Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Tri vlerat e përbashkëta dhe Plani i munguar

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 01.07.2023 14:58
Blerim Shala
Blerim Shala

Vera politike kosovare e këtij viti (2023), duket se nuk do të dallojë prej shumë të tjerave në deceniet e fundit, a më shumë.

Siç po shihet dhe kuptohet përditë e më tepër, kryetema e kësaj stine do të jetë dialogu për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, i cili nuk ka si të mos e përfshijë edhe atë ndërmarrjen për shtensionimin  (apo, normalizimin), e situatës së sigurisë në Veriun e Kosovës.

Këtu, së paku, ka pajtim prej të gjithë faktorëve relevant vendor dhe ndërkombëtar. Por, nuk ka dakordimim se si do të mund të ecet tutje, së bashku  (gjithsesi), për t’i bërë realitet qëllimet e harmonizuara që nga fillimi i këtij viti.

Janë, së paku tri tema, apo mund të thuhet edhe tri vlera të cilat janë të padiskutushme në rrethanat e tanishme.

Vlera e parë është Marrëveshja themelore në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila u arrit në takimin e nivelit të lartë, në Bruksel, me 27 shkurt, në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić.

Ky është, në fakt, një themel i cili nuk mund dot të lëkundet, apo të mëdyshet. Nuk mund të ketë ndryshim, as përmirësim të tekstit të kësaj Marrëveshjeje, e cila si e tillë, objektivish, nëse do të zbatohet në tërësinë e saj  (e jo pjesërisht), njëmend do të krijonte një rrugë të drejtë  (jo pa prapakthime, të kuptohemi), për një normalizim të mirëfilltë të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, i cili, në një të ardhme afatmesme (që do të duhej të matej me vjet, e jo me dekada), do të duhej të vulosej me njohjen reciproke të këtyre dy shteteve.

Është thënë shumë herë deri tash, që prej se u arrit kjo Marrëveshje, por ia vlenë të përsëritet edhe një herë: Fati i Marrëveshjes themelore është jetësimi i saj i përpiktë, në një afat kohor që nuk shkon përtej këtij viti.

Zatën, krejt çka kemi parë në muajtë e mbramë, është para dhe mbi të gjitha pasojë e ngecjes evidente në përmbushjen e të gjitha neneve të saj.

Po të kishte Plan të mirë dhe të qëndrueshëm të realizimit të saj, nuk do të ishim ku jemi sot. Ndërsa, nuk duhet pasur farë dije dhe përvojë të madhe politike për të konkluduar që Aneksi i Ohrit  (18 mars), nuk i ka kaluar as testet elementare të vlerës së saj.

Pra, në këtë frymë, mund të thuhet, pa kurfarë gabimi, që një Plan i ri, shumë më i detalizuar, në të gjitha aspektet e mundshme, i zbatimi të Marrëveshjes Themelore, do të duhej të gatitej sa më parë që është e mundur.

Vlera e dytë e përbashkët, e cila aktualisht ka rrëmbyer thuaja gjithë interesimin e Kosovës, të SHBA-së dhe të BE-së, përkon me shtensionimin  (apo de-përshkallëzimin), e gjendjes së sigurisë në Veriun e vendit.

Pa ndodhur një gjë e tillë, ‘Menaxhimi i krizës’  (‘Crisis menagement’), e jo implementimi i Marrëveshjes Bazë, do të jetë interesi kryesor dhe qasja mbizotëruese në Prishtinë dhe në Perëndim.

Vlera e tretë unifikuese, siç po hetohet gjithnjë e më shumë, është, realisht e ndërlidhur si me këtë vlerën e mësipërme, ashtu edhe me frymën pozitive e cila duhet të krijohet në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kjo ka të bëjë me domosdoshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja të parakohshme për pushtetin në katër komunat e Veriut, apo, në Mitrovicën e Veriut, në Zveçan, në Zubin Potok dhe Leposaviq.

Këtu, janë në shqyrtim e sipër menaizmat se si duhet të mbërrihet tek dita e zgjedhjeve, apo, në ç’mënyrë do të duhej përligjur organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Natyrisht, nuk mund të ketë kurfarë votimesh në këto katër komuna, nëse nuk garantohet që këto zgjedhje do të jenë të lira dhe demokratike.

Qytetarët që jetojnë në këto komuna, duhet të pajisen me të drejtën elementare për të qenë të zgjedhur, dhe për zgjedhë, që është tipar i çdo demokracie, siç zatën është rasti edhe me demokracinë në Kosovë.

Sundimi i ligjit është tipari kryesor, i pashmangshëm në këtë rast, siç dihet prej të gjithëve.

Nëse këto tri vlera janë të përbashkëta për ne dhe për Perëndimin, atëherë, në ditët dhe javët në vijim, këto tri vlera do të duhej të merrnin trajtën e një Plani të vetëm për zbatimin e Marrëveshjes themelore dhe për shtensionim e gjendjes në Veriun e Kosovës.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme