15:14, 1 Prill 2020

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se masa e reciprocitetit ndaj Serbisë ka filluar të zbatohet si vlerë e barabarësisë.

“Republika e Kosovës ka pasur e ka ende nevojë që qytetarët e saj, ndërmarrësit, profesionistët, punëtorët të trajtohen barabarësisht, pa paragjykime, pa pengesa, pra me dinjitetin e domosdoshëm, kur zhvillojnë aktivitetet jetësore e profesionale. Nuk ka pra, asnjë arsye legjitime e legale që të pranohet se shtetasit e Republikës së Kosovës dhe autoritetet tona mund të diskriminohen e pengohen kur ata eventualisht kanë nevojë të ndërveprojnë me autoritetit e Serbisë në kuptimin tregtar, civil apo të ndonjë sfere tjetër ndërshtetërore”, ka shkruar Kurti në Facebook, transmeton Klan Kosova.

Sipas tij implementimi i masave të reciprocitetit nga autoritetet e Republikës së Kosovës do të jenë graduale dhe si përgjigje proporcionale me sjelljen e autoriteteve të Serbisë.
“Parimi i respektit të ndërsjellë duhet të mbizotërojë, në mënyrë që mos të ketë barriera midis dy shteteve. Qeveria e Republikës së Kosovës ka vullnetin për të zhvilluar e kultivuar marrëdhënie tregtare, me të gjitha shtetet në rajon, pa pengesa të padrejta, mbi bazën e parimeve të pranuara ndërkombëtarisht, në respekt të traktateve ndërkombëtare dhe në respekt të të drejtave themelore të qytetarëve”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë