Verdiket e Gjykatës Kushtetuese dhe politika e Kosovës (II) 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 09.12.2020 08:10 09.12.2020 08:10 Gjykata Kushtetuese nuk ka kurfarë obligimi që me Verdiktet e saja të ndikojë në stabilizimin e skenës politike të Kosovës. Detyra e vetme e kësaj Gjykate është ta bëjë interpretimin suprem të përmbajtjes së Kushtetutës së Kosovës. Janë gjithsej katër Aktgjykime të këtilla ’amandamentuese’ të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës: Ai i pari, i marsit të vitit 2011, që bëri interpretimin final të procedurave parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Me te madje mund të ndërlidhet edhe Aktgjykimi i qershorit të vitit 2012, në interpretim të Amandamenteve të Kushtetutës së Kosovës, të cilët kishin të bënin me mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës dhe me mandatin e Presidentes në detyrë, Atifete Jahjagës (këto ishin përhatitur nga një Komision i veçantë i Kuvendit të Kosovës); Ai i dyti, i korrikut të vitit 2014, me të cilin u dha një shpjegim për mënyrën e krijimit të Qeverisë së Kosovës; Ai i treti, i gushtit të vitit 2014, që përkonte me të drejtën e propozimit të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës; Ai i katërti, i majit të këtij viti (2020), që ofronte shpjegimin suprem se kur dhe si mund të mbahen zgjedhjet e reja të parakohshme në Kosovë, dhe cili është afati kohor për marrjen e mandatit nga ana e kandidatit për Kryeministër të Kosovës nga ana e partisë/ subjektit/ koalicionit, që ka dalë i pari, për nga numri i mandateve në Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet parlamentare. Në të katër këto raste, objektivisht, me synim të një leximi final/ konkludues të përmbajtjes së Neneve kontestuese (nga palët partiake të involvuara), të Kushtetutës së Kosovës, Gjykata Kushtetuese ka bërë pra një amandamentim të Kushtetutës, me synim të qartë të tejkalimit të dykuptimësive negative (ambiguitete pozitive përkojnë me Dokumente apo Marrëveshje politike, të cilat duhet t’i shërbejnë palëve që i nënshkruajnë ato, teksa në tekstet e Kushtetutës, ambiguitetet janë përherë negative), të Kushtetutës së Kosovës. Gjykata Kushtetese pra u detyrua që ta bëjë shpjegimin e gjërave që parimisht nënkuptoheshin, që ishin të logjikshme dhe të pritshme nga ana e hartuesve të Kushtetutës së Kosovës. Sidoqoftë, në tri prej këtyre katër rasteve apo Aktgjykimeve të Kushtetutës së Kosovës, Verdiktet e instancës supreme gjyqësore në vend, kontribuan shumë në stabilizimin e rrjedhave politike në vend, apo, shërbyen për tejkalimin e krizave të mëdha politike dhe parlamentare në Kosovë. Njëri prej tyre, për të cilin do të flitet më poshtë, do ta bëjë të kundërtën: Do të jetë burim i vazhdueshëm i problemeve të mëdha politike në vend, të cilat mund të marrin edhe trajtën e krizave parlamentare, të cilat në aspektin procedural, imponojnë organizimin e zgjedhjeve të reja të përkohshme të përgjithshme në vend. Përndryshe, Gjykata Kushtetuese nuk ka kurfarë obligimi që me Verdiktet e saja të ndikojë, qyshdoqoftë, në stabilizimin e skenës politike të Kosovës, apo, edhe në acarimin dhe tensionimin e saj. Mandati dhe detyra e vetme e Gjykatës Kushtetese të Kosovës (e cila tani ka përbërje të plotë kosovare), është që ta bëjë interpretimin suprem të përmbajtjes së Kushtetutës së Kosovës. Por, nëse këtu i kthehemi këtyre Aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilat patën konsekuenca pozitive në qetësimin e skenës politike të vendit, do të mund të niseshim nga Aktgjykimet shumë të rëndësishme të korrikut dhe gushtit të vitit 2014, kur Kosova pati hyrë tashmë në një verë shumë problematike politike, pas zgjedhjeve të qershorit, kur PDK e Kryeministrit Hashim Thaçit i pati fituar zgjedhjet duke siguruar mandatet e 37 deputetëve, por LDK, AAK dhe ’Nisma’ (më pas edhe Lëvizja ’Vetëvendosje’), patën krijuar një koalicion pas-zgjedhor (apo VLAN-in), duke siguruar një shumicë