Ku mbetet “Ballkani Perëndimor” e me të Kosova në ekuacionin e sigurisë? 123 string(14) "Albert Prenkaj" string(61) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2025/12/IMG_3622.png" nga Albert Prenkaj 07.02.2026 11:55 07.02.2026 11:55 Në një artikull të Wall Street Journal të autorit Yaroslav Trofimov, ngrihet alarmi për inkursionin e ardhshëm të Rusisë në shtetet anëtare të NATO-s. Rusia ngashënjehet të veprojë në drejtim të vendeve të BE-së dhe NATO-s nga përplasja mes presidentit Trump dhe BE-së në temat e Ukrainës, Grenlandës, tregtisë dhe tema të tjera. Indikacion në drejtim të një konflikti real me Rusinë jep ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, duke theksuar se Rusia mund të sulmojë NATO-n në katër vitet e ardhshme, diku në vitin 2029. Ndërkohë, kancelari gjerman Merz dhe kryeministrja Meloni nxituan të bëjnë marrëveshjen për thellimin e bashkëpunimit në mbrojtje, politikën industriale-teknologjike dhe të sigurisë, aks ky i ri në Evropë, që lë disi nën hije presidentin francez Macron. Një marrëveshje që, ndër të tjera, ka fokus në mbrojtje dhe siguri është Traktati i Quirinales mes Francës dhe Italisë, i nënshkruar më 2021 që hyri në fuqi më 2023, e që është modeluar mbi bazën e Traktatit Franko-Gjerman të Elyseesë. Lufta e Ukrainës pa dyshim ka ngjeshur radhët e shteteve të BE-së, por edhe NATO-n evropiane, e cila pas qëndrimeve të presidentit Trump në mandatin e parë e në veçanti në mandatin e dytë, rriti përqindjen e pjesëmarrjes financiare, por edhe siç e pamë më lart, veprimet janë konkrete si në tavolinë ashtu edhe në terren. Ku mbetet “Ballkani Perëndimor” në ekuacionin e sigurisë? Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, nga Brukseli paralajmëroi lëvizje pozitive: “Të ardhmen e Kosovës me NATO dhe të ardhmen e NATO-s me Kosovën… Kosova të kontribuojë në sigurinë evropiane, potencialisht në Ukrainë dhe vendet tjera të Evropës”. Kontekst ky i cili, pse jo, paragjykon një lëvizje pozitive. Mund të lexohet ky qëndrim zyrtar i Mbretërisë së Bashkuar, lëshuar në etër nga platforma e NATO-s në Bruksel, si fillim i jetësimit të klauzolave të Strategjisë Nacionale të Sigurisë së ShBA-së (NSS) dhe Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026, si dhe shtrirjes së interesit “Global North”? Pa dyshim se kjo është intenca! Në të njëjtin drejtim, eksponentë politikë të Kosovës në forume ndërkombëtare kërkojnë që Kosova të fillojë Planin e Veprimit për Anëtarësim (Membership Action Plan – MAP), një hap i cili ofron këshilla, ndihmë dhe mbështetje për vendet që përgatiten për anëtarësim të mundshëm. Plani përfshin programe vjetore që mbulojnë reformat e politikave, ato ekonomike, të mbrojtjes, të resurseve, të sigurisë dhe programe të aspektit ligjor. Por MAP është procedurë kohore më e gjatë se protokollet e anëtarësimit të cilat i kanë aplikuar Finlanda dhe Suedia, si nevojë imediate e pozicionimit të NATO-s apo futjes nën ombrellën e saj të dy vendeve me rëndësi strategjike. Me qartësimin e rrugëtimit të Kosovës në NATO, e cila edhe për një kohë të pacaktuar mbetet aleanca më e fuqishme në historinë e njerëzimit, kërcënimet eventuale të sigurisë nga Serbia, Rusia apo elementë gjeopolitikë invers mbeten reale deri në një vendosje të ekuilibrit dhe Rendit të Ri Botëror. Ndërkohë, në shkurt të këtij viti do të mbahet takimi i radhës i vendeve të Korridorit të Tetë, në të cilin bëjnë pjesë: Italia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria si vende themeluese, si dhe Turqia. Një platformë kjo e cila ka si segment me rëndësi aspektin e sigurisë pan-evropiane, përtej konektivitetit, tregut të përbashkët të Ballkanit Perëndimor, etj. Në këtë infrastrukturë me rëndësi pan-evropiane nuk janë anëtarë shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, e ndërkohë bëhet fjalë për “tregun e përbashkët”?