KQZ dhe Komisioni i Venecias mbajnë punëtori për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit NULL NULL 26.06.2025 16:09 26.06.2025 16:09 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Komisionin e Venecias të Këshillit të Evropës organizuan punëtorinë për mësimet nga zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 9 shkurt 2025. Në njoftimin e lëshuar nga KQZ-ja thuhet se gjatë kësaj punëtorie, ku morën pjesë anëtarë dhe zyrtarë të KQZ-së, përfaqësues të institucioneve të ndryshme (Avokati i Popullit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Agjencioni për Parandalimin e Korrupsionit) u trajtuan çështje të ndryshme nga zgjedhjet e 9 shkurtit, me theks të veçantë zgjidhjen e kontesteve zgjedhore dhe monitorimin, dokumentimin dhe sanksionimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore. “Në hapje të punëtorisë, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi shprehu mirënjohje për Komisionin e Venecias për prezencën e tyre në vendin tonë, si një dëshmi e qartë e përkushtimit të përbashkët për të mbështetur standardet demokratike, transparencën dhe sundimin e ligjit në proceset zgjedhore në Kosovë dhe më gjerë”. “Po ashtu, kryesuesi Radoniqi shpalosi ecurinë e procesit të fundit zgjedhor dhe sfidat me të cilat është përballur KQZ dhe për mësimet që të bëhen përmirësimet e nevojshme për proceset e ardhshme zgjedhore. Ndërkaq, nga Sekretariati i Komisionit të Venecias, Michael Janssen falënderoi KQZ-në për këtë organizim të përbashkët dhe shprehu rëndësinë e trajtimit të rekomandimeve”, thuhet në njoftim. KQZ shtoi se punëtoria e organizuar është në përputhje me praktikën standarde të Komisionit të Venecias, i cili zakonisht ofron asistencë para ose pas zgjedhjeve gjatë të cilave merr pjesë në misione vëzhgimi të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE). “Qëllimi i takimit është të ndihmojë në analizën paszgjedhore dhe të kontribuojë në forcimin e integritetit dhe funksionalitetit të proceseve zgjedhore në Kosovë. Në zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Kosovës, një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) ka qëndruar në Kosovë me qëllim që të vlerësojë fushatën zgjedhore dhe klimën politike para zgjedhjeve parlamentare të cilat u mbajtën më 9 shkurt 2025”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Murati pas vendimit të Kushtetueses: Votimi i fshehtë lejohet – s’ka nevojë të pritet 30 ditë 44 minuta më parë