Tri luftërat e pesë viteve të fundit 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 05.04.2025 13:02 05.04.2025 13:02 Blerim Shala Për pesë vite, apo, në harkun kohor 2020-2025, Bota përjetoi tri tronditje të mëdha, të cilat nuk u shënuan dot në pesëdhjetë vjetët a më shumë të historisë së re botërore. Kostot në jetë njerëzish dhe ato që njihen si materiale dhe financiare janë të denja të krahasohen me ato të luftërave botërore. Në fakt, te tri këto ngjarje të jashtëzakonshme, të cilat nuk kanë mundur të paramendohet dot atje dhjetë-pesëmbëdhjetë vjet më parë, janë të vet klasifikueshme si luftëra, madje, me pasoja planetare. Së pari, në vitet 2020-2022, e patëm Pandeminë e Covid-19. Origjina e saj është ende e paqartë, a ishte aksident nga një laborator në Wuhan në Kinës, apo punë pazari të kafshëve të ndryshme në tregun lokal. Por dihet që i gjithë njerëzimi i godit keq prej këtij virusi. Kanë vdekur mbi shtatë milionë njerëz në të katër anët e Botës, teksa kostoja financiare e kësaj Pandemie llogaritet se është 16 trilion dollarë amerikan, apo, 90% të GDP-së (Bruto produktit vendor), të SHBA-së. Një familjeje mesatare amerikane (prej katër anëtarësh), në forma të ndryshme, ky virus i ka kushtuar deri në 200 mijë dollarë. Edhe në Kosovë, me siguri, çdo familje ka harxhuar me mijëra euro në përballje me këtë të keqe të madhe që pati goditë Botën. Teksa përsëritja e Pandemive të këtij lloji shihet si diçka reale dhe e mundshme në të ardhmen e afërt. Së dyti, prej shkurtit të vitit 2022 u përballëm me një luftë klasike, ku një shtet i madh, siç është Rusia, sulmoi shtetin fqinj të Ukrainës, me qëllim që ta zhbëjë prej faqes së dheut dhe për ta arkivuar atë në histori. Lufta po vazhdon sot e kësaj dite, përkundër përpjekjeve intensive të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të arritur tek një Marrëveshje paqësore. Numri i viktimave të deritashme në luftë mund të mos merre vesh kurrë, por ai me siguri kalon qindra mijëra veta, në anën ruse dhe në atë të Ukrainës. Rusisë çdo ditë lufte i kushton afër 500 milionë euro, teksa Perëndimi, vetëm deri në mesin e vitit të kaluar (2024), ka dhënë ndihmë ushtarake në vlerë prej 380 miliardë euro. Llogaritet që harxhimet e mëkëmbjes dhe të rindërtimit të Ukrainës kalojnë shifrën prej një mijë (1000) miliardë Euro. Së treti, pak ditë më parë Presidenti i Amerikës, Donald Trump, duke përmbushur kështu njërin prej premtimeve kyç parazgjedhor, lansoi ‘Luftën e tarifave’, nën justifikimin e trajtimit të pabarabartë në raportet tregtare të SHBA-së me shumë shtete të Botës. Në listën e shteteve të cilat u goditën me tarifë (atë minimalen, prej 10%), u gjet edhe Kosova, me logjikën e reciprocitetit, pasiqë Kosova, qysh nga muajt e parë të Administratës Ndërkombëtare (UNMIK), paska aplikuar masë tarifore prej 10% ndaj mallrave të importuara nga Amerika. Për dy ditë rënie e aksioneve në Wall Street ishte aq e madhe, saqë mbërriti në vlerën e humbjes në vlerë prej pesë mijë miliardë dollarëve të kompanive më të mëdha amerikane. Tatëpjetë e tillë në bursë është shënuar vetëm në atë periudhën e kulminacionit të Pandemisë së Covid-19. E tëra mund të krahasohet me një ‘Cunami financiar’, i cili pa kurrfarë dyshimi do të ketë pasoja të mëdha politike në gjithë Botën. Edhe këtu pra, dëmet financiare do të maten me mijëra e mijëra miliardë Euro, do të ketë telashe sociale dhe ekonomie gjithandej, të cilat pastaj, së paku kështu na mëson historia, mund të sjellin zhvillime dramatike politike tek shtetet e veçanta. Edhe pse origjina e këtyre tri tronditjeve të mëdha është e ndryshme në këto pesë vitet e fundit, ato pa dyshim i kanë ndihmuar njëra tjetrës, duke krijuar kështu, në përbashkësinë e tyre, rrethanat më të vështira dhe më të rënda në të cilat do të jetojë njerëzimi tash e tutje. Me një mijë pyetjesh të ndryshme, të gjitha llojeve, teksa përgjigje të gatshme dhe të sigurta nuk ka. Së paku jo, në rrethanat e tanishme. Në të vërtetë, përgjigjet do të përgatiten tash e tutje. Dhe atë, jo më në një vend dhe në një anë të qytetërimit. Do të ketë pra një lloj të ‘decentralizimit’ të ndërmarrjes së gjetjes së përgjigjeve. Gjë që vet prej veti është një burim i problemeve që sa vijnë dhe do të rriten. Paçim fat. Kaq mund të thuhet për ne, në Kosovë, në ballafaqim me këtë rrëmujë të rrezikshme. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.