Kreshnik Spahiu: Pse u gris flamuri shqiptar dje në Kosovë? NULL NULL 25.07.2025 19:41 25.07.2025 19:41 Ajo që pritej, ndodhi. Dje, flamuri kombëtar shqiptar u shkel me këmbë dhe u shtyp me makinë nga disa të rinj, të shoqëruar me sharje antishqiptare. Nuk ndodhi në Serbi. Nuk ndodhi në Maqedoninë e Veriut. Nuk ndodhi në Greqi. Dje, flamuri kuqezi u përdhos pikërisht atje ku, vitet e fundit, është kultivuar dhe sponsorizuar më shumë urrejtja ndaj Shqipërisë: në Kosovë. Ndodhi atje ku po tentohet ndarja nga kombi shqiptar dhe po promovohen idetë e një “kombi kosovar”. Ndodhi atje ku, prej gjashtë muajsh, vendi është pa qeveri dhe pa Kuvend. Ndodhi atje ku dyert për Qeverinë e Shqipërisë janë mbyllur. Ndodhi atje ku mosmirënjohja ka shkelur bukën e aleatëve që ndihmuan në krijimin e shtetit të Kosovës. Ndodhi atje ku vranë dhe spiunuan njëri-tjetrin, dhe ku çlirimtarët u dërguan në burgje. Ndodhi atje ku është shpallur luftë ndaj të gjitha partive shqiptare – në Shqipëri, Maqedoni, Preshevë e Mal të Zi. Ndodhi atje ku qeveria e Kosovës e sheh opozitën shqiptare më armike se Beogradin. Ndodhi atje ku është harruar nderi që i bënë Amerika dhe Europa. Ndodhi atje ku u harrua mikpritja e Shqipërisë në kohën kur Serbia dëboi e përdhunoi mijëra shqiptarë të Kosovës. Sot, Policia e Kosovës liroi autorët e këtij akti të turpshëm. Ata harruan mijëra vjet luftë për flamurin kuqezi – luftë e prindërve dhe gjyshërve të tyre. Harruan gjakun që është derdhur për flamurin dhe për Shqipërinë. Ata nuk janë fëmijë të mitur, por një rini e gjakprishur, e helmuar nga ata që kanë shtrembëruar dashurinë për atdheun dhe simbolet tona kombëtare. Ata harruan nënën Shqipëri. Unë e prisja prej kohësh që të ndodhte poshtërimi i flamurit kuqezi, sepse Kosova është në duart e politikanëve të pashpirt. Grisja e flamurit ishte veç çështje kohe, nga ata që e kanë larguar Kosovën nga Shqipëria më shumë se kurrë në historinë e kombit tonë.