kualitative parlamentare (prej më shumë se dy të tretave), me të cilën synohej që të mirreshin postet e Kryetarit të Kuvendit, të Kryeministrit të Qeverisë, në këtë vit, dhe më pas (në pranverën e vitit 2016), edhe të Presidentit të Kosovës. Fillimisht, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, iu pat drejtuar me një Shkresë Gjykatës Kushtetuese, në kërkim të qartësimit të procedurës së dhënies së mandatit për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës, sepse kjo ishte kompetencë e saj, si Presidente. Verdikti i Gjykatës Kushtetuese i dha drejtim, një herë e mirë, procedurave për bërjen e Qeverisë së re, duke evituar një monopol të plotë të partisë që del e para në zgjedhje, për ta bërë Qeverinë e Kosovës. Teksa i njihej kjo e drejtë absolute në rrethin apo në përpjekjen e parë për ta bërë Qeverinë, duke e marrë mandatin nga Presidenti, në rrethin apo në synimin e dytë, Presidentit i mundësohej që të kërkonte edhe alternativa të tjera, apo bartës të tjerë të kësaj të drejte, me kusht (natyrisht), që partitë e tjera do të garantonin që kanë shumicën e duhur në përbërjen e Kuvendit, prej së paku 61 deputetëve. Për më shumë, me këtë Aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Kosovës (kushdo që është ai ose ajo), kishte për detyrë që në pajtim me mandatin e tij (të garantimit të stabilitetit të vendit dhe të funksionimit të institucioneve të Kosovës), gjithsesi të shmangte organizimin e zgjedhjeve të reja të përgjithshme, për shkak të dështimit të krijimit të Qeverisë së re të Kosovës. Në këtë mënyrë pra, u definua qartë që partia që del e para në zgjedhje, nuk ka monopol dhe as të drejtë të veto-s në krijimin e Qeverisë së re të Kosovës, porse ka përparësi të plotë në raundin e parë të përpjekjeve për ta bërë Ekzekutivin e ri të vendit. Kjo parti megjithatë edhe në raundin e dytë mund ta bënte Qeverinë e Kosovës, poqëse do ta siguronte atë shumicën parlamentare, të cilën nuk e kishte arritur në rrethin e parë. Ky Aktgjykim i Gjykatës Kushtetese pra, lejonte mundësinë e krijimit të koalicioneve pas-zgjedhore, me qëllim të sigurimit të shumicës së duhur parlamentare për formimin e Qeverisë së re. Por, diçka e tillë (bërja e koalicioneve pas-zgjedhore), nuk ishte e mundur në atë çështjen e dytë, të ngritur për shqyrtim nga deputetët e PDK-së, që kishte të bënte me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit (pasiqë VLAN-i, apo koalicioni i katër subjekteve të tjera tashmë kishte zgjedhur Isa Mustafën në postin e Kryetarit të Kuvendit, në seancën konstitutive të mbajtur në korrik të këtij viti). Gjykata Kushetetuese e Kosovës, në atë Verdiktin e dytë të asaj vere (të vitit 2014, pra), i jepte të drejtë vetëm subjektit të parë politik që ta propozojë Kryetarin e Kuvendit të Kosovës. Aktgjykimi i tretë i kësaj natyre (për funksionimin e pushtetit qendror të Kosovës dhe për mekanizmat ligjor të cilët çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme), u kumtua në muajin maj të këtij viti, gjithsesi duke pasur si referencës dhe atë Verdiktin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014-të, për mandatin për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës. Kështu, Gjykata Kushtetuese konfirmoi validitetin e mekanizmave ekzistues që dërgojnë vendin në zgjedhje të reja (të parakohshme), këmbënguli që një legjislativ ka potencial kushtetuese të formojë disa qeveri në mandatin e vet, derisa të ketë shumicë parlamentare (prej së paku 61 deputetësh) për formimin e një Qeverie, teksa pamundësoi që kandidati për Kryeministër të Kosovës, në atë përpjekjen e parë, kur Presidenti është i detyruar që liderit të partisë që ka dalë e para në zgjedhje, t’i ofrojë mandatin për krijimin e Qeverisë, ta zvarrisë në pafundësi vet marrjen e këtij mandati nga Presidenti i Kosovës. Nesër: Cilat janë dy rrugët kushtetuese për ta shmangur tash e tutje krizën politike të shkaktuar me procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.