Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kurti rreth kërkesave për garanci për ish-drejtuesit e UÇK-së: Nuk më takon mua të ndërmarr hapa të atillë

NULL NULL
07.05.2021 17:10

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai nuk mund të kërkojë nga një shtet tjetër që të ofrojë garanci për mbrojtjen e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët ndodhen në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ai këtë e bëri të ditur gjatë një konference për media në të cilën u pyet se a do të kërkojë nga Kroacia ose ndonjë shtet tjetër garanci për ish-luftëtarët e UÇK-së.

“Nuk mund të kërkoj unë nga Kroacia për garanci, ka një proces juridik. Ata që janë në burg i kanë mbrojtësit e tyre ligjorë që janë duke e kryer mbrojtjen. Nuk është shteti në gjyq, andaj nuk më takon mua të marrë këso hapash. Do të ishte gabim për shtetin e Kosovës dhe për vetë ushtarët e UÇK-së që i kemi në Hagë”.

Kurti ka deklaruar se me vendimin e miratuar më 3 gusht të vitit 2015 për formimin e Gjykatës Speciale, Kosovës i pamundësohet që të konsiderohet si shtet i tretë, i cili do të mund të jepte garanci për ish krerët e UÇK-së që janë para drejtësisë në Hagë.

“Problemi me çështjen e garancisë është se Kosova nuk është shtet i tretë. Në gushtin e vitit 2015, atëherë kur u zhvillua diskutimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, argumenti kryesor se pse duhet të aprovohet Amandamenti 24 që e votuan deputetët atëbotë, të cilin ne e patëm kundërshtuar, ka qenë se nëse nuk e bëjmë ne, do të jetë gjykatë ndërkombëtare e OKB-së. E kemi ditur se nuk është ashtu, ajo ka qenë më shumë një lloj frike e atyre që ishin sponsor, qeveria e atëhershme ishte sponsor. Ne bëmë kritikën tonë kundërshtimin tonë e kishim të qartë nuk do të jetë krejtësisht jashtë Kosovës, një këmbë e ka brenda një këmbë e ka jashtë”.

“Pra, brenda ngrehinës tënde juridiko-kushtetuese e ke futur Gjykatën Speciale. Prandaj, s’je më vend i tretë. Besoj se i gjithë keqkuptimi ka të bëjë me këtë dhe tash jemi në këtë situatë kaq të pafavorshme. Kosovës me vet vendimin e datës 3 gusht të vitit 2015 i pamundësohet që të konsiderohet si shtet i tretë, i cili do të mund të jepte garanci”, ka thënë Kurti.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.