve legjendarë të Prekazit. E 20-shin kjo parti e mbyll me të birin e ish-zëdhënësit të UÇK-së Jakup Krasniqit, Altinin. Aty ka edhe baballarë të të bijve të famshëm, siç është Ragip Xhaka, që mban numrin 34 si në fanellën e birit të tij, futbollistit Granit Xhaka. 4 numra më poshtë renditet Arbër Behluli, i biri i këngëtares Shkurte Fejza, teksa artistllëku i tani opozitarëve mbyllet me reperin Genc Prelvukaj, si 40-sh. Kryepersonazhin e Big Brother Vip Kosova 2, e rezervoi për vete LDK-ja që Lumbardh Salihun e përfshiu në listën për ligjvënës me numër 77, e babanë e yllit kosovar në futboll Edon Zhegrova, Lulzimin e ka nën logon e saj me numër 41. Të veçantë, listën e AAK-së e bën numri 29, që ishte rezervuar për Isni Kilajn e Malishevës, e i cili u arrestua rishtazi nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ani se sivjet qe lënë i lirë. 6 numra më poshtë pozicionohet Arton Demhasaj që nga shoqëria civile iu fut politikës sefte. Listës së të famshmëve që nga jeta publike iu futën politikës i shtohet edhe ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Mërgim Mavraj, që garës për vota i ka hyrë me Listën për Familjen me numër 15, aq sa e bartte edhe në fanellën e reprezentacionit. /Klankosova.tv