Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kur do të zhvillohet takimi Rama-Basha?

NULL NULL
01.06.2016 13:53

Takimi mes kryeministrit Rama dhe kreut të PD-së, Basha, ka më në fund një datë konkrete. Sipas “Ora News”, takimi Rama-Basha është propozuar nga Kryeministria të zhvillohet të hënën e ardhshme në orën 17:00, në mjediset e Pallatit të Kongreseve.

Por ndërkohë, nga PD-ja nuk ka asnjë të re në lidhje me këtë takim. Vetë kryetari Basha, i pyetur nga mediat paraditen e sotme, nuk dha përgjigje konkrete lidhur me takimin me Ramën.

I pyetur nga gazetarët se kur mund të zhvillohet takimi i përfolur ditët e fundit, Basha u përgjigj shkurt: “Do kemi kohë edhe për këtë çështje”.

Pak ditë më parë, kryeministri Rama e ftoi kreun e demokratëve në një tryezë bisedimesh lidhur me reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore.

“Ftesa është bërë me shkrim. Është shumë e rëndësishme, që të bëjmë çdo përpjekje dhe nuk më vjen fare zor të them që i lutem PD-së që të mos e minojë një proces! Të mos e kyçë Shqipërinë në një zonë gri që mund të bëhet vrimë e zezë në procesin e integrimit”, tha Rama javën e kaluar.

Një ditë më pas, Basha e pranoi ftesën, por pa caktuar një datë se kur mund të zhvillohej ky takim.

“Jam gati për negociata në çdo kohë, me kushtin e vetëm që nuk duhet të ketë kushte. Reforma në drejtësi, duhet të shoqërohet me reformën zgjedhore. Nuk ka negociata pa zgjedhje të lira e të ndershme. Formatin le ta zgjedhë vetë kundërshtari im. Si të ndihet ai komod, por jo takim për shou dhe foto, takim për zgjidhje. Deri tani, edhe në këto momente që flasim, ai nuk pranon të negociojë as për draftin tonë, as për zgjedhjet”, tha Basha.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.