Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Termetet ballkanike  

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 15.07.2022 12:15

Nuk kalojnë dy-tri javë pa lajme për termete të shkallës së ulët  (për fat), të cilët po bredhin, nëse mund të thuhet ashtu, në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Kroacinë.

Edhe pse nuk po shkaktojnë dëme të mëdha, e edhe humbje në njerëz  (pos në një rast, në Hercegovinë), këto termete po dëshmojnë që toka në këto anë ende nuk është qetësuar, pas atyre dridhjeve të mëdha në Shqipëri dhe në Kroaci viteve të fundit.

Teksa tek termetet, ajo goditja e parë, rëndom është më e madhja, më e rënda dhe më dëmtuesja, dhe më pas, ndodhë dobësimi dhe një rënie evidente e potencialit shkatërrimtar të tyre, në politikë, ndodhë e kundërta. Në fillim, gjithçka nisë me probleme relativisht të vogëla, të cilat për më shumë, duken lehtë të menaxhueshme. Por, nëse ato nuk adresohen si duhet, me kalimin e kohës, ato rriten dhe shumëfishohen, dhe në fund e  marrin formën e atij orteku të borës që është në gjendje që të bëjë lëmsh krejt një shoqëri dhe një shtet.

Ballkani Perëndimor, javëve të fundit, ka nisë të lëvizë prej periudhës së problemeve të menaxhueshme, në atë stadin kur gjendja do të përshkruhet si e rrezikshme, me mundësi të destabilizimit.

Aktualisht, kur përshkruhet situata elementare politike në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, del që në vetëm dy shtete, në Kosovës dhe në Shqipëri, kemi qeveri stabile dhe një skenë politike të qëndrueshme, me tensione të cilat nuk kërcënojnë stabilitetin politik, së paku jo, në një të ardhme afatmesme.

Në Serbi ende nuk ka Qeveri, edhe pse zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale janë mbajtur me 4 prill, me një rezultat të qartë, pa kontestime të opozitës.

Janë të shumta arsyet pse Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, po zvarritë formimin e Qeverisë së re. Ai nuk është aspak i sfiduar brenda shtetit. Por, për shkak të zhvillimeve të njohura në Ukrainë (Luftës së imponuar nga Rusia), dhe presionit ndërkombëtar që Serbia t’i bashkohet BE-së në sanksionet ndaj Rusisë, Vučić e di që do ta ketë gjithnjë e më vështirë të manovrojë politikisht, duke e ruajtur disi atë orientimin strategjik, të integrimit të Serbisë në BE, edhe pse sipas hulumtimeve të fundit të opinionit, shumica absolute e qytetarëve  (51%), po të mbahej tani Referendumi për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian, do të votonte kundër. Sentimentet pro-ruse në Serbi janë në rritje, përkundër të gjitha tmerreve të shkaktuara nga Rusia në Ukrainë. Presidenti i Serbisë, nuk ka vullnet real që t’i bashkangjitet BE-së në aplikimin e sanksioneve ndaj Rusisë.

Sidoqoftë, edhe kur të formohet Qeveria e re e Serbisë, dihet që i gjithë pushteti do të jetë i koncentruar në duart e Presidentit Vučić.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, pushteti qendror thuaja nuk funksionon fare. Për më keq, një gjendje e tillë e paralizës, nuk befason askë, teksa dihet që Rusia ka ndikim të madh në Republikën Serbe dhe në liderin e saj, Milorad Dodikun.

Me gjasë, askush në BE nuk e di se çka duhet të bëhet me Bosnjën dhe Hercegovinën, pos që nuk duhet të lejohet zhbërja e këtij shteti.

Në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, thuaja njëkohësisht, shpërthyen problemet e mëdha politike, të cilat kanë vënë në sprovë qëndrueshmërinë e te dy Qeverive.

Maqedonia e Veriut, e cila vazhdon t’i vuajë pasojat e mënyrën se si funksionon BE-ja, me atë të drejtën e veto-s të secilit shtet në procesin e vendimmarrjes, është para një vendimi tjetër të rëndë i cili do të duhej t’i mundësonte fillimin e negociatave për hyrje në Bashkimin Evropian.

Në çdo variant, nuk është aspak e vështirë të parashikohet që Maqedonia e Veriut sërish ka hyrë në një cikël tensionesh të mëdha politike, të cilat do ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja parlamentare.

Kur bëhet fjalë për qëndrueshmërinë e Maqedonisë së Veriut të shtet, nuk do të jetë fare gabim nëse do të konstatohet që shqiptarët në këtë shtet kanë bërë më shumë për ruajtjen e Maqedonisë së Veriut se e gjithë BE-ja.

Edhe në Malin e Zi duket që gjasat për mbijetesën e Qeverisë aktuale janë minimale, për shkak të lëvizjeve të çuditshme të Kryeministrit, i cili disi mundohet të jetë i afërt edhe me forcat politike pro-evropiane dhe me ato pro-ruse, teksa diçka e tillë nuk është fare e mundshme.

Aktualisht, duket që atij nuk i beson as njeri dhe as tjetri krah politik në Mal të Zi, teksa kjo gjendje, herët a vonë do ta merr epilogun në trajtë të zgjedhjeve të reja parlamentare, me një përplasje të sërishme midis pro-evropianëve dhe pro-rusëve.

Në përgjithësi pra, gjendja në Ballkanin Perëndimor tani është më e keqe se sa para gati gjysmë viti, kur me të nisur të luftës në Ukrainë, BE-ja pati dalë me porosi dhe zotime të mëdha për këto ano të Evropës.

Teksa nuk duket që Brukselit po i bëjnë shumë përshtypje këto lëkundje evidente të ’trollit politik’ në Ballkanin Perëndimor.

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme