Tri lajme dhe një epilog 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 10.04.2024 09:20 10.04.2024 09:20 Blerim Shala E tëra mund të jetë koincidencë, por ja që brenda pak ditësh ndodhën tri gjëra apo u shënuan tri lajme të cilat në përbashkësinë e tyre nuk sjellin asgjë të mirë për përpjekjen e vazhdueshme të integrimit të plotë të komunitetit serb në institucionet e Kosovës, veçmas të anës veriore të këtij komuniteti. Normalizimi i gjendjes politike dhe të sigurisë në Veriun e Kosovës, është kusht pa të cilin nuk mund të sendërtohet dot normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, teksa ky, së paku në shikim të parë, është qëllimi kryesor i dialogut që në Bruksel po zhvillohet tash e mbi 13 vjet. Rezultatet e tij dihen. Botërisht. Nuk ka pse të krenohet Brukseli me këto bisedime. Por, t’i kthehemi këtyre tri lajmeve të cilat i ndërlikuan edhe më shumë zhvillimet politike që lidhen me procesin e integrimit të komunitetit serb që jetën në Veriun e Kosovës. Te tri këto ngjarje kanë origjinën e tyre në Beograd, në Zyrën e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, edhe pse ai, veçmas kur bëhet fjalë për vendimet e ‘Listës Serbe’, pas rastit të Banjskës (shtator, 2023) e këndej, bëhet thuajse nuk di gjë për këto qëndrimet e këtij entiteti i cili është krijuar në Beograd dhe ‘mirëmbahet’ nga Qeveria e Serbisë. Pra, ‘Lista Serbe’ pak ditë më parë kumtoi dy vendime të saj, apo, thënë më mirë, i dha zë dhe i përligji qëndrimet e Presidentit Vuçiq. Së pari, ky subjekt politik ftoi që qytetarët serbë të Veriut të mos marrin pjesë në votimet e 21 prillit në katër komunat e kësaj pjese të Kosovës, në të cilat këta qytetarë do të mund të shkarkonin efektivisht kryetarët shqiptarë të cilët i kanë marrë këto poste falë bojkotit të zgjedhjeve të prillit të vitit të kaluar. Teksa zgjedhjet e parakohshme si të tilla, ishin detyrim i autoriteteve të Kosovës pasi që kryetarët serbë të komunave të Mitrovicës së Veriut, të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, u larguan prej zyrave të tyre në muajin nëntor të vitit 2022. Vendimi i dytë i ‘Listës Serbe’ ka të bëjë me thirrjen për bojkotimin e Regjistrimit të popullsisë të këtij viti, ndërsa në Kosovën e pasluftës, vetëm një herë, dhe atë në vitin 2011, është organizuar ky operacion jetik për një shtet. Edhe asaj here, ka pasur bojkot të Regjistrimit të popullsisë nga ana e komunitetit serb. Votimi i lirë është akt sipëror për përcaktimin e pushtetit legjitim në një demokraci. Regjistrimi i popullsisë, për më shumë, është detyrim i çdo qytetari. Presidenti i Serbisë Vuçiq, i cili është një pengmarrës klasik politik, sepse ka zaptuar në duart e tij vendimmarrjen e cila i takon vetë serbëve të Kosovës, me qëllim po krijon pengesa të mëdha për ta normalizuar gjendjen në Veriun e Kosovës, dhe njëkohësisht, po e pamundëson që qytetarët serbë të këtij vendi të evidentohen saktësisht në statistikat e Kosovës. Beogradi zyrtar pra synon ta pamundësojë integrimin e serbëve të Veriut të Kosovës, pa marrë kundër shpërblimin për vete, i cili do ta kishte, në një mënyrë apo tjetrën, formën e sigurimit të përhershëm të pranisë së shtetit të Serbisë në këtë pjesë të Kosovës. Kjo ka qenë politika e Serbisë. Dhe kjo politikë nuk ka ndryshuar asnjëherë, që prej përfundimit të luftës (qershor, 1999) e këndej, pa marrë parasysh kush e ka pasur pushtetin në Beograd. Lajmi i tretë i cili po ashtu është në raporte kundërshtimi me domosdoshmërinë politike dhe të sigurisë të integrimit të komunitetit serb në Veri, në institucionet e pushtetit lokal dhe qendror, erdhi nga Evropa. Brukseli vendosi që qytetarët serbë të Kosovës, të cilët janë pajisur me pasaportat e Qendrës koordinuese në Beograd pa kurrfarë dyshimi një strukturë paralele e Serbisë), të kenë të drejtë të udhëtojnë pa viza tash e tutje në Zonën Schengen. Ka dhjetëra mijëra serbë të Kosovës të cilët tashmë i kanë marrë pasaportat e Kosovës. Me një inkurajim të BE-së, brenda pak muajsh, që të gjithë serbët (sepse thuaja krejt ata tashmë posedojnë letërnjoftimet e Kosovës), do të mund të siguronin dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Do të ishte ky një shembull shumë i mirë i integrimit të tyre, qëllim ky i përbashkët i Prishtinës dhe Brukselit. Të cilin kësaj radhe e pamundësoi vet Brukseli. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.