Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Limaj tregon pse vendosi të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Kurti

NULL NULL
27.06.2025 18:38

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se nesër do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se qëndrimi i tij pas zgjedhjeve ka qenë se do të ulej në tavolinë me cilëndo parti që fton për interesat nacionale të vendit.

“E kam thënë këtë sepse, menjëherë pas shpalljes së rezultateve zgjedhore, kam parë qartë se pa një marrëveshje politike ndërmjet partive nuk do të ketë zgjidhje funksionale për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e  institucioneve tjera. Ishte një lexim i drejtë i realitetit dhe një vlerësim i ndershëm i situatës, jo për kalkulim apo për të fituar kohë, por për t’i dhënë vendit rrugëdalje”.

“Kjo bindje buronte nga përvoja politike dhe përkushtimi im për stabilitet institucional. Dhe sot, ajo që atëherë dukej si propozim, po dëshmohet si vizion largpamës: Një zgjidhje funksionale që siguron Kuvendin, stabilitetin dhe hap rrugën për formimin e institucioneve të reja!”,  tha Limaj.

I njëjti shtoi se qytetarët nuk i kanë votuar për përçarje, por për përfaqësim, e për një Kuvend që funksionon dhe për institucione që marrin vendime.

“Prandaj, nesër do të jem në tryezën e thirrur nga kryetari i Vetëvendosjes, me po të njëjtin qëndrim që kam pasur që nga dita e parë: Kosova ka nevojë për marrëveshje, jo për teatër politik. Për lidership, jo për kalkulime”.

“Rruga që ne e propozuam, sot po bëhet e pashmangshme. Nga qëndrimi i drejtë, tek zgjidhja që po pranohet. Ne kemi qenë të gatshëm për zgjidhje. Dhe kjo është ajo që do të ofrojmë përsëri”, tha Limaj. /Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.