Kryeshefi i Riverwatch i shkruan letër ministrit Aliu pas deklaratave të tij për Kelkos NULL NULL 30.11.2021 20:18 30.11.2021 20:18 Kryeshefi Ekzekutiv i organizatës Riverwatch, Ulrich Eichelmann, i ka shkruar letër Ministrit të Mjedisit të Kosovës, Liburn Aliu. Kjo letër vjen si reagim ndaj, siç thuhet, sulmeve verbale të Aliut drejtuar aktivistes Shpresa Loshaj dhe për kompaninë Kelkos, transmeton Klankosova.tv. Kjo është letra e plotë: Letër e hapur ministrit Liburn Aliu Vjenë, 29.11.2021 I nderuari ministër Liburn Aliu, Në intervistën tuaj të fundit për rastin Kelkos, në programin televiziv “Rubikon” më 25 nëntor, ju përmendni disa herë “Riverwatch”-in dhe jam i shqetësuar se shikuesit mund të kenë marrë një ide paksa të gabuar për rolin dhe pozicionin e “Riverwatch”-it. Prandaj, do të doja të sqaroja edhe një herë disa pika. Ndoshta nuk kam qenë mjaft i qartë në deklaratën time të mëparshme të 23 nëntorit. Në intervistën tuaj televizive të datës 25 nëntor, ju deklaruat se ekspertiza për Zallin e Rupës vjen nga “Riverwatch” dhe jo nga “KelKos”-i. Nuk është kështu. Në fakt është një raport i “KelKos”-it. Siç është sqaruar në komunikatën tonë të datës 23 nëntor, ne kemi rekomanduar vetëm ekspertin, por eksperti është kontraktuar, paguar dhe udhëzuar nga “KelKos”-i. Ky dokument për Zallin e Rupës duhet të diskutohet dhe konsultohet me komunitetet lokale dhe njerëzit e prekur. Në këtë proces konsultimi mund të lindë nevoja për përshtatje, të cilat duhet të përfshihen në planin përfundimtar të restaurimit. Zgjidhja për “Zallin e Rupës” është vetëm një kockë e “Puzzle” nga shumë që duhen sqaruar në këtë luginë. Kështu, dëshiroj të përsëris sugjerimet e mia nga data 23 nëntor në lidhje me hapat e ardhshëm dhe një rrugëdalje nga situata aktuale: Identifikoni aspektet thelbësore ekologjike dhe sociale që duhen zgjidhur në luginë (rrjedha ekologjike, kalimet e peshkut, masat e kompensimit, furnizimi me ujë të pijshëm…) Vendosni ekspertë të pavarur për të zhvilluar koncepte për zgjidhjen e këtyre problemeve. Konsultohuni me komunitetet lokale dhe njerëzit e prekur rreth këtyre vlerësimeve. Është thelbësore të kryhen konsultimet përpara finalizimit të raportit. Përndryshe, do të ishte vetëm një “informacion” dhe jo një “konsultim” dhe kjo nuk do të ishte në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në të vërtetë, ka edhe zona të tjera në Kosovë që kanë nevojë për vëmendje, si zona afër Shtërpcës. Kosova po përballet me një cunami të digave me pasoja të rënda ekologjike dhe sociale. Kemi dëshmi për rreth 97 projekte hidroenergjetike që janë në plan ose duke u ndërtuar në vend. Për ta bërë këtë problem të dukshëm dhe për të diskutuar zgjidhjet, unë sugjeroj një “Samit të Lumit të Kosovës” në fillim të vitit 2022, me përfaqësues të të gjitha grupeve të palëve të interesuara (përfshirë OJQ-të dhe komunitetet e prekura), të organizuar nga ministria juaj. I nderuari Ministër Aliu, më lejoni t’ju siguroj se “Riverwatch” është ende i gatshëm të mbështesë këtë proces, por vetëm brenda kornizës së konceptit të përshkruar më sipër, të udhëhequr dhe porositur nga ministria juaj. Së fundi, dua të theksoj se e vlerësoj shumë punën e Shpresa Loshajt, “Pishtarëve” dhe aktivistëve të tjerë në vendin tuaj. Pa mundin e tyre, pasionin dhe angazhimin e tyre, problemet dhe ankesat si në luginën e Lumëbardhit nuk do të ishin të dukshme. Me shumë mundësi, nuk do të kishte as një vendim gjykate. Ne kemi nevojë për njerëz të guximshëm si ajo dhe të tjerët për të bërë një ndryshim për mirë. Prandaj, ne në “Riverwatch” shpresojmë të vazhdojmë punën tonë me ta në të ardhmen. Me respekt, Ulrich Eichelmann CEO i Riverwatch *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Policia konfirmon raportimin e Klankosova.tv: Mesazhi për bombë dyshohet se erdhi nga Serbia 1 day
Kosova Osmani: Mbrojtja e të drejtave të pacientëve, indikator i rëndësishëm i funksionimit demokratik të shtetit 1 day