T’fala nga Moska 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 26.04.2025 13:10 26.04.2025 13:10 Blerim Shala Çfarë është në të vërtetë politika zyrtare e Serbisë, u zbardh, si edhe shumë herë më parë, (në një traditë historike), jo në Beograd, por në Moskë. Për më shumë, kjo politikë u dëftua, në detale, jo nga një zyrtar i lartë i Serbisë, por nga instanca sipërore e Kishës Ortodokse Serbe (SPC), nga Patriarku Porfirije. Dhe atë në takimin që i parë i SPC-së pati në Moskë me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në të cilin Porfirije u shoqërua nga homologu i tij rus, Kiril. Transkripti i këtij takimi tashmë është bërë publik. Çfarë kuptohet me të parën (si thuhet), është që Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, në realitet sillet dhe vepron si një i dërguar Special i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Porfirije konfirmon që ka marrëdhënie shumë të mira me Presidentin e Serbisë, teksa në elaborimin e qëndrimit (të përbashkët, gjithsesi), ky ia shfaq liderit të Rusisë, dëshirën e tij që së bashku me Kosovën, Republikën Serbe (entiteti në Bosnjë dhe Hercegovinë), dhe Malin e Zi, Serbia t’i bashkohet Botës ruse, apo Rendit rus. Pra, ajo Bota Serbe e shpallur disa herë nga kryepolitikanët e Serbisë si synim i tyre, del këtu, me fjalët e Porfirijes, të jetë as më pak dhe as më shumë por një lloj i ‘nën-kontraktori’ i Botës Ruse. Ashtu siç edhe është në të vërtetë. Porfirije më në fund ia paralajmëroi Presidentit Putin që Presidenti i Serbisë Vuçiq, do ta vizitojë Moskën me 9 maj, për të marrë pjesë në manifestimet e shënimit të 80-të vjetorit të fitores ndaj Nazizmit. Pak ditë më parë, Kaja Kallas, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, ua bëri me dije të gjithë atyre politikanëve të kësaj ane të Evropës që nëse do të shkojnë në Moskë me 9 maj, për tu bërë pjesë e ceremonisë së prirë nga Presidenti i Rusisë, do të ketë pasoja për rrugëtimin e atij shteti drejt BE-së. Por, kur të merret parasysh përmbajtja e bisedës së Patriarkut Porfirije me Presidentin rus, duket që problemi më i vogël është shkuarja e Presidentit serb në Moskë (e konfirmar tashmë edhe prej vetë atij). Ky është një detal i cili do të mund disi edhe të lihej anash, po ta kishte vetëm atë aspektin simbolik, pasiqë lidhet me historinë, me ngjarjet e majit të vitit 1945, kur në Evropë mori fund Lufta e Dytë Botërore. Ajo çfarë u tha nga ana e Patriarkut të SPC-së në Moskë, në bashkëbisedimin me Putinin, thuaja në tërësi ka të bëjë me lidhjet e thella politike dhe miqësore në mes të Serbisë dhe Rusisë, të cilat duhet të përcaktojnë edhe të ardhmen e popullit serb dhe të shtetit serb, duke e lidhur Serbinë me Botën Ruse, e cila, përndryshe, është si Projekt, në luftë të hapur (në të gjitha format e mundshme), me Evropën Perëndimore. Këtu nuk ka dilema fare. As sa i përket konfrontimit të Rusisë me Perëndimin. Dhe as kur bëhet fjalë për miqësinë e Serbisë së Presidentit Vuçiq me Rusinë e Presidentit Vladimir Putin. Me atë të moçmen, armiku i mikut tim është edhe armiku im, dihet se në çfarë konkludimi do të mund të mbërrihej këtu. E tëra kjo është e logjikshme. E pritur. E ditur, për më shumë, prej nesh. Më në fund, gjitha kjo është thënë dhe stër-thënë nga zyrtarët më të lartë të Kosovës, për vite me radhë, teksa në të shumtën e rasteve, këto qëndrime (për afërsinë e madhe të Serbisë së Vuçiqit dhe Rusisë së Putinit), janë vlerësuar në Bruksel si të tepruara, joreale, dhe të paqëndrueshme. Megjithatë, përmbajtja e bisedës së Moskës të para disa ditëve, e konfirmoi pikë për pikë vlerësimin e Prishtinës zyrtare për orientimin e mirëfilltë të politikës serbe. Çfarë u tha në Moskë, natyrisht, është një lajm i cili pos që vërteton qëndrimet e politikës zyrtare të Kosovës (në fakt, të gjithë skenës politike kosovare), sjell edhe shqetësimet e reja për këtë politikën vendore, e cila aktualisht, për shkaqe të njohura del të jetë krejtësisht e paralizuar. Po shihet dhe po kuptohet pra që politikën kosovare e presin ende punë të rënda dhe probleme madhore në relacionin e Kosovës me Serbisë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.