Udhëheqja pa pasion e zhyt vendin në dëshpërim edhe më të thellë 123 string(12) "Ardian Gjini" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/11/Ardian-Gjini.jpg" nga Ardian Gjini 28.09.2015 11:06 28.09.2015 11:06 Udhëheqësit e mëdhenj i mbushin njerëzit me vullnet e me entuziazëm, madje edhe kur i dërgojnë në luftë. Udhëheqësit e dobët i mbushin njerëzit me depresion, edhe kur ua rrisin pagat. “I them kësaj dhome atë që iu thashë ministrave që iu bashkuan kësaj qeverie, nuk kam asgjë për t’iu ofruar përpos gjakut, mundit, lotëve dhe djersës. Para nesh e kemi makthin më të tmerrshëm. Para nesh janë shumë, shumë muaj të mundimshëm dhe me plot vuajtje… Dhe nëse pyesni, cili është qëllimi ynë, mund të përgjigjem me një fjalë- është fitorja…” (Winston Churchill para Dhomës së Përfaqësuesve të parlamentit britanik, 13 maj 1940) I përsëritur e cituar me mijëra herë. Fjalim ndër më inspiruesit, në momentet më të vështira për një komb të tërë. Inspirues edhe për një njeri që jeton 3 cerekë shekulli më vonë dhe që nuk është britanik. Kur e dëgjon, harron se ekzistojnë fjalimshkruesit, sekretarët e këshilltarët. Harron sepse fjalët dalin nga goja e një udhëheqësi me shumë zemër e me plot pasion. Janë fjalët e tij dhe të askujt tjetër. Dhe m’u në kohën kur vendi gjendet para lotëve, gjakut e djersës, Dhoma e Përfaqësuesve shpërthen në aplauz. Duartrokasin edhe njerëzit nga pushteti, por edhe nga opozita. Udhëheqja me një vend dhe një populli kërkon pasion, si në kohë të vështira ashtu edhe në kohë të mira. Vendimet, edhe kur janë të drejta, janë shterpe dhe do të dështojnë të zbatohen, nëse nuk janë sjellë me bindje të plotë dhe me entuziazëm nga vetë udhëheqësit e shtetit. Udhëheqësit e mëdhenj i mbushin njerëzit me vullnet e me entuziazëm, madje edhe kur i dërgojnë në luftë. Udhëheqësit e dobët i mbushin njerëzit me depresion, edhe kur ua rrisin pagat. Vendi ynë ka qenë i mbërthyer nga konflikti, tensionet dhe dhuna për dekada… Koha për negociata ka ardhur… Prandaj po e përsëris ftesën time me bindje më të thellë se kurrë – hyni në dyert e hapura, zini vendin tuaj në tavolinën e bisedimeve, bashkë me qeverinë dhe me udhëheqësit që kanë mbështetje të fuqishme, brenda dhe jashtë parlamentit. (Frederik de Klerk, fjalim i 2 shkurtit 1990 para parlamentit në Pretoria, vetëm pak muaj para se ai dhe një kastë e tërë ta humbte pushtetin përgjithmonë në Afrikën e Jugut) Ka momente kur popujt dhe shtetet duhet të kalojnë nëpër procese jo fort popullore. Asnjë vend nuk jeton e as nuk zhvillohet i izoluar nga proceset rajonale e globale. Të gjitha vendet janë të ndikuara nga proceset e jashtme, të paktën po aq sa edhe nga ato të brendshmet. As De Klerku e askush tjetër në Afrikën e Jugut, nuk mundi ta ndalte frymën e lirisë dhe të demokracisë, pas rënies së Murit të Berlinit. Nëse De Klerku do ta kishte zgjedhur diskursin “nuk kemi qare…” që me fjalë tjera do të thotë “nuk po më pëlqen, por nuk kam çka të bëj”, me siguri se në shoqërinë jugafrikane do të kishin mbirë figura dhe forca të cilat do të kishin menduar se “ata dinë dhe kanë çka të bëjnë” kundër diçkaje që qenka e keqe. Dhe me sigurinë më të madhe, edhe sot e kësaj dite, Afrika e Jugut do të ishte e mbërthyer me tensione, pasiguri e dhunë. Por përkundrazi, De Klerku kishte zgjedhur rrugën që e zgjedh çdo lider që ka pasion dhe entuziazëm. Që beson se ajo që po bën është më e mira për vendin dhe popullin e tij. Ai nuk foli me gjysmë zëri. Ai nuk u fsheh prapa domosdoshmërisë së padrejtë. Ai udhëhoqi. … Para së gjithash, koha është që ta themi të vërtetën, të vërtetën e plotë, me vetëbesim. Ne nuk duhet të strukemi dhe të mos ballafaqohemi sinqerisht me gjendjen në vendin tonë… Më lejoni t’iu them se bindja ime e plotë është se gjëja prej të cilës duhet të kemi më së shumti frikë është vetë frika… Terrori i paarsyeshëm që i paralizon energjitë aq të nevojshme për ta bërë përparimin t’ia zëjë vendin shkuarjes prapa… Në secilën kohë të vështirë në jetën e kombit tonë, udhëheqja e sinqertë dhe energjike e ka gjetur mirëkuptimin dhe mbështetjen e popullit e që gjithmonë ka qenë esenciale për t’i arritur fitoret… Vetëm një optimist i marrë mund ta mohojë realitetin e errët në të cilin ndodhet vendi ynë sot… Ditët e errëta do t’ia vlejnë çmimit vetëm nëse kemi mësuar se fati ynë nuk do të na servohet nga askush, por se duhet t’ia servojmë vetes dhe njerëzve tanë… Kur nuk ka vizion populli zhduket… Koha është për veprim, dhe veprim tani. (Franklin D. Roosevelt, shkëputje nga fjalimi inaugurues si president i SHBA, 4 mars 1933) Historia na tregon se as njerëzit e menqur, as pasuritë nëntokësore dhe as dija e akumuluar nuk janë të mjaftueshme për t’i nxjerrur vendet dhe popujt nga situatat e vështira në të cilat mund të gjenden. Pa vetbesim të plotë dhe pa pasion për rrugën e zgjedhur, të gjitha përpjekjet do të dështojnë dhe vendi do të zhytet edhe më thellë në dëshpërim. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.