Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Të jesh në anën e duhur të historisë: kriza, sfidat dhe mundësitë

123
string(15) "Tomáš Szunyog" string(61) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2020/09/sdasdasd.jpg"
nga Tomáš Szunyog 06.01.2023 20:09

Po hyjmë në kohën e festave të fundvitit duke e ditur se Evropa po përballet me një nga krizat më të mëdha në historinë moderne. Ne po përballemi me një luftë të re dhe të tmerrshme në tokën evropiane.

Sipas OKB-së, agresioni i paprovokuar rus kundër Ukrainës ka shkaktuar deri më tani afër 17,000 viktima civile – njerëz të vrarë ose të plagosur – dhe ka detyruar që afër 8 milionë njerëz, pothuajse sa gjysma e popullsisë së Ballkanit Perëndimor, të ikin nga Ukraina dhe të kërkojnë strehim në tërë Evropën.

Agresioni rus kundër Ukrainës ka shkaktuar inflacion të madh si dhe krizë energjetike dhe ushqimore në të gjithë globin.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Evropa përballet me fatkeqësi dhe sa herë që ka ndodhur kjo, ajo ka dalë më e fortë. Kjo është arsyeja pse sot kemi një Bashkim Evropian që është në gjendje të bëjë shumë më shumë sesa vetëm të mbështesë shtetet anëtare të tij. Po e mbështetë Ukrainën dhe e ka forcuar fokusin në Moldavi dhe Gjeorgji, të dyja këto në kufi me konfliktin. Gjithashtu i ka dhënë një shtysë të re marrëdhënieve me Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën.

Si përgjigje ndaj agresionit rus, BE-ja është angazhuar para së gjithash për të mbështetur Ukrainën që të mbrohet nga agresioni, duke vendosur nëntë valë sanksionesh të paprecedentë kundër Rusisë, Bjellorusisë dhe së fundi Iranit. Gjithashtu ka ofruar mbështetje të paprecedentë për Ukrainën, si mbështetje financiare, humanitare edhe ushtarake.

Së fundi, më 15 nëntor 2022, BE-ja filloi misionin e saj të ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe, më 10 dhjetor, miratoi planin për të ndihmuar Ukrainën me 18 miliardë euro shtesë në vitin 2023.

Por agresioni rus kundër Ukrainës jo vetëm që e bëri Evropën të merrej me luftën, por e shtyri që të ndryshojë dhe të punojë për të forcuar edhe më shumë qëndrueshmërinë e saj.

Situata gjeopolitike e krijuar kohëve të fundit bëri që vendet evropiane të afroheshin më shumë, duke zhvilluar një platformë të përbashkët të blerjes së energjisë, duke vendosur kufirin e sipërm të çmimeve të derivateve dhe duke e liberalizuar më tej tregtinë e ushqimit dhe mbështetur prodhimin.

Dhe ajo që është më e rëndësishmja, për të frenuar varësinë nga derivatet dhe gazi rus, Bashkimi Evropian i dha përparësi burimeve të ripërtrishme të energjisë dhe krijoi partneritete të reja.

Në frontin politik, BE-ja vazhdoi me politikën e saj të zgjerimit në disa vende të Partneritetit Lindor, duke i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendit kandidat për në BE, ndërsa Gjeorgjia u bë kandidate potenciale me statusin e saj kandidate në pritje të zbatimit të disa prioriteteve kryesore, duke përfshirë adresimin e polarizimit politik dhe përmirësimin e mbikëqyrjes demokratike, sigurimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftimin e korrupsionit.

Situata e re gjeopolitike gjithashtu vuri në pah fërkimet e mbetura në Ballkanin Perëndimor, të cilat duhet të adresohen sa më shpejt që është e mundur për të parandaluar ndikimin e mëtejmë rus në rajon.

Pra, mund të thuhet se agresioni rus kundër Ukrainës krijoi një mundësi për Kosovën dhe për Ballkanin Perëndimor në tërësi, që të përshpejtojnë rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

Këshilli i Bashkimit Evropian në konfigurimin e tij të Cështjeve të Përgjithshme miratoi rishtazi konkluzionin për dhënien e statusit kandidat për Bosnje dhe Hercegovinën me kushtin që të zbatojë 14 prioritetet e pazgjidhura, si dhe konkluzionin pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën – urime edhe një herë!

Të mos harrojmë gjithashtu se BE-ja miratoi një pako për mbështetje energjetike prej 1 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor. Gjysma e saj do të shpërndahet qysh në janar të vitit 2023 për të ndihmuar në lehtësimin e efekteve të menjëhershme të krizës energjetike në familjet e pafavorizuara sociale dhe për të mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme dhe familjet në përmirësimin e efiçiencës së energjisë dhe kalimin në burimet e ripërtrishme të energjisë. Kosova, sipas numrit të popullsisë së saj, do të merr 75 milionë nga gjysma e parë, ndërsa alokimet për 500 milionët e mbetura që do të investohen në projekte për diversifikimin e energjisë dhe energjinë e ripërtrishme mbetet të përcaktohen.

Pra, në mes të luftës në Ukrainë dhe fokusit në Moldavi dhe Gjeorgji, në qendër të vëmendjes është ende Kosova dhe Ballkani Perëndimor dhe tani është koha për të zbatuar reformat kryesore dhe për të marrë vendime strategjike që janë në harmoni me BE-në dhe 27-të shtetet anëtare vendimmarrëