Vala e tretë e ndryshimeve të mëdha politike në Kosovë (I) 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 05.07.2021 15:33 05.07.2021 15:33 Mbase askush në PDK dhe në LDK, dy partitë më të mëdha tradicionale të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe vet Memli Krasniqin dhe Lumir Abdixhikun, nuk kanë mundur të paramendojë, atë ditën e shtunë të 13 shkurtit të këtij viti, që zgjedhjet e teta parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të nesërmen, apo, të dielen, me 14 shkurt, do të detyrojnë këto dy parti të bëjnë Kuvende të jashtëzakonshme, në të cilat për herë të parë në historinë e PDK-së dhe LDK-së, do të ndodhë ndërprerja e një vije të drejtë të rrjedhës politike, apo, do të shfaqet diskontinuteti i plotë. Edhe pse si në PDK, në historinë e saj 22 vjeçare, dhe në LDK, në historinë e saj 32 vjeçare, ka pasë ndërrim të lidershipit, i cili në rastin e PDK-së deri tash ka njohur dy Kryetarë (Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin), dhe një Kryetar në Detyrë (Enver Hoxhajn) teksa në rastin e LDK-së deri sivjet, tre Kryetarë (Dr.Ibrahim Rugovën, Fatmir Sejdiun dhe Isa Mustafën), realisht, kryetarët e ri të PDK-së dhe LDK-së, deri në këtë vit, janë zgjedhur me parimin e një kontinuiteti, të sigurimit të stabilitetit në parti, dhe mësymjes për t’i fituar zgjedhjet. Ky parim zatën, në rastin e PDK-së bëri që pas tronditjes së madhe që kjo parti pësoi në fillim të muajit nëntor (të vitit të kaluar), pas konfirmimit të Aktakuzës nga Dhomat e Specializuara ndaj Presidentit Thaçi dhe Kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, kjo parti ta emëronte Enver Hoxhajn si Ushtrues Detyre të Kryetarit të partisë. Hoxhaj shfaqej si një figurë e vazhdimësisë në PDK, si një politikan i pranueshëm për të gjithë në këtë parti, i cili duhej të siguronte stabilitetin në parti. Për më shumë, Hoxhaj, siç edhe pritej, në zgjedhjet e 14 shkurtit, do të bëhej Bartës i Listës së PDK-së të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e parakohshme në vend, dhe i nominuar i kësaj partie për Kryeministër. Në rastin e LDK-së, para zgjedhjeve të parakohshme të shkurtit, ishin dy ‘siguresa’ figurash politike që konfirmonin këtë kontinuitet politik, të një qasjeje që mëton t’i ikë shkundjeve dhe tronditjeve të mëdha, duke ecur me hapa të kontrolluar dhe të mbikëqyrur. Isa Mustafa, ish-Kryeministri i Kosovës (në vitet 2014-2017) vazhdonte të ishte Kryetar i partisë, ndërsa Avdullah Hoti, megjithëse në moshë shumë më i ri se Mustafa, si Kryeministër në Detyrë (i zgjedhur Kryeminsitër në vitin 2020), ishte njëlloj si Hoxhaj, Bartës i Listës dhe i nominuari i partisë për Kryeministër i Kosovës. Zgjedhjet e 14 shkurtit, me një fitore zgjedhore të pashoq të Albin Kurtit dhe Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ (me 50.3% të votës së qytetarëve të cilën dolën në këto votime), siç u pati konstatuar zatën thuaja menjëherë pas tyre, mund të krahasoheshin me një termet të madh, që rrënoi godinat e partive tradicionale të Kosovës. U pa menjëherë të nesërmen me 15 shkurt, kur nisën të bëheshin analizat dhe vlerësimet e para të kësaj fitore të madhe dhe të jashtëzakonshme të Kurtit dhe të ‘Vetëvendosjes’ (pjesë e kësa fitoreje gjithsesi ishte edhe Vjosa Osmani dhe Nisma e saj ‘Guxo’), që këto zgjedhje, objektivisht, janë më tepër reflektim i një situate të përgjithshme politike në vend, e cila impononte një ndryshim rrënjësor të politikës në Kosovë, të organizimit të pushtetit qendror të Kosovës, se sa që ishin pasojë e një gare të mirëfilltë politike. Kësaj radhe, nuk kishte garë në mes të subjekteve politike, por në mes të botëkuptimit tradicional politik, i cili kishte pësuar një erozion dhe devalvim politik viteve të fundit (për shkaqe të njohura për të gjithë ne), dhe botëkuptimit që ofrohej si një ndryshim i madh i politikës kosovare. Nga ky pikëshikim, mbase, nuk është e vështirë të shpjegohet se çka ndodhi me 14 shkurt. Reagimi i LDK-së, e cila pësoi edhe më keq PDK në këto zgjedhje, sepse mori tërësisht 15 mandate, me gjithsejt 110.895 vota (apo 12.7% të votuesve), u shfaq menjëherë me dorëheqjen e Isa Mustafës nga posti i Kryetarit të LDK-së, pas dhjetë vjet e pak më shumë të qëndrimit në krye të saj. Edhe para se të mbahej Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së, në muajin mars, ishte e qartë për të gjithë që kjo parti nuk do të mund të vazhdojë me kursin apo drejtimin e kontinuitetit, apo që Mustafa nuk do të mund të zëvendësohej me një politikan që tash e shumë vjet ishte pjesë e lidershipit të kësaj partie. Termeti i 14 shkurtit, duhej të pasohej me një trandje brenda partisë. Lumir Abdixhiku, i cili në LDK dhe në politikën aktive pati hyrë në vitin 2017 (kur u zgjodh për herë të parë deputet në Kuvendin e Kosovës), në këtë mënyrë, në krah të ‘Efektit Kurti’ (të ndryshimeve të mëdha politike), u pa, edhe pse para se formalisht të votohej si Kryetari i ri (dhe i katërt i LDK-së), si një alternativë e vetme e mundshme dhe e besueshme për LDK-në. LDK dhe asnjë parti që pëson kaq keq në zgjedhje, nuk mund ta ketë më komoditetin e bërjes së llogarive me gjakftohtësi. E vetmja llogari që mund të bëhej në këto rrethana ishte që LDK nuk mund të vazhdojë kështu, thuajse asgjë nuk ka ndodhur, apo që ndryshimi i madh, gjithsesi me shumë të panjohura, dhe me një lideri sa më të ri (në moshë dhe në atë kartelën partiake), është domosdoshmëri që nuk pyet kënd. Kështu, Lumir Abdixhiku është Kryetari i parë i diskonunitetit në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Për dallim prej PDK-së, në rastin e PDK-së, rezultati i pafavorshëm zgjedhor, me 19 mandate të fituara, të cilat reflektojnë 148.285 vota (apo 17%) të grumbulluara në zgjedhjet e 14 shkurtit, i kishte edhe arsyetimet e veta: PDK kishte mbetur pa Kryetarin e saj, dhe shumë para termetit të 14 shkurtit, kjo parti u trondit me themel për shkak të ngjarjeve të fillimit të muajit nëntor me Presidentin Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarin Veseli. Për këtë shkak, dukej që në PDK do të mund të ketë kontinuitet dhe një adaptim gradual në rrethanat e pavolitshme politike, si rezultat i zgjedhjeve, dhe si pasojë e goditjes që erdhi nga Haga. Në këto rrethana, gjatë muajve mars dhe prill, supozohej që edhe nëse do të mbahej Konventa e jashtëzakonshme zgjedhore e PDK-së, ajo nuk do të sjellte farë risie, apo, do të ndodhte zgjedhja e Enver Hoxhajt si Kryetar i partisë, të tretit në historinë e saj. Megjithatë, hamendjet në lidershipin e PDK-së për ta bërë Konventën, të cilat u pasuan me një insistim kategorik të vet Hoxhajt që ajo është e pashmangshme, dhe që nuk mund të hyhet në fushatën për zgjedhjet lokale pa një Kryetar të mirëfilltë i cili do ta merr përgjegjësinë për rezultatin e tyre, krijuan një situatë të re në partinë më të madhe opozitare në vend, kur si në rastin e LDK-së, sollën një vendim për ta bërë diskontinuitetin në udhëheqësinë me këtë parti. Memli Krasniqi, si Kryetar i ri i PDK-së, i zgjedhur në Konventën e 3 korrikut, ka një përvojë më të gjatë në politikë se Abdixhiku. Ai i është bashkuar PDK-së qysh në vitin 2004, ka kaluar nëpër të gjitha nivelet e partisë, ka qenë deputet dhe ministër. Megjithatë, ai, përkundër gjithë kësaj përvoje, është zgjedhur në krye të PDK-së, për shkak të besimit të gjërë në anëtarësinë e saj, që pikërisht ai mund ta sjell ndryshimin aq shumë të duhur në këtë parti, apo, një fillim të ri në PDK. Kështu, edhe Memli Krasniqi është Kryetar i parë i diskontinuitetit në Partinë Demokratike të Kosovës. Vazhdon Nesër *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.