Tronditjet financiare dhe politike 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 11.04.2025 12:00 11.04.2025 12:00 Blerim Shala Me 29 mars të vitit 1999, Wall Street në New York pati një festë të veçantë. Për herë të parë në historinë e tij, në bursë, Dow Jones mbërriti në 10 mijë njësi, duke dëshmuar kështu, në mënyrën më të mirë të mundshme fuqinë e ekonomisë amerikane. Në këtë mënyrë u thye një barrierë psikologjike. Pak javë më pas, me 23-25 prill (1999), në Washington do të mbahej Samiti i Aleancës Veri-Atlantike në shënim të 50 vjetorit të ekzistencës së saj. Kësaj Aleance me këtë rast, edhe formalisht do t’i bashkoheshin tri shtete të ish-kampit komunist: Polonia, Çekia dhe Hungaria. Pakti NATO ishte më i fuqishëm se kurrë. Dhe gjendej, për herë të parë që prej se ishte themeluar, gjysmë shekulli më parë, në luftë. Aleanca Veri-Atlantike me 24 mars të atij viti kishte nisur fushatën ajrore për ndaljen e luftës në Kosovë dhe për shpëtimin e popullit të saj nga shfarosja që i kanosej nga regjimi serb. Ishte pra kjo luftë me motive dhe me qëllime thellësisht humanitare. Amerika dhe Perëndimi ishin në krye të punëve kryesore të Botës. Dhe ne, si vend i vogël dhe si popull i vogël, ishim me fat që patën në anën tonë Amerikën, Perëndimin, Paktin NATO. Sado që atyre që vet nuk i kanë përjetuar këto ngjarje dhe këtë epokë të paharrueshme historike, ky rrëfim mund t’i duket i stëpërsëritur dhe madje, disi i harxhuar, zhvillimet aktuale në Botë, vetëm sa e sforcojnë vlerën dhe rëndësinë e atij viti dhe të asaj periudhe. Këtë zaten do ta kuptojmë gjithnjë e më shumë. Dhe me gjasë, përherë e më dëshpërueshëm dhe më të shqetësuar. Java e fundit në Botë, siç e dimë, është karakterizuar fund e krye me nismën e Presidentit amerikan Donald Trump që ta shlyejë disi deficitin e madh që ka Amerika në qarkullimin tregtar me shumë shtete të Botës, duke imponuar tarifa të ndryshme, varësisht prej shtetit. Siç do ta kuptojë edhe vet Presidenti Trump, synimi i tij për të baraspeshuar tregtinë me Botën, duke siguruar përfitime dhe të hyra të reja për buxhetin amerikan, do të shkaktojë çrregullime të mëdha në Botë por edhe në vet Amerikën, më së shumti në Wall Street. Vlera e Dow Jones prej atij marsi të largët të vitit 1999, tani është katërfishuar (40 mijë njësi), gjë që konfirmon më së miri se çfarë zhvillimi marramendës ekonomik ka pasur SHBA-ja në më shumë se një çerek shekulli. Por ja që bursa nuk i priti aspak mirë planet e Administratës Amerikane. Bursa si bursë, nuk i do befasitë dhe çrregullimet, të cilat në këtë rast madje patën përmasa planetare, duke tronditur tregjet në të katër anët e Botës. Edhe në këtë mënyrë zaten u dëshmua çfarë rëndësie të jashtëzakonshme ka Amerika në ekonominë botërore, apo çfarë tërmetesh financiare mund të shkaktojë kur për pak ditë humbin mijëra miliardë dollarë. Vendimi i Presidentit Trump që për tre muaj (90 ditë), t’i pezullojë tarifat, apo t’i kthejë ato në nivelin prej 10%, menjëherë ndikoi në mëkëmbjen e tregut me aksione në Wall Street, megjithëse lufta tregtare po vazhdon, dhe atë në mes të dy shteteve më të fuqishme ekonomike, financiare dhe ushtarake, apo, midis SHBA-së dhe Kinës. Tarifat ndaj mallrave kineze tani kanë mbërri në 145%, duke pamundësuar, realisht, çfarëdo qarkullimi tregtar në mes të Kinës dhe Amerikës. Dhe anasjelltas. Presidenti i SHBA-së George W. Bush, qysh në javët e para të mandatit të tij të parë presidencial (2001-2005), në muajin shkurt të vitit 2001, u kishte thënë bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, që rivali më i madh i SHBA-së në Botë së shpejti do të bëhet Kina, duke lënë pas të gjitha shtetet e tjera pretenduese për këtë pozitë. Kina e vitit 2001 nuk ishte as hija e kësaj të sotmes. Por, në histori, në politikë, në ekonomi, drejtimet e ardhshme janë të matshme, të kapshme, të venerueshme. Në këtë kontekst pra, nuk ka dyshim që përplasja ekonomike, tregtare dhe politike në mes të Amerikës dhe Kinës do të jetë vendimtare për dhjetëra vitet e ardhshme. Por, duket që fati i kësaj përplasjeje është në duart e ruajtjes së një partneriteti strategjik në mes të Amerikës dhe Evropës. Ky partneritet, ashtu siç ishte në vitin 1999, ka peshë dhe vlerë të veçantë për Kosovën si shtet. Dhe për aspiratën e Kosovës që të hyjë në Paktin NATO dhe në BE. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.