Krasniqi reagon ndaj Thaçit: Komunikata nr.59 është shkruar në Kosovë NULL NULL 15.02.2019 10:12 15.02.2019 10:12 Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka reaguar ndaj intervistës së Presidentit Hashim Thaçi që pati më 13 shkurt për RTK-në, i cili i kërkoi falje Gani Gecit për komunikatën numër 59 të UÇK-së. Krasniqi tha sa meqenëse Thaçi gjatë intervistës së tij përmendi edhe zëdhënësit e UÇK-së,ai e shoh të domosdoshme të deklarohet publikisht për shkak se sipas tij Thaçi tha shumë gjëra që nuk përputhen me realitetin. “Hashim Thaçi si udhëheqës politik i UÇK-së e di shumë mirë se asnjë komunikatë e UÇK-së nuk është lëshuar “nga banhofat me qëllim që të përçajë UÇK-në”. Sikur të kishte ndodhur një gjë e tillë ne do të kishim reaguar që në atë kohë kundër çfarëdo tendence të tillë”, ka shkruar Krasniqi. Këtu më poshtë e keni shkrimin e plotë: Reagim Në intervistën e datës 13 shkurt 2019 për RTK-në Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kërkoi falje Gani Gecit për komunikatën numër 59 të UÇK-së. Meqenëse gjatë intervistës së tij ai përmendi edhe zëdhënësit e UÇK-së, e shoh të domosdoshme të deklarohem publikisht për shkak se tha shumë gjëra që nuk përputhen me realitetin. – Hashim Thaçi si udhëheqës politik i UÇK-së e di shumë mirë se asnjë komunikatë e UÇK-së nuk është lëshuar “nga banhofat me qëllim që të përçajë UÇK-në”. Sikur të kishte ndodhur një gjë e tillë ne do të kishim reaguar që në atë kohë kundër çfarëdo tendence të tillë; – Hashim Thaçi e di fare mirë se asnjë komunikatë që përmban lista me emrat e Ibrahim Rugovës dhe veprimtarëve të tjerë politik shqiptarë nuk është lëshuar në emër të SHP të UÇK-së, sepse do të kishim reaguar që në atë kohë, pasi lufta kishte adresë të vetëm pushtuesin; – Hashim Thaçi e di fare mirë kundërshtimin tim dhe të shumicës së komandantëve të Zonës Operative të Drenicës për Komunikatën numër 59, sepse është mbështetur në gjëra të pa vërteta dhe denigruese për zotin Geci; – Kundërshtimin tim do ta kisha shprehur në rast se e njëjta gjë do të ishte bërë kundër cilësdo familje shqiptare qoftë; – Hashim Thaçi e di se që nga viti 1998 të gjitha komunikatat janë shkruar në Kosovë dhe nëse duhet të kërkohet falje për Komunikatën 59 atëherë ajo duhet të jetë e sinqertë e jo “të gjuhet guri e të fshihet dora”, siç thotë një shprehje popullore. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.