Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Vendnumërimi i pritshëm

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 20.03.2024 10:24
Blerim Shala
Blerim Shala

Bisedimet dhe negociatat në mes të dy shteteve/ popujve, të cilët kanë luftuar më parë, gjithmonë e kanë një rrjedhë të njëjtë, pa marrë parasyshë që historitë që kanë sjellë luftën dhe tragjedinë janë të ndryshme, apo krejtësisht të veçanta.

Këto bisedime zhvillohen brenda një konteksti të ri politik, i cili është pasojë e kushteve në të cilat ka përfunduar lufta.

Në rastin e Kosovës, në vitin 1999 ka ndodhë imponimi i paqes, pas fushatës ajrore të Alenacës Veri-Atlantike dhe Marrëveshjes teknike-ushtarake të Kumanovës, dhe vendosja e një misioni ndërkombëtar politik administrativ  (UNMIK) dhe ushtarak (KFOR), që i ka dhënë drejtimin e pakthyeshëm zhvillimeve në Kosovë.

Krimet të cilat i pati bë Serbia e Slobodan Milosheviqit në vitet 1989-1999  (pra, jo vetëm në vitet e lufës, por prej abrogimit të dhunshëm të autonomisë e këndej), nuk lanë shteg për kurfarë bashkëjetese në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kosova u bë shtet në vitin 2008, teksa ICJ  (Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë), në vitin 2010 konfirmoi që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë në kundërshti me të Drejtën ndërkombëtare.

Ky është pra ai konteksti historik, politik dhe legal i cili nuk mund të kontestohet dhe as të negociohet dot, brenda të të cilit kanë nisur bisedimet e Brukselit, të cilat pak ditë në parë hynë në vitin e 13-të të tyre.

Synimi i SHBA-së dhe i BE-së ka qenë asokohe që pushteti serb në Beograd, i cili i përjetoi të gjitha disfatat e mundshme në Kosovë  (ushtarake, politike, diplomatike, ligjore), në një periudhë afatmesme kohore, të akomodohet brenda këtij konteksti të çeliktë, dhe t’i gjejë interesat për vendosjen e marrëdhënieve normale me Kosovën, duke e ndërlidhur këtë proces, pos tjerash, me atë të integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Është thënë shumë herë në të kaluarën, teksa sa kalon koha, ky qëndrim vetëm sa fiton në peshë: Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, për politikën serbe është parakusht për normalizimin e Serbisë si shtet.

Politika e sotme serbe që është në fuqi është fund e krye në raporte kundërshtuese si me atë qëllimin sipëror të BE-së dhe SHBA-së, ashtu edhe kontekstin nismëtar të gjithë kësaj ndërmarrjeje.

Për Washingtonin dhe Brukselin  (megjithë situatës së njohur me pesë shtetet e BE-së që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës), këto bisedime që është dashtë të marrin fund qëmoti me një Marrëveshje ligjësisht obligative, zhvillohen për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke nënkuptuar që Kosova është shtet i pavarur dhe që ky status është i pandryshueshëm dhe nuk është temë bisedimesh.

Për Beogradin, dialogu në mes të Serbisë dhe Kosovës rrjedhë duke marrë parasyshë qëndrimin kategorik të pushtetit aktual serb  (dhe të çdo pushteti paraparak serb në Beograd, duhet shtuar këtu), që Kosova nuk është shtet i pavarur dhe që Perëndimi ka bërë krim ndaj pushtetit dhe popullit serb në pranverën e vitit 1999, kur ka organizuar fushatën ajrore për ndaljen e luftës në Kosovë.

Natyrisht, këtu mund të shtohen dhjetëra dhe qindra faqe të analizave dhe fakteve të cilat do ta konfirmonin këtë përplasjen e vazhdueshme midis këtyre dy qëndrimeve skajshmërisht antagoniste të Serbisë në njërën anë, Kosovës dhe Perëndimit në anën tjetër.

Ta merr mendja që këtu, në të vërtetë, kemi të bëjmë me dy botëkuptime diametralisht të kundërta, të cilat dallojnë si dita me natë, e jo me qëndrime politike që veçohen me nuansa.

Serbia e Aleksandar Vuçiqit është në realitet shumë larg rrethanave të duhura që bisedimet në mes të autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë të kenë sukses.

Beogradi e kërkon të drejtën e vet në këtë proces, duke fabrikuar një histori mesjetare të popullit serb  (Lufta e Kosovës, midis tjerash), dhe duke refuzuar ta njoh historinë e re të Kosovës dhe Serbisë, që ngjau të thuash live para një çerek shekulli.

Asgjë normale në këtë aspekt nuk ka këtu. Dhe është e paimgjinueshme që mund të ecet para në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë me një politikë të këtillë të pushtetit serb.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme