12:02, 26 Janar 2020

Në të dy propozimet e fundit që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i kanë bërë njëra-tjetrës për bashkëqeverisje, parashihet që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të mos jetë ministri e veçantë.

Lëvizja Vetëvendosje në propozimin e saj parasheh që kjo ministri të ndahet, ku Kultura dhe Rinia i bashkohen Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kurse Sporti i bashkëngjitet Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërsa, LDK parasheh që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit t’i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.Të dy këto propozime po konsiderohen si absurde dhe që shpërfaqin joseriozitet të këtyre dy partive karshi shëndetësisë, kulturës, rinisë dhe sportit.

Bashkimi i sportit me Ministrinë e Shëndetësisë, për Blerim Sylën, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, do të ndikojë negativisht në funksionimin e Ministrisë së Shëndetësisë.Ai thotë se është e çuditshme se si është menduar që dy fusha krejt të ndryshme të bashkohen në një ministri të vetme. Funksionimin e shëndetësisë me sportin, ai e sheh si të pamundur, derisa thekson se shëndetësia ka shumë probleme me të cilat duhet të merret ministri i ardhshëm, e derisa do të jetë edhe sporti gjërat do të komplikohen.

Syla thotë se edhe sporti është në kulmin e sukseseve, e bashkimi me një ministri si shëndetësia që është e shumë probleme do ta lë në hije. Madje, ai nuk përjashton mundësinë që të dështohet në të dyja fushat nëse veç ndodhë një bashkim i tillë.

Kundër një bashkimi të tillë është edhe kryetari i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë Besim Kodra, i cili përmes një përgjigje me shkrim thotë se duke qenë shëndetësia më shumë probleme bashkimi me një sektor tjetër vetëm sa do ta vështirësonte gjendjen e saj.
Sipas tij, bashkimi i Ministrisë së Shëndetësisë me atë të Sportit, duke anashkaluar një sektor të afërt siç është mirëqenia sociale nuk do t’i ndihmojë sektorit të shëndetësisë, por vetëm do të vështirëson punën e tij.
Ndarjen ose shkrirjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit e sheh si të gabuar edhe analisti i futbollit Ardian Llumnica, i cili për KosovaPress, thotë se është për keqardhje diskutimi për bëhet për këtë ministri.Ndërkaq, Jeta Krasniqi nga KDI, thotë se ndarja e ministrive duhet të bëhet në bazë të programit qeverisës./KosovaPress/

Konkurs Pune

Lexo më shumë