Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ligji themelor i politikës

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 01.08.2025 12:57
Blerim Shala
Blerim Shala

Dhjetë vjet më parë, çdo analizë serioze shkencore e pasojave të një Pandemie me të cilën në vitet 2020-2021 u ballafaqua njerëzimi, në trajtë të COVID-19  (si pasojë e daljes jashtë kontrollit të një virusi të prodhuar në laborator, në Wuhan të Kinës), do të shfaqte konkludime të përmasave apokaliptike me qindra miliona të vdekur, dhe me rrezikimin e mbijetesës së njerëzimit.

Shënimet zyrtare flasin për mbi shtatë milionë njerëz të vdekur. Një shifër shumë e madhe pa dyshim, por larg atyre që kanë mundur të ndodhin.

Pesë vjet më parë, ishte e paimagjinueshme që Rusia do të mund të nisej në një luftë të plotë agresive ndaj Ukrainës. Diçka e tillë thjeshtë nuk mund të ndodhte dhe nuk duhej të ndodhte. Por ja që kjo u bë, me agresionin e nisur në muajin shkurt të vitit 2022.

Megjithatë, ata që vlerësonin që nuk ka teori që Rusia ashtu, pa kurrfarë arsye, t’ia mësyjë Ukrainës me qëllim që ta zhbëjë si shtet dhe ta aneksojë, kanë qenë të sigurte që nëse Vladimir Putin do ta jep këtë urdhër për ta nisur luftën, ai në të vërtetë, do ta ri-kthejë luftën në teatrin evropian  (si thuhet), dhe do të krijojë rrethanat për një përplasje ushtarake dramatike në mes të Paktit NATO dhe Rusisë.

Befasia e luftës në mes të Rusisë dhe Ukrainës u përcoll me një befasi më të madhe të kufizimit/ limitimit të kësaj lufte.

Evropa ende rron në paqe.

Tre vjet më parë, do të ishte e pamundur të paramendohej që Hamas nga Gaza do t’i sulej Izraelit, (gjë që ndodhi në muajin tetor të vitit 2023), dhe që në dy vitet pasuese, lufta do të merr edhe formën e konfrontimin direkt në mes të Izraelit dhe Iranit, teksa kjo përplasje nuk kalli gjithë Lindjen e Mesme, siç supozohej në të gjitha analizat, vlerësimet dhe kalkulimet e mëparshme.

Lindja e Mesme vazhdon të jetë çfarë ka qenë tash e një shekull, apo, që nga fundi i Perandorisë Osmane. Por ky është rrëfim në vete.

E përbashkëta pra e këtyre tre shembujve është, para se të gjithash, që në një Rend Ndërkombëtar të krijuar pas shembjes së Murit të Berlinit  (nëntor, 1989), këto fenomene nuk do të duhej të ndodhnin. Por ja që historia dhe natyra i kanë shtigjet e veta, një pjesë e të cilave vazhdojnë të mbeten të panjohura për ne.

E përbashkëta e dytë doli të jetë mungesa e atyre rrjedhave të supozuara, krejtësisht anarkike dhe thellësisht destabilizuese, në rast të shfaqjes së këtyre dukurive.

E keqja që nuk është dashtë të sipërfaqësohej fare, doli të ishte e përmasave më të kufizuara se sa logjikshëm do të duhej të ishte.

Këtu vjen në dukje ai elementi i tretë i përbashkët i Pandemisë, luftës në Ukrainë dhe asaj në Lindjen e Mesme.

Të zënë fare në befasi me tri këto ngjarje në harkun kohor prej vetëm pesë vitesh  (2020-2025), ata të cilët mund të vendosnin për rrjedhën e mëtejmë të këtyre zhvillimeve që njëmend kërcënonin paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, zgjodhën qëllimet/ objektivat të cilat shquanin kufizimin e shpërthimit të së keqes, derisa të kuptoheshin përmasat e njëmendta të këtyre dukurive, dhe derisa të krijoheshin rrethanat e reja ndërkombëtare  (pas prishjes së një Rendi ndërkombëtar të përparmë).

U aplikua pra, si në ballafaqimin me COVID-19, ashtu edhe me luftën në Ukrainë dhe me atë në Lindjen e Mesme, qasja/ metoda e karantinimit/ izolimit të këtyre dukurive, duke iu shmangur kështu atyre skenarëve më të këqija të mundshme.

Është ky ligj themelor i politikës dhe i shoqërisë njerëzore, më i vjetër se e gjithë dija politike e mbledhur me mijëra vjet të plota, e cila doli të jetë e stërvjetëruar, për të mos thënë e papërdorshme në rrethanat me të cilat u përballëm të gjithë ne në pesë vitet e fundit.

 

lajme të ngjashme