Kosova, strehë e të padëshiruarve nga vendet Perëndimore NULL NULL nga Liridona Gashi 11.06.2025 15:33 nga Liridona Gashi 11.06.2025 15:33 Pamje e burgut në fshatin Pasjak, Gjilan, 27 maj 2024. Foto: Reuters Ndonëse vend i vogël, si me popullsi ashtu edhe me territor, Kosova ka marrë fokus të madh nga shtetet aleate për një çështje. Danimarka ishte vendi i parë që arriti marrëveshje me qeverinë e Kosovës për strehimin e rreth 300 të burgosurve, shtetas të huaj në këtë vend. Ditë më parë u raportua se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po duan një marrëveshje të ngjashme me Kosovën, ku në fokus është pranimi dhe zhvendosja e përkohshme të shtetasve nga vendet e treta. Gjatë ditës, Qeveria në detyrë e Kosovës është shprehur e hapur për të qenë pjesë e këtij procesi. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, e cila ka konfirmuar për Klan Kosova se e vlerëson këtë bashkëpunim si pjesë e një prioriteti të rëndësishëm të Administratës Trump. “Jemi mirënjohës ndaj partnerit tonë, Kosovës, për pranimin e shtetasve të vendeve të treta të larguar nga Shtetet e Bashkuara dhe për lehtësimin e kthimit të sigurt të tyre në vendet e origjinës. E mirëpresim bashkëpunimin në këtë prioritet kyç të Administratës Trump”, tha një zëdhënës i Ambasadës. Aty u tha po ashtu se zbatimi i politikave të imigracionit të Administratës Trump mbetet një ndër prioritetet kryesore të Departamentit të Shtetit. “Angazhimi i vazhdueshëm me qeveritë e huaja është thelbësor për të parandaluar migrimin e paligjshëm dhe në masë, si dhe për të siguruar kufijtë tanë. Partnerët e ShBA-së dhe udhëheqësit rajonalë po punojnë ngushtë me ne për t’i dhënë fund krizës së migrimit të paligjshëm dhe në masë. Siç ka deklaruar Sekretari Rubio, mbetemi të vendosur në angazhimin tonë për të ndaluar migrimin e paligjshëm dhe për të forcuar sigurinë kufitare të Amerikës”, potencoi ky zëdhënës, njofton Klankosova.tv. Veç qeverisë amerikane, edhe shteti tjetër aleat i Kosovës, Britania e Madhe, po shqyrton mundësinë që të strehojë azilkërkuesit e refuzuar që mbërrijnë me gomone në Mbretërinë e Bashkuar, raportoi para disa ditësh “The Times”. Sipas gazetës, Kosova është në listën e ngushtë të vendeve ku Londra synon të hapë “qendra kthimi”, përfshirë edhe Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinën. Përfaqësues të qeverisë së kryeministrit Keir Starmer u tha se pritet të nisin bisedime zyrtare me shtetet e përzgjedhura për të arritur një marrëveshje që do t’i lejonte Britanisë të transferojë azilkërkuesit pas ezaurimit të procedurave ligjore në vend. Më 2022, qeveritë e Kosovës dhe të Danimarkës nënshkruan marrëveshje 10-vjeçare përmes së cilës, vendi ynë do t’ia lëshojë vendit nordik me qira rreth 30 qeli të burgut në Gjilan. Ky projekt pritet të fillojë së zbatuari më 2027, ndërsa shtetit danez do t’i kushtojë 210 milionë euro në dhjetë vitet e ardhshme. Sipas marrëveshjes që u miratua nga deputetët e Kuvendit të Kosovës më 23 maj të vitit 2024, i bie që të burgosurit nuk do të jenë danezë, por me kombësi tjera. Edhe rajoni “infektohet” me marrëveshje për strehim të emigrantëve Pos ShBA-së e Danimarkës, Kosovën për çështje të njëjtë po e duan edhe shtete tjera, si Belgjika e Austria. Të dy këto vende kanë shprehur interesim të lidhin marrëveshje me Kosovën për burgje me qira. Qeveria e Austrisë ka thënë vitin e kaluar se dëshiron të vazhdojë me planet që mundësojnë transferimin e kriminelëve të dënuar nga vendet e treta për të vuajtur dënimin e tyre në Kosovë. Këtë e kishte diskutuar Ministri i Brendshëm austriak, Gerhard Karner, në takimin që kishte pasur me Ministrin e Drejtësisë së Danimarkës, Peter Hummelgaard, transmeton KlanKosova.tv. Në takimin bilateral, Karner ka pyetur rreth planeve dhe opsioneve të Danimarkës. “Objektet e paraburgimit si ato që Danimarka po planifikon në Kosovë janë gjithashtu pjesë e planit të kancelarit Karl Nehammer për Austrinë”, ka thënë Karner. Po ashtu, prillin e vitit 2024, partia belge N-VA (Aleanca e Re Flemish – një parti politike nacionaliste dhe konservatore flamande në Belgjikë) doli me një propozim për të vendosur në Kosovë të burgosurit që nuk kanë nënshtetësi belge. Theo Francken nga kjo parti, e bëri këtë propozim për median belge “Het Nieuwsblad”. Ai si duket për këtë ide të tijën është frymëzuar nga danezët, të cilët kanë kohë që kanë arritur një bashkëpunim të tillë me Kosovën. Francken ka theksuar se dërgimi i njerëzve pa dokumente belge që duhet të kryejnë një dënim me burg në një vend tjetër është një projekt që përshtatet në mënyrë të përkryer me ndalimin e azilit që ai dhe partia e tij kanë mbrojtur për shumë kohë. Shqipëria, strehë e të padëshiruarve nga Italia Qendër e emigrantëve në Ballkanin Perëndimor është bërë edhe Shqipëria, kjo pasi më 6 nëntor 2023 kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes, porti i zbarkimit është Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër. Marrëveshja mes tyre tashmë veçse ka nisur së zbatuari, pasi fillimisht hasi në kundërshti në Itali. Ndërkaq, Belgjika, pos me Kosovën, ka shprehur interesim që të fillojë një marrëveshje edhe me Shqipërinë për të vendosur atje të burgosurit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç me Kosovën, synojnë që marrëveshje për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve nga vendet e treta të arrijnë edhe me vende tjera të Ballkanit. KMDLNj kundër burgut danez në Kosovë Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka hedhur kritika të ashpra ndaj qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Drejtësisë për marrëveshjen me Danimarkën. Në reagimin e datës 11 qershor 2025, KMDLNj ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu e quan “ministre me kapacitet të kufizuar profesional”. Ky këshill, të dënuarit e Danimarkës thotë se “do të trafikohen në Kosovë përmes një kompensimi simbolik janë nga vendet e treta, të dënuar për krime të rënda si dhe për radikalizëm islamik”. “MD përmes një ministreje me mungesë të theksuar të kompetencës profesionale tërë kohën kanë mashtruar publikun në Kosovë duke e fshehur profilin e të dënuarve të cilët Danimarka nuk ka arritur t’i risocializojë, prandaj i ka paketuar në Kosovë. Zyrtarët e MD-së në Kosovë pohojnë se nuk do të lejojnë që në Kosovë të vendosen të dënuar për krime të rënda, radikalë islamikë, terroristë apo të dënuar për krime lufte e që është mashtrim ordiner për faktin se burgu në Pasjak për 10 vite është 100 për qind nën juridiksionin danez dhe autoritetet kosovare mund të sigurojnë qasje vetëm me leje të autoriteteve të Danimarkës”, tha KMDLNj. /Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Rivarrimi me nderime ushtarake i dëshmorëve në Vrellë, familjarëve u dorëzohet Flamuri Kombëtar (VIDEO) 6 orë më parë
Kosova 250-vjetori i Ushtrisë Amerikane, Haradinaj: Trimëria dhe përkushtimi i tyre, frymëzim për ne 7 orë më parë