Kurti në Kuvend: Kemi rritje ekonomike dhe ulje të papunësisë NULL NULL 02.12.2024 12:51 02.12.2024 12:51 Kryeministri Albin Kurti Kryeministri Albin Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, është lavdëruar për të arriturat e qeverisë në katërvjetorin e qeverisjes së tij. Ai në debatin parlamentar të thirrur nga AAK-ja ka deklaruar se ekonomia ka shënuar rritje, kurse papunësia ulje. “Le të fillojmë me ekonominë, e cila ka shënuar rritjen më të madhe dhe njëkohësisht solide. Në këto tre vjetët e fundit kemi pasur rritje ekonomike mesatarisht prej 6.36 për qind të Bruto produktit vendor, dhe asnjëri nga këto tre vjet, të qeverisjes sonë nuk e ka pasur rritjen ekonomike më pak se 4 për qind. Po flas për rritje reale ekonomike, natyrisht pasi të hiqet inflacioni, ngelet kjo mbi 4 për qind”. “Dhe në të njëjtën kohë kemi ulur borxhin publik, pra nuk kemi pasur një rritje ekonomike që bëhet në llogaritë e së ardhmes, duke e rritur borxhin, por borxhin e kemi zbritur në nivelin prej vetëm 17 për qind, apo për çerekun më të vogël sesa e kemi gjetur”. Kurti mes tjerash para ligjvënësve është mburrur edhe për uljen e nivelit të papunësisë. “Papunësia që dikur ndihej sikur një re e rëndë mbi familjet kosovare, sot ka rënë nga 25.8 për qind, në 10.7 për qind. Sfidë që na ngelet në këtë aspekt është aktivizimi më i madh i grave, sepse numri i grave që janë inaktive, është më i madh sesa e duam e që duhet. Por megjithatë është e qartë se në Kosovë sot kemi një papunësi të zvogëluar, sepse kemi një punësim të shtuar”. “Së fundmi miratuam edhe buxhetin për vitin 2025, e të gjithë e dini që buxheti për vitin e ardhshëm, është 50 për qind më i lartë sesa buxheti që e kemi gjetur në vitin 2021. 2.4 miliardë euro është buxheti i vitit të parë të qeverisjes sonë, dhe 3.6 miliardë do të jetë për vitin e ardhshëm. Fiks 50 për qind më i lartë”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Kosova thyen rekord botëror, bëhet shteti i parë në botë me 36 seanca kuvendi të dështuara (VIDEO) 13 orë më parë
Kosova Kuvendi ende pa Zot shtëpie, kush e ka fajin? – Mimoza Kusari-Lila sot në “DPT te Fidani” 18 orë më parë