Kush ishte Bujar Nishani? (Biografi) NULL NULL 28.05.2022 16:33 28.05.2022 16:33 Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, është ndarë nga jeta në moshën 57-vjeçare. Nishani u lind më 29 shtator 1964 në qytetin e Durrësit, transmeton Klankosova.tv. Studimet e larta i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, në vitin 1988, teksa studimet pasuniversitare në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”, në vitin 1996. Më pas studioi për Jurispudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004 ndërsa në vitin 2005 mori titullin “Master”, në Studimet Evropiane, në Shkollën e Studimeve Evropiane, pranë Universitetit të Tiranës. Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n dhe në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997 kthehet në profesion të lirë si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantik. Karriera politike e Bujar Nishanit ka kaluar nëpër disa etapa ku në vitin 1991 u anëtarësua në Partinë Demokratike. Në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën, pastaj, në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike. Në vitin 2005, u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie. Në korrik të vitit 2005, Nishani u zgjodh deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike. Nga marsi 2007 – shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm teksa nga shtatori 2009 deri në prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë, për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit. Më 11 qershor 2012 Kuvendi e zgjodhi President të Republikës së Shqipërisë në raundin e katërt me 73 vota pro dhe 1 votë kundër. Në 24 korrik 2012, Bujar Nishani u pati betuar në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës.