Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kur fëmijët bëhen viktima dhe agresorë: Alarmi për bullizmin në Kosovë

NULL NULL
nga Genita Ukaj 26.06.2025 18:09

“Bullizime kam marrë që në moshë të vogël, parashkollor kur kam hy. Kanë fillu së pari nxënësit, pastaj më kanë këqyrë me sy të keq edhe mësueset, edhe prindërit e atyre fëmijëve. Kam pas ekstrem bullizime edhe prej nxënësve në klasë, edhe në paralele”.

“Kjo më ka bë me u ndi ekstrem keq, sa që fillova sa herë që shkojsha në shkollë, u ndijsha e vetmume”.

Ky është rrëfimi i të resë Olisa Xharrahu bërë në emisionin “Weekend” në Klan Kosova, e cila ka treguar se këto ngacmime asaj i janë bërë sa ka qenë në shkollë, për shkak të ngjyrës së lëkurës.

E dukuria e bullizmit në përgjithësi është përhapur dukshëm viteve të fundit në shoqëri, veçanërisht në shkolla.

Një fenomen i tillë shqetësues ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor, emocional dhe social të nxënësve, i cili manifestohet përmes sjelljeve agresive, kërcënuese, përjashtuese ose edhe poshtëruese, që janë të përsëritura dhe bëhen me qëllim nënshtrimi.

Bullizmi përcaktohet si një çështje disiplinore, por konsiderohet se është edhe rezultat i një sërë faktorësh dhe shkaktarësh psikologjikë dhe sociologjikë.

Sa i përket aspektit sociologjik, shkaktarët mund të jenë nga mungesa e një klime mbështetëse në shkolla, e deri te ndikimi i rrjeteve sociale dhe i mjedisit familjar.

Kështu është shprehur për Klankosova.tv. sociologu Xhenis Beqiri i cili duke folur konkretisht për Kosovën, tha se bullizmi ndodh edhe sepse mungojnë rregulla dhe mënyra të qarta se si të raportohet dhe të ndërhyhet.

“Bullizmin në shkolla e shoh jo si një sjellje të thjeshtë individuale, por si pasqyrë e problemeve më të mëdha shoqërore që ndikojnë në ambientin shkollor. Shkaktarët janë të shumtë, që nga mungesa e një klime mbështetëse në shkolla, mungesa e mbikëqyrjes, e deri te ndikimi i rrjeteve sociale dhe i mjedisit familjar”.

“Në shumë raste në Kosovë, bullizmi ndodh sepse mungojnë rregulla dhe mënyra të qarta se si të raportohet dhe të ndërhyhet, dhe sepse ende nuk e trajtojmë këtë problem me seriozitetin që meriton”, është shprehur ai.

Por, përtej shkaktarëve, ndikimi i një dukurie të tillë është i madh dhe afatgjatë, sepse kjo ndikon në humbjen e vetëbesimit, por gjithashtu fëmijët apo nxënësit e bullizuar mund gjithashtu të përjetojnë ankth dhe stres, si dhe të tërhiqen nga shkolla.

“Ndikimi i bullizmit është i madh dhe afatgjatë. Fëmijët që përjetojnë bullizëm shpesh humbin vetëbesimin, përjetojnë ankth, stres dhe madje edhe tërhiqen nga shkolla dhe mësimi”.

“Prandaj, kjo nuk është vetëm çështje individuale, por një problem që prek gjithë sistemin arsimor dhe shoqërinë në tërësi. Për këtë arsye, është e domosdoshme që shkolla, prindërit dhe institucionet të bashkëpunojnë dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të krijuar një ambient të sigurt dhe të barabartë për të gjithë nxënësit”, është shprehur sociologu Beqiri.

Angazhimi në shkolla për të frenuar këtë dukuri

Ky fenomen nuk është vetëm problem i fëmijëve, por edhe përgjegjësi e të rriturve.

Prandaj, sipas sociologut Beqiri, duhet të kërkohet një angazhim i qartë nga shkollat, institucionet arsimore, prindërit dhe vetë shoqëria.

“Duhet të kërkohet një angazhim i qartë nga shkollat, institucionet arsimore, prindërit dhe vetë shoqëria për të krijuar politika të forta kundër bullizmit, për të edukuar fëmijët me vlera të respektit dhe barazisë, dhe për të ndërhyrë menjëherë kur ndodhin raste të tilla. Vetëm përmes bashkëpunimit mund të krijojmë një shkollë të sigurt dhe gjithëpërfshirëse”, është shprehur tutje ai për Klankosova.tv.

Pasojat, faktorët dhe shkaqet e bullizimit janë të përafërt edhe në aspektin psikologjik, duke filluar nga ato që ndërlidhen me faktorë individualë, familjarë dhe shoqërorë.

Ndër shkaqet më të zakonshme sipas psikologes Antigona Qenaj është mungesa e edukimit emocional në familje, ku fëmija nuk mëson si të menaxhojë ndjenjat e tij dhe i shpreh ato përmes agresivitetit.

Ajo për Klankosova.tv u shpreh se shpesh bullizuesit janë vetë fëmijë që përjetojnë dhunë fizike ose psikologjike në shtëpi.

Faktor tjetër, sipas saj është edhe mosfunksionimi i sistemit arsimor, ku mungon mbikëqyrja, ndërhyrja e duhur dhe edukimi për empatinë dhe pranimin e tjetrit.

Ndikimi i bullizmit në aspektin psikologjik

Ndikimi i bullizmit në aspektin psikologjik, sipas Qenajt, është thellësisht negativ, veçanërisht në periudhën e zhvillimit emocional dhe social të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Sipas saj, ai çon në ulje të vetëvlerësimit, në izolim social si dhe në ankth, depresion e në raste ekstreme edhe në mendime për vetëvrasje.

Psikologia Antigona Qenaj për Klankosova.tv foli edhe për pasojat e bullizmit, duke thënë se mund të lërë pasoja afatgjata në formimin e identitetit dhe mirëqenien psikologjike të fëmijës, si për viktimën, ashtu edhe për agresorin.

“Është jetike që shkollat, familjet dhe shoqëria të punojnë së bashku për të ndërtuar një mjedis të sigurt, të mbështetur në respekt, empati dhe komunikim të hapur”.

“Psikologët shkollorë, edukimi emocional dhe programet parandaluese janë thelbësore në këtë proces”, u shpreh tutje ajo.

Duke analizuar shkaqet psikologjike dhe sociologjike të tij, kuptojmë se bullizmi nuk lind rastësisht, por është pasojë e një ndërthurjeje faktorësh të brendshëm emocionalë dhe ndikimesh si të tilla të brendshme, por edhe të jashtme shoqërore.

Parandalimi dhe trajtimi i këtij fenomeni kërkon një qasje të gjithanshme nga të dyja aspektet e trajtuara më lartë, por kërkon edhe krijimin e një kulture që promovon respektin që nga familja e deri tek shkollat, por edhe më tej. /Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.