Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Tre hapat vendimtar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 24.01.2022 14:57
Blerim-Shala

Janë të kuptueshme përpjekjet për rishkrimin apo edhe rikuptimësimin e një historie kolektive apo kombëtare, kur kemi të bëjmë me disfatat e mëdha në një histori nacionale. Këtë e kemi bërë edhe ne, shqiptarët e Kosovës, të cilët, përgjatë thuaja gjithë Shekullit XX, historia na bëri, pa të drejtë, humbës. Por drejtësia, politika dhe historia, realisht, rrallëherë bëhen bashkë apo i ndihmojnë njëri-tjetrit.

Prej vitit 1999 e këndej, ne jemi fitues në histori. Diçka e tillë, nuk do të duhej të ndryshonte kurrë më. Megjithatë, edhe si të tillë, si ngadhnjimtar pra në këtë rrjedhën e re të historisë, e cila njeh dy pika kulminante të saj, ate të çlirimit të vendit (në verën e vitit 1999), dhe ate të shpalljes së shtetit (në dimrin e vitit 2008), ndër ne nuk pushojnë, gjë që u vërejt edhe ditëve të fundit, përpjekjet që disi t’i japim një kuptim apo një domethënie tjetërfare ngjarjeve dhe zhvillimeve të viteve të nëntëdhjeta, brenda politikës shqiptare të Kosovës. Kjo bëhet duke ndarë të pandashmen në këtë politikën dhe historinë e re shqiptare në Kosovë, duke vendosur një kierarki vlerash e cila zhvlerëson atë që nuk mund të zhvlerësohet dot, duke krijuar raporte të përjashtimit, aty ku është vulosur (një herë e përgjithmonë) marrëdhënia e bashkëpunimit dhe varëshmërisë.

Në Kosovë, në harkun kohor 1989-1999, ka ekzistuar një Lëvizje e vetme politike për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, e cila ka pasur dy krah të vet, atë paqësor, të prirë nga Presidenti Rugova, dhe atë luftarak, në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila njeh si kryefigurën e vet Adem Jasharin.
Përbashkësia e këtyre dy krahëve të një Lëvizjeje zatën është konfirmuar edhe me përbërjen e Delegacionit të Kosovës në Konferencën Paqësore të Rambouilletit (shkurt, mars, 1999).

Nuk kanë qenë pra dy Lëvizje politike në Kosovë në këtë decenie, nuk ka pasur dy drejtime të veçanta strategjike, as nuk kanë ekzistuar dilema se a mund të arrihen qëllimet kryesore të kësaj Ndërmarrjeve vendimtare të shqiptarëve të Kosovës, pa sigurimin e një mbështetjeje politike dhe ushtarake të Perëndimit, në krye me SHBA-në.
Zatën, kjo varëshmëri e kësaj rrjedhe historike në mes nesh dhe SHBA-së, është garantuar me Kërcënimin e Kërshëndellave të Presidentit George H. W. Bush, në dhjetorin e vitit 1992, i cili iu pati dhënë qartë Presidentin të atëhershëm të Serbisë, Slobodan Milošević-it.

Për herë të parë pra në këtë Letër, SHBA-ja përmend mundësinë e intervenimit ushtarak në Kosovë (në mbrojtje të popullit shqiptar të Kosovës), nëse Serbia do ta nisë luftën në Kosovë.
Presidenti Bill Clinton, ka mbajtur këtë zotim, i cili ka qenë një argument tjetër shumë i rëndësishëm për Vendimin e Administratës së tij, në muajin mars të vitit 1999, për ta dhënë pëlqimin për Fushatën e Aleancës Veri-Atlantike, pos atij faktit kryesor që përkonte me refuzimin e Serbisë për ta pranuar Marrëveshjen Paqësore të Rambouilletit.
Këta janë pra tre hapat kyç që mundësuan që Kosova, kësaj here, në këtë përpjekjen finale për tu çliruar dhe mëvetësuar, të jetë e suksesshme.

Hapi i parë ka të bëjë me Vendimin e shqiptarëve të Kosovës që Lëvizjen e tyre për çlirimin nga Serbia, ta ndërlidhin me demokracinë, me pluralizmin, me përqafimin e vlerave të Perëndimit në politikë.
Hapi i dytë, kishte të bënte me guximin për tu përballur me të gjitha mjetet e mundshme, edhe me ato ushtarake, kundër Serbisë, veçmas prej nëntorit të vitit 1997 e tutje.
Hapi i tretë, ku ndërlidhen këta dy të parët, e lidhte Lëvizjen unike shqiptare për çlirim dhe pavarësi me SHBA-në dhe me Perëndimin.

Mungesa e akëcilit prej këtyre tre hapave, apo, edhe mungesa e njërit prej dy krahëve në Lëvizjen politike shqiptare për liri dhe për pavarësi, do të pamundësonte që Kosova të çlirohej dhe të pavarësohej.
Kjo është një e vërtetë politike dhe historike e cila nuk mund të kontestohet dot.

Ndarja e dy krahëve të Lëvizjes politike shqiptare, madje, me synim të krijimit të raportit të subordinimit në mes këtyre të dyve, i përngjet një situate kur një banknotë me vlerë, mbetet pa njërën atë të vet. Apo, kur në njërën anë, kjo banknotë është e shtypur si duhet, me të gjitha shenjat mbrojtëse, por në anën tjetër, është krejtësisht e bardhë, sepse nuk është shtypur fare. Kjo banknotë si e tillë, automatikisht shpallet e falsifikuar, megjithëse në njërën anë është origjinale.
Ky shembull ka vlerë të qind për qindtë edhe kur flitet për dy krahët e Lëvizjes politike shqiptare të viteve të nëntëdhjeta.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme