Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Tri Opcione

123
string(12) "Ardian Gjini" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/11/Ardian-Gjini.jpg"
nga Ardian Gjini 18.01.2016 10:33

Ndërtimi i algoritmeve në politikë është një ushtrim goxha i vështirë. Poashtu, insistimi në ndërtimin e tyre në të gjitha rastet, e bën njeriun të duket në njëfarë mënyre dogmatik. Sidoqoftë, kur gjërat fillojnë të qartësohen, kur njerëzit i shprehin qartë interesat, synimet, veprimet dhe kur e njohim saktë nivelin e këmbënguljes së akterëve, atëherë analiza edhe mund të shkruhet në trajtë algoritmike.

Kosovës dhe politikës kosovare nuk i kanë mbetur shumë opcione para vetes. Gjithçka do të përfundojë me zgjedhje, por zgjedhja e njërit ose tjetrit opcion do ta bëjë gjithë dallimin se si do të funksionojnë institucionet gjatë këtij viti dhe gjatë shumë viteve në vazhdim? A do të shndërrohet mashtrimi elektoral, korrupsioni dhe nepotizmi në normë, në politikën kosovare? A do të shndërrohet institucioni më i lartë politik i shtetit, presidenca, në një “joinstitucion”? Si do të duket procesi i integrimit në BE, me të gjitha elementet që i përfshin me vete, nga dialogu me Serbinë deri tek marrëdhëniet me vendet mike të Kosovës? Cfarë do të jenë prospektet për zhvillim ekonomik afatgjatë? Si do të duken institucionet e shtetit, policia, gjyqet, agjencionet e pavarura? Si do të kalohet sfida, në zhargonin e quajtur Gjykatë Speciale? Dhe në fund, si do të menaxhohen kombinimet e pashmangshme, por shumë të paparashikueshme të shumë prej këtyre pyetjeve?

Opcioni i parë është vazhdimi i kësaj qeverisje deri në dështimin për ta zgjedhur presidentin e ri dhe shkuarja e vendit në zgjedhje. Në ndërkohë do të ketë prapë protesta dhe antagonizim të shoqërisë. Edhe numri i opcioneve politike për të ardhmen do të zvogëlohet.

Opcioni i dytë është vazhdimi i kësaj qeverisje dhe zgjedhja e presidentit të ri nga koalicioni aktual, qoftë nga radhët e PDK-së, ose LDK-së. Në këtë rast, presidenca shëndërrohet në një “joinstitucion” ose në një nën-institucion të pushtetit. Është e kuptueshme se opozita, në asnjë rrethanë, nuk do ta njohë atë institucion. Institucioni i vetëm që e ka ruajtur një dozë kredibiliteti në sistemin politik do të rrënohet. Protestat do të vazhdojnë, me mundësi dhune. Një act order për gjykatën speciale do të ndodhë në ndërkohë, skena politike do të antagonizohet skajshëm dhe diku para vjeshtës shkojmë në zgjedhje, të lodhur, të dërmuar, me disa herë më shumë urrejtje të ndërsjellë dhe me shumë më pak opcione afatgjate politike.

Opcioni i tretë është një marrëveshje për të shkuar në zgjedhje tani. Ky opcion bart me vete të panjohura si për shembull kush do të zgjedhet president (pa paragjykim burrë apo grua); kush do t’i fitojë zgjedhjet; cili do të jetë koalicioni eventual; e ndoshta edhe nja dy a tri cështje tjera. Por në të njejtën kohë do t’i zgjidhë shumë tejra. Së pari, skena politike do ta fitojë një reset tepër të nevojshëm. Përgjegjësia politike dhe institucionale domosdoshmërisht se do të rritet. Premtimet elektorale do të jenë shumë më racionale dhe mbajtja e tyre shumë më e rëndësishme; kjo vjen si nevojë e ngutshme pas gjithë ngjarjeve të dy viteve të fundit. Opcionet politike, jo vetëm për të ardhmen e afërt, mbesin më të shumta. Qeverisja e ardhshme do t’i ketë më të qarta sfidat dhe obligimet. Dy marrëveshjet që kanë sjellur shumë probleme në Kosovë duhet të rinegociohen dhe arsyeja pse duhet bërë kjo dhe pse është në të mirë të Kosovës, është shumë e thjeshtë:

Negociatat në rrethe të ngushta dhe jotransparente, në esencën e vet e përmbajnë mungesën e plotë të konsideratave se Kosova është një demokraci. Negociatat e llojit të tillë presupozojnë se populli i Kosovës “nuk bën pyetje fare” për atë se çka do të ndodhë me fatin e tij. Shpallja e zgjedhjeve për shkak të humbjes së kredibilitetit të qeverisë, m’u për shkak të këtyre dy temave do të jetë dëshmi se Kosova po bëhet demokraci; se populli ka filluar të shtrojë pyetje, në fund të fundit, sikur ai në Serbi; se qeveritë e ardhshme do të jenë llogaridhënëse para së gjithash para votuesve të vetë; se ‘pesha specifike’ e qytetarit të Kosovës, por edhe e shtetit tonë, do të rritet; dhe në fund, se zgjidhja afatgjatë e problemeve politike dhe etnike në Ballkan nuk mund t’i faturohet vetëm Kosovës, sepse në fund të fundit, shteti ynë tanimë është shpallur dhe është njohur nga shumica e vendeve në botë, dhe ajo cfarë i ka mbetur, është të funksionojë si duhet.

Njerëzit ndikohen nga shumë faktorë, nga ndjenjat, nga interesi, nga ndikimet tjera të cilësdo natyrë dhe nga ndryshimi dhe kombinimi i të gjitha këtyre variablave. Prandaj është e vështirë të parashikohet sjellja e tyre me përpikmëri. Prandaj është e vështirë të ndërtohen algoritma. Por në rrethanat në të cilat ndodhet Kosova, e posaqërisht pas 9 janarit, gjërat janë thjeshtësuar mjaft.

Në anën tjetër, nga një notë realiste, nuk është fare befasi që një përfaqësues i opozitës aktuale, siq jam unë, e përkrah fuqishëm opcionin e tretë. Por është shumë e rëndësishme, për të mos thënë jetike, që të gjithë akterët relevantë në Kosovë t’i studiojnë të gjitha opcionet, me sa më pak ndikim interesash afatshkurtëra që të jetë e mundshme. Të shohin dhe të propozojnë edhe opcione tjera nëse gjejnë, por gjithmonë duke i pasur parasysh premisat reale të ndërtuara, jo ato imagjinare.

Kaq për këtë 18 janar.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme