Leskaj: Situata në Kumanovë e rrezikshme NULL NULL 23.05.2015 12:54 23.05.2015 12:54 "Zhvillimet dramatike në Kumanovë kanë dhunuar normalitetin dhe marrëdhëniet etnike, të cilat mbeten delikate sa kohë që Marrëveshja e Ohrit mbetet pjesërisht e zbatuar". Kështu theksoi sot zëvendëspresidentja e Asamblesë Parlamentare të KiE, Valentina Leskaj, në Komitetin e Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të KiE. Duke folur për ngjarjen në Kumanovë, Leskaj shprehu keqardhjen e thellë për jetët e humbura në Kumanovë. Ajo tha se situata në Maqedoni është serioze dhe mund të përbëjë risk, nëse nuk adresohet siç e meriton të vlerësohet. “Nga ana tjetër, mungesa e transparencës rreth asaj që ndodhi në Kumanovë e bën edhe më të vështirë situatën dhe sidomos zgjidhjen e saj. Ende nuk ka një informacion të plotë mbi atë çfarë ka ndodhur në të vërtetë, me identitetin e të vrarëve apo të të ndaluarve nga autoritetet vendase. Ndërkohë, gjuha e urrejtjes, duhet të zëvendësohet nga angazhimi për të respektuar të drejtat e njeriut, ligjin, lirinë e shprehjes me qëllim që të vendoset besimi te institucionet. Duhen adresuar rrënjët e problemit, të cilat kanë të bëjnë me funksionimin e institucioneve, mungesën e transparencës, lirinë e shprehjes”, nënvizoi Leskaj. Sipas saj, paragjykimet etnike nuk ndihmojnë përkundrazi janë kundërproduktive. “Kush beson në këtë sallë, se ata disa mijëra njerëz dolën në protestë prej shqiptarëve. Ndaj kriza politike nuk duhet të kthehet në krizë etnike. Kjo qasje nuk është e mirë për stabilitetin e vendit, nuk është e mirë për gjithë rajonin. Përpjekjet për ta kthyer krizën politike në etnike nuk i shërbejnë stabilitetit. Çdo vend i rajonit duhet të japë kontributin e vet pozitiv dhe ne jemi të gatshëm për këtë”, tha Leskaj. Duke folur për rolin e rëndësishëm të KiE në procesin e monitorimit, Leskaj u shpreh se “pas 13 vjetësh në status post monitorimi duhet reflektuar në impaktin e këtij statusi, statusi i gjatë i post monitorimit. Ne duhet ta ndihmojmë Maqedoninë që të ndihmojmë veten, së pari përmes një investigimi transparent dhe kredibël, zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, dhe reformave kyçe, që garantojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallime”. “Unë e mbështesë idenë që u hodh këtu nga Gross për komitet të pavarur investigativ dhe shpresoj që në debatin e përgjithshëm kjo të miratohet, sepse besoj të gjithë biem dakord, që ka nevojë për hetim të pavarur e kredibël që ndihmon në zgjidhjen e situatës”, përfundoi Leskaj. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.