Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Tri Kosovat dhe një histori

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 04.09.2024 16:38

Për çdo stinë të verës, mbase edhe në ndërrimin e motmoteve (në masë më të vogël, megjithatë), këndejpari ndodhë një përballje në mes të dy Kosovave: Kosovës së brendshme dhe Kosovës së jashtme.

Mund të merret me mend prej të gjithë neve se kjo e brendshmja, përbëhet prej qytetarëve të vendit që janë, thënë në gjuhën formale juridike, resident, teksa ajo e jashtmja nga ata që jetojnë dhe punojnë në Perëndim, dhe që sërish në këtë përpjekjen e definimit të dukurive, cilësohen si mërgimtarë.

Numri i tyre (i mërgimtarëve), sa vjen dhe shtohet. Mbase, gjithnjë e më shumë po i afrohet shifrës prej një milionë vetave, të tri gjeneratave të shqiptarëve, të cilët prej viteve të shtatëdhjeta (të shekullit të kaluar), e tutje, për shkaqe të ndryshme, me motive sociale dhe politike (mbi të gjitha), pa vullnetin e tyre u larguan, siç mendonin dhe deklaronin vet, ‘përkohësisht nga atdheu’.

Nuk është për t’u habitur nëse brenda dhjetë viteve të ardhshme, këto dy Kosova do të barazohen me banorë: Aq sa do të jetojnë këtu, aq do të qëndrojnë në Perëndim.

Këtij realiteti po i afrohet gjithnjë e më shumë edhe Shqipëria, e cila e përjetoi largimin e parë masiv menjëherë pas rënies së Komunizmit.

Në anën tjetër, me të lexuar të këtyre rreshtave, do të ishte e natyrshme të thuhet (prej secilit prej jush), që është edhe një Kosovë e tretë, që nuk u përmend deri tash dhe e cila assesi nuk bën të harrohet: Kosova që jeton në Turqi, ku ka shumë shqiptarë me origjinë nga të katër anët e këtij vendi, që prej viteve të njëzeta (të shekullit XX), e tutje, janë vendosur prej anëve perëndimore deri te ato më të largëtat lindore të Turqisë.

Një mori e tyre deri sot e kësaj dite i kanë ruajtur traditat e vendit prej ku janë detyruar të largohen, dhe madje, ka të tillë që flasin tutje shqip.

Natyrisht, shumë prej tyre e vizitojnë Kosovën. Sidoqoftë, është ky një fenomen i cili vështirë mund të shpjegohet, pa marrë parasysh dijeninë dhe përvojën që një interpretues i rrjedhave historike dhe politike mund t’i ketë.

Kemi të bëjmë pra me mbijetesën e shqiptarëve të Kosovës, në këto anë, me një shumicë absolute të popullatës së saj, përkundër të gjitha të këqijave që ju kanë ardhur nga pushtetet e njëpasnjëshme të Serbisë, të cilët kanë ndërruar shpeshherë emrat, për ta ruajtur atë mbiemrin kryesor që kishte të bëjë me një luftë të vazhdueshme, me të gjitha mjetet (përfshirë këtu edhe katër luftëra, në harkun kohor 1912-1999), për zhbërjen e lidhjes së natyrshme në mes të Kosovës dhe popullit shqiptar.

Kjo zatën ka qenë kryevlera e jonë si shqiptarë: Lidhja e jonë me këtë vend, me Kosovën, e cila i ka mbijetuar të gjitha tmerreve të përjetuara prej nesh këndejpari.

Megjithatë, kjo kryevlerë të thuash asnjëherë nuk përmendet, nuk veçohet, nuk spikatet prej nesh.

Shumëkush mund të shtojë këtu që kjo harresë që prishet rrallë, në ndonjë tubim shkencor (më së shumti), apo në ndonjë përkujtim të ngjarjeve madhore historike, është fare e natyrshme.

Jeta e bën të veten. Nuk është rendi që shpesh të merremi me këtë anën më të dhimbshme të historisë sonë, e cila në këtë fazën bashkëkohore, përfshiu qindra mijëra shqiptarë që ia mësynë Perëndimit, për dallim prej pararendësve të tyre që shkuan kah Lindja (kah Turqia).

Jeta e bën të veten, edhe kur flasim për dhjetëra mija e më shumë shqiptarë që kanë mbushur të katër anët e tokës si dëshmorë dhe si martirë, që prej vjeshtës së vitit 1912, deri në verën e vitit 1999.

Vetëm një këmbëngulje, një qëndrueshmëri, një durim (veçmas ai i viteve të nëntëdhjeta, në kohën e Lëvizjes paqësore për pavarësimin e Kosovës), një vullnet për sakrificë, i gjithë një populli ka mundësuar që të dalim fitues (më në fund), të bëhemi të lirë një herë, e pastaj, edhe ta krijojmë shtetin e Kosovës.

Këtë e dimë të gjithë ne.

klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme