Vetëvendosja t’i adaptohet sistemit demokratik - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Vetëvendosja t’i adaptohet sistemit demokratik

123
string(12) "Bajram Gecaj" NULL
30.08.2015 19:33

Gjatë vitit të kaluar, në kohën gjersa tentonim një koalicion qeverisës ndryshe (VLAN), me rastisi të bisedoja më gjatë me aktivistë të Vetëvendosjes në lidhje me veprimet e shumta të tyre të palogjikshme politikisht.

Me njërin nga këta aktivistë diskutova mbi aksionin e tyre të mëhershëm të rrëzimit të kamionëve.

I thashë se e kisha një dajë si “ujk” dhe të cilit i ishin dashtë disa vite punë të lodhshme të mblidhte paratë për të blerë një kamion, me të cilin tani ai nxirrte bukën e gojës.

Daja im do të mund të vendoste të bartte mallra edhe nga Serbia, pasi që këtë ia mundëson korniza ligjore e Republikës së Kosovës. Po të tentonit t’ia rrëzoni kamionin dajës tim, i thash, do të merrnit një “dajak” të cilën nuk do ta harronit deri sa të ishit gjallë.

Është plotësisht jologjike, kundërligjore dhe johumane të sulmohet prona private, diçka të cilën aktivistët kryeneçë të Vetëvendosjes po vazhdojnë ta bëjnë çdo ditë.

Këto metoda janë metodat e mëhershme të komunistëve revolucionarë, të cilët pa fije turpi e njerëzie sulmonin pronat individuale, madje edhe ekzekutonin individë në mënyrë e vende publike, vetëm e vetëm pse ishin të pasur apo se ishin pjesë e inteligjencës së atëhershme “borgjeze”.

Këta aktivistë nuk kanë punë me shtëpinë dhe familjen e Kryeministrit Mustafa, por duhet të ballafaqohen me Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Këtë ballafaqim do të duhej ta bazonin në fakte dhe ta shpjegonin me terma konkrete, e jo të dalin dhe të murmurojnë pa asnjë sens, me terma të përgjithshëm e me gjuhë të padefinuar.

Edhe LDK, që është parti larg më e madhe se Vetëvendosja, do të mund të mblidhte një kundërmasë për të kundërshtuar atë grusht të vogël të aktivistëve të Vetëvendosjes.

Por, ne jemi parti institucionaliste dhe besojmë se problemet në demokracitë e tipit perëndimor zgjidhen në kuadër të institucioneve, e jo duke sulmuar pronat dhe familjet e kryefunksionarëve të shtetit të pavarur të Kosovës.

Nuk është për t’u çuditur për veprimet e tilla, të cilat vijnë nga individë të cilët edhe nuk e njohin Republikën e Kosovës, republikë kjo e fituar me gjakun e atyre në emër të të cilëve thirren këta aktivistë.

E megjithatë, këta aktivistë me pafytyrësi vazhdojnë të gëzojnë të gjitha benificionet e shtetit të cilin nuk e njohin.

Unë e ftoj anëtarësinë e ndershme dhe konstruktive të kësaj lëvizjeje/partie të bëjnë presion në udhëheqësinë e tyre në mënyrë qe këta të fundit të punojnë dhe të veprojnë në kuadër dhe brenda kornizës së demokracisë institucionale.

 

 

Autori është zëvendësministër i Pushtetit Lokal.

lajme të ngjashme