Zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e shtetit të Kosovës (II) 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 25.12.2020 08:32 25.12.2020 08:32 Negociatat për krijimin e pushtetit qendror, pas këtyre zgjedhjeve, do të bëhen në mënyrë të njëkohshme për dy postet kyç në institucionet qendrore të Kosovës: Atë të Presidentit dhe të Kryeministrit. Zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit të vitit 2019-të, patën një veçori interesante sa i përket mungesës së koalicioneve parazgjedhore të tri subjekteve kryesore në vend, të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, të LDK-së dhe PDK-së, gjë që në masë të madhe ishte edhe reflektim i zhvillimeve të njohura politike me ato zgjedhjet paraprake, të qershorit të vitit 2017-të, me ato dy koalicionet e LDK-së me AKR-në, dhe atë të PAN-it (PDK, AAK, ‘Nisma për Socialdemokraci’), të cilat synonin që ta paragjykonin rezultatin e zgjedhjeve disa javë para se të hapeshin Qendrat e votimit, apo ta paracaktonin fituesin e tyre. Dihet që këto dy partneritete para-votuese, çrregulluan më pas shumë skenën politike në vend, dhe i ofruan një monopol në opozitarizëm Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ që atëbotë, në vitin 2017 pra, shënoi deri tash rezultatin më të mirë në zgjedhje, duke siguruar 32 mandate në Kuvend. Kësaj here nuk priten koalicione të këtij lloji me pretendime të mëdha për sigurimin e fitores qysh në momentin kur krijohen koalicionet parazgjedhore. Megjithatë, për dallim prej zgjedhjeve paraprake, duket që dy partitë që herën e kaluar garuan së bashku dhe mezi kaluan pragun zgjedhor prej 5%, apo, ‘Nisma’ dhe AKR, nuk do t’i rrezikojnë edhe një herë ‘ethet paszgjedhore’, (të numërimit të çdo vote), apo, do t’i bashkohen ndonjërit prej tre garuesve kryesorë. ‘Nisma’ e Fatmir Limajt dihet që ka një afërsi natyrore me PDK-në (votat e këtyre dy subjekteve politike janë kompatibile), teksa supozohet që ky bashkim do ta forconte PDK-në, e cila synon që ta kalojë rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit, kur siguroi 24 mandate në Kuvendin e Kosovës, rezultat ky më i dobët në historinë e kësaj partie, i cili në masë të madhe ishte ndëshkim i të qenit në pushtet për 12 vjet të plota (prej vitit 2007-të deri në vitin 2019-të). Megjithatë, ky rezultat atëbotë, pikërisht për shkak të dukurisë të ‘konzumimit nga pushteti’, u vlerësua si një sukses i padiskutueshëm i PDK-së. Në anën tjetër AKR duket që i ka dy opsione: Të shkojë me Lëvizjen ‘Vetëvendosje’, ose me LDK-në. Kur AKR garoi së bashku me LDK-në, në vitin 2017-të, pati siguruar 4 mandate (sepse në këtë rast, votuesit e AKR-së janë shumë të afërt me ata të LDK-së), por më pas ndodhi ajo lëvizja e AKR-së kah PAN-ni, gjë që me gjasë ende mbahet në mend në kreun e LDK-së. E panjohura më e madhe aktuale në këtë kontekst është vendimi dhe orientimi i Vjosa Osmanit, e cila në zgjedhjet e kaluara ishte kandidate e nominuar e LDK-së për postin e Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës. LDK mori 28 mandate në Kuvend, një më pak se Lëvizja ‘Vetëvendosje’. Dihet e gjithë historia e divorcit të rëndë të Osmanit dhe LDK-së. Duket që shpejtësia e organizimit të këtyre zgjedhjeve nuk i konvenon fare Osmanit, sepse ka pak kohë për ta bërë si duhet atë Nismën qytetare (të paralajmëruar prej saj), e cila do të garonte e vetme në këto zgjedhje. Pesha e saj reale politike do të kuptohej pikërisht në këtë rast, teksa kalimi eventual i pragut zgjedhor jo vetëm që do të shihej si një arritje solide, por edhe do të ishte paralajmërim që kjo Nismë qytetare më pas mund të shndërrohen në parti, teksa në këtë periudhën afatshkurtër kohore, do të kishte rëndësi të madhe për fuqizimin e rolit pas-zgjedhor të Albin Kurtit dhe Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, në procesin e krijimit të pushtetit qëndror. Por, dilemat e pritshme të Osmanit në këtë kontekst (që kanë të bëjnë me kalimin e pragut zgjdhir), mund ta detyrojnë ate që me Nismën e saj qytetare t’i bashkangjitet Listës së Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, për të siguruar mandate për vete dhe për bashkëpunëtorët e saj. Një tjetër tipar i këtyre zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pritet të jetë mungesa e ‘Vijave të kuqe’, veçmas në marrëdhëniet në mes të LDK-së dhe PDK-së, midis tjerash, edhe si pasojë e prishjes së madhe të relacioneve në mes të LDK-së dhe ‘Vetëvendosjes’. ‘Vijat e kuqe’, siç u kuptua më së shumti pikërisht në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk ndryshuan në mënyrë substanciale rezultatin final të zgjedhjeve (sepse LDK ishte në garë me ‘Vetëvendosjen’ për vendin e parë, dhe jo me PDK-në), teksa pas zgjedhjeve, ato veçsa komplikuan rrjedhën politike, dhe dobësuan ndjeshëm potencialnin negociator të udhëheqësisë së LDK-së. Veçoria shtesë e këtyre zgjedhjeve është pozicioni politik startues i favoritit për Albin Kurtin dhe Lëvizjen e tij qysh para se të caktohet data e zgjedhjeve. ‘Vetëvendosje’ realisht pati një rënie të lehtë në zgjedhjet e vitit të kaluar, krahasuar me rezultatin e vitit 2017-të. Pra, kjo parti mori herën e fundit 29 mandate (gjë që e bënte ‘Vetëvendosjen’ si partinë fituese me më së paku mandate në historinë e parlamentarizmit kosovar), krahasuar me atë rezultatin befasues të vitit 2017, kur Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij arritën të sigurojnë 32 deputetë në legjislaturën e gjashtë. Synimet e shfaqura publikusht të zyrtarëve të ‘Vetëvendosjes’ janë që kjo parti ta bëjë atë që nuk e ka arritur as LDK-ja në kohën e Presidentit Rugova, (LDK në dy palë zgjedhje, në vitet 2001 dhe 2004, pati marrë nga 47 deputetë), apo, që ‘Vetëvendosje’ të kalojë atë ‘numrin magjik’ prej 50 deputetësh shqiptarë (apo edhe më shumë) në Kuvendin e Kosovës. Sipas kalkulimeve të vet përfaqësuesve të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, për ta mbërri këtë rezultat, kjo parti do të duhej të merr gati 200 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e 6 tetorit (2019), apo, pak më pak se LDK pati marr si parti në zgjedhjet e kaluara. Ky do të ishte një lloj i ‘Revolucionit zgjedhor’, i cili si i tillë do të ishte i pakrahasueshëm me të gjitha zgjedhjet parlamentare në Kosovë, por në përgjithësi, edhe me gjithë historinë e demokracisë parlamantare në vend. Lidershipi i ‘Vetëvendosjes’, në përmbushjen e këtij synimi, pret që qytetarët e Kosovës do të reflektojnë për atë qeverisjen njëqind ditëshe të Albin Kurtit si Kryeministër, (gjatë pranverës së këtij viti), pastaj, që Vjosa Osmani do ta dobësojë ndjeshëm LDK-në, që lideri i LDK-së, Isa Mustafa, me gjasë, nuk do të garojë vet për postin e Kryeministrit, që PDK do të goditet nga mungesa e dy kryeprotagonistëve të saj në të kaluarën, sepse dihet që Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë në Hagë, dhe që AAK nuk do të arrijë t’i afrohet atij rezultati të vitit 2019. Më në fund, ka edhe votues fare të ri, të cilët sipas ‘Vetëvendosjes’ do të rreshtohen kah ajo, ndërsa Kurti edhe një herë (siç bëri në vjeshtë e vitit të kaluar), llogaritë në një përkrahje të shtuar të votuesve nga Diaspora. Sa janë reale këto llogari dhe parashikime të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, kjo do të kuptohet vetëm në mbrëmjen e ditës së votimeve. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen në muajin shkurt, do ta kenë edhe një tipar që votimet tek ne që nuk e kanë pasur qysh nga zgjedhjet e përkohshme parlamentare (të parave në shtetin e Kosovës), të vitit 2010. Kësaj radhe (si atëherë), te tri postet kryesore të pushtetit qendror janë të hapura, pra, ai i Kryetarit të Kuvendit, të Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës dhe i Presidentit të Kosovës. Në Mbledhjen konstitutive të Kuvendit të Kosovës, pas verifikimit të mandateve të deputetëve të tij, me propozimin e partisë fituese në këto zgjedhje (e cila ka siguruar më së shumti deputetë në këtë përbërje të Kuvendit), së pari do të zgjedhet Kryetari i Kuvendit. Hapi i dytë, që me gjasë është vendimtari për një stabilitet afatmesëm të politikës kosovare është zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës. Këtu, siç e dimë tani të gjithë, kërkohet prania e së paku 80 deputetëve dhe kandidimi i së paku dy pretendentëve për këtë pozitë. Nëse dështon zgjedhja e Presidentit, nuk arrihet fare tek ai hapi i tretë i krijimit të Qeverisë së Kosovës, apo, Kuvendi shpërbëhet dhe shkohet në zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, pas 45 ditësh. Kësaj here pra, partia fituese në këto zgjedhje, duhet të gjejë dy palë partnerë: Për ta bërë Qeverinë e re të Kosovës (këtu duhet shumica nga përbërja e Kuvendit, apo, 61 deputetë), dhe për ta mundësuar zgjedhjen e Presidentin e Kosovës (këtu duhet shumica prej dy të tretave). Kjo do të thotë që negociatat për krijimin e pushtetit qëndror do të bëhen në mënyrë të njëkohshme për te dy këto poste kyç në institucionet qendrore të Kosovës. Albin Kurti dhe Lëvizja ‘Vetëvendosje’, nga ky pikëshikim, e kanë të domosdoshme, nëse duan të mbeten kryeprotagonistët e këtij procesi të zgjedhjes së Presidentit dhe të formimit të Qeverisë së re, që të fitojnë së paku 41 mandate në Kuvendin e Kosovës (një numër më i vogël se sa pretendimet e Kurtit dhe të përkrahësve të tij). Në atë rast, pa ‘Vetëvendosjen’ nuk mund të ketë Quorum prej 80 deputetësh për zgjedhjen e Presidentit. Supozohet që Kurti në këto rrethana eventuale do ta ketë plotësisht iniciativën në duartë e veta, ashtuqë ai do të mund ta imponojë një kandidat për Presidentin e Kosovës, i cili anon kah ‘Vetëvendosje’ (pa qenë pjesë e kësaj partie), apo, edhe ta zgjedhë atë të propozuarin eventual nga partia shqiptare për këtë pozitë, e cila do të jetë partnere e tij në Qeverinë e re të Kosovës. Kurti me siguri gjatë bisedimeve me partitë e tjera politike shqiptare do ta përdorë edhe letrën e kërcëninimit me zgjedhjet e reja parlamentare, në të cilat, sipas tij, do të fitojë edhe më shumë mandate se kësaj here. Poqëse Kurti dhe ‘Vetëvendosje’ nuk do ta kalojnë numrin prej 40 deputetëve në Kuvendin e Kosovës, atëherë, në vijim të Aktgjykimeve të njohura të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, do ta marrin postin e Kryetarit të Kuvendit, dhe në teori së paku, do të mund të anashaklohen në përzgjedhjen e Presidentit të ri dhe të Kryeministrit dhe Qeverisë së re. Të gjithë 80 deputetët e tjerë, nëse bëhen bashkë, (gjë që kur dihet përvoja e viteve të kaluara, duket një operacion fare i pamundur), do të mund ta zgjedhin Presidentin e ri dhe Qeverinë e re, teksa ‘Vetëvendosje’ do të mbetej në opozitë. Sidoqoftë, duket që zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë kanë një rëndësi të pashoq (krahasuar me të gjitha zgjedhjet paraprake, pas bërjes së shtetit të Kosovës), për zhvillimet afatmesme politike në Kosovë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.