Kryeqyteti për të pestin vit me radhë pa derbi lokal në Superligë NULL NULL 24.07.2024 12:45 24.07.2024 12:45 Prishtina, Flamurtari, Superliga. Foto: Zëri Drita – Gjilani vazhdon të mbetet ndër duelet më të zjarrta në futbollin e Kosovës. Përtej kësaj, deri këtë edicion që nis më 10 gusht, ky ballafaqim ishte edhe i vetmi derbi lokal në katër vitet e fundit që e kishte elita e futbollit kosovar. Megjithatë edicioni 2024/2025 e prodhon edhe një tjetër të tillë, pasi kampioni aktual, FC Ballkani do t’i ketë katër përballje me FC Suhareken e promovuar sivjet në Albi Mall Superligë, transmeton klankosova.tv. Karakteristikë e viteve të fundit është mungesa e një derbi të qytetit në Prishtinë. Që nga rënia e Flamurtarit në sezonin 2019-2020, asnjë skuadër tjetër e kryeqytetit nuk ka arritur të inkuadrohet në Superligë, nga katër ekipe që garojnë në Grupin A të Ligës së Parë (Flamurtari, 2 Korriku, Ramiz Sadiku e Prishtina e Re). Ndërkaq edicioni i fundit që qendra më e madhe e shtetit kishte më shumë se dy skuadra në Superligë, ishte ai 2008/2009 kur 2 Korriku po shijonte herën e fundit në mesin e më të mirëve në Kosovë, kurse aty ishin edhe Flamurtari e Prishtina. Ndonëse edhe liga ishte më e zgjeruar, sezoni i parë pas luftës e pasuronte elitën kosovare në futboll me plot 5 klube, teksa në fund të kampionatit vetëm 2 Korriku nuk e siguronte mbijetesën. Prishtina, Flamurtari, Kosova e Besëlidhja ishin skuadrat që vazhdonin t’i jepnin kryeqytetit ndeshje derbi, njofton klankosova.tv. Prishtina e Re është klubi që sezonin e kaluar arriti deri në ndeshjen finale të barazhit, por që u mposht nga Feronikeli’74 dhe nuk arriti të inkuadrohet në Superligë. Ndërkohë, Prishtina mbetet skuadra e vetme nga përbërja aktuale e Superligës që asnjëherë nuk ka rënë në ndonjë kategori më poshtë se ajo elitare.