Krimet e luftës, Specialja kërkon ndryshime ligjore dhe më shumë bashkëpunim ndërkombëtar NULL NULL 22.06.2026 11:37 22.06.2026 11:37 Mungesa e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, korniza e papërshtatshme ligjore dhe vështirësitë në sigurimin e provave mbeten ndër sfidat kryesore në ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë, u tha në panelin diskutues “Forcimi i kapaciteteve profesionale në ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë”, të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Përfaqësues të Prokurorisë Speciale, Odës së Avokatëve të Kosovës dhe shoqërisë civile vlerësuan se, pavarësisht rritjes së numrit të aktakuzave dhe zbatimit të gjykimeve në mungesë, nevojiten reforma të mëtejshme ligjore, trajnime profesionale dhe mekanizma më efikasë për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Udhëheqësi i Departamentit për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale, Ilir Morina, tha se institucionet kanë treguar gatishmëri për trajtimin e këtyre rasteve, por përballen me sfida që tejkalojnë vullnetin institucional. “Mungesa e vullnetit nuk është, ka një gatishmëri për me punë vazhdimisht në adresimin e krimeve të luftës, sfidat janë përtej vullnetit. Ne kemi bërë maksimumin brenda kapaciteteve dhe mundësive, qoftë buxhetore, institucionale. Korniza ligjore aktuale nuk është e mjaftueshme, një kornizë ligjore e cila është e përshtatshme për krim të organizuar. Ne këtë sfidë e kemi ende sepse po punojmë me ligje të vjetra, qoftë ai i ish-Jugosllavisë, Kodi i Procedurës, i cili nuk është mjaftueshëm i përshtatshëm në rastet e krimeve të luftës. Struktura institucionale, kur e kemi pranuar këtë çështje nga EULEX-i, është dashur t’i ndërtojmë mekanizmat e brendshëm, në mënyrë që të jemi të gatshëm dhe të përballemi me sfidat”, tha ai. Morina theksoi se mungesa e bashkëpunimit juridik me Serbinë dhe shtete të tjera mbetet një prej pengesave më të mëdha për hetimin e rasteve. “Sfidë shumë e madhe është mungesa e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, me theks të veçantë me Serbinë, por edhe me vende të tjera, ish-Gjykatën Penale për Jugosllavinë. Të gjitha provat gjenden në Serbi apo jashtë territorit të Kosovës, por edhe të pandehurit. Mungesa e këtij bashkëpunimi është një sfidë e madhe. Tani kemi një mundësi të paraqesim aktakuza në mungesë. Gjykimi në mungesë nuk është për herë të parë. Është zgjidhja më e mirë dhe po mundohemi ta aplikojmë. Në kuadër të kësaj, është mungesa e një databaze të veçantë të rasteve të krimeve të luftës. Identifikimi i provave është një sfidë e madhe. Shumë informacione ekzistojnë, por janë të shpërndara. Frika që nuk ka informacion nuk ekziston, por ato duhet mbledhur dhe vendosur në një vend në shërbim të Prokurorisë Speciale”, tha ai. Naim Rudari nga Oda e Avokatëve të Kosovës tha se gjykimi në mungesë është ende një institut i ri në Kosovë dhe kërkon përgatitje shtesë profesionale. “Pra, siç e dimë që edhe gjykimi në mungesë është një institut i ri tek ne dhe akoma ka nevojë për përgatitje, për trajnime, për aplikimin e këtij instituti me profesionalizëm të lartë, e sidomos kur bëhet fjalë për gjykimin në mungesë, sepse prapë Oda ka vështirësi edhe në angazhimin e avokatëve. Por si të gjithë ne duhet të jemi profesionistë, ta bëjmë punën tonë. Është dashur që ne t’i bindim avokatët që ata, përveç mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të akuzuarve, eventualisht ndihmojnë faktin dhe drejtësinë. Pra, a më kupton se çfarë po them, ndonëse ka raste kur keqkuptohet pozita e atij dhe mendohet ndryshe, por gjithsesi ndihmon drejtësinë, ndihmon gjykatën dhe ndihmon prokurorinë për të bërë punën e tyre në mënyrën sa më të mirë të mundshme”, tha ai, raporton EO, transmeton Klankosova.tv. Ai shtoi se mungojnë trajnimet e specializuara, veçanërisht nga ekspertët ndërkombëtarë. “Në anën tjetër, ne jemi në mungesë të trajnimeve, e sidomos nga ekspertë ndërkombëtarë të kësaj fushe, pasi siç e dimë edhe në raste të tjera, jo vetëm te krimet e luftës, ka vështirësi në aplikimin e këtij instituti, pra të gjykimit në mungesë. Por besojmë që në vijim do të mbahen trajnime për avokatët, sepse ata janë pjesë e sistemit të drejtësisë”, tha Rudari. Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë tha se trajtimi i krimeve të luftës mbetet një nga sfidat më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë. “Në Kosovë mbetet një nga sfidat më të rëndësishme dhe komplekse të sistemit të drejtësisë. Përtej rëndësisë juridike, këto procese kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurimin e drejtësisë për viktimat e luftës, luftimin e mosndëshkimit dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Gjatë viteve të fundit kemi parë zhvillime të rëndësishme në këtë fushë, përfshirë rritjen e numrit të aktakuzave për krime të luftës dhe zbatimin e gjykimeve në mungesë”, tha ai.