Latifi raporton në Komision, opozita i bën kritika (VIDEO) NULL NULL 08.06.2022 20:47 08.06.2022 20:47 Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, të mërkurën, raportoi për herë të dytë më radhë para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. E, meqë pikat e diskutimit ishin të përgjithshme, atëherë edhe raportimi u bë gjithëpërfshirës. Ndaj, Armend Zemaj, në mesin e shumë temave, theksin e vuri edhe te marrëdhëniet e ministrit Latifi me ata me të cilët ka punë çdo ditë. Zemaj i tha paraardhësit të tij se jeni shpërfillur nga qeveria dhe nga menaxhmenti i ministrisë, ku përfshin sekretarin e përgjithshëm dhe stafin udhëheqës. Mirëpo, ministri Latifi këtë e mohoi dhe bëri me dije se nëse shpërfillet nga qeveria nuk ka pse të qëndrojë më këtu. Pos kësaj, tema për të cilën u diskutua është për dyshimin e keqpërdorimeve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike. I pari i Shëndetësisë tha se organet përkatëse do të merren me këtë çështje si dhe bëri me dije se do të ketë ndryshime serioze në Bordin e Fondit, ashtu sikurse që paralajmëroi pasoja për ata të cilët mund ta kenë keqpërdorë detyrën zyrtare. Lidhur me këtë, kryetarja e komisionit, Fatmire Mullhaxha, tha se deputeti Mirsad Shkreta ka propozuar inicimin e një komisioni hetimor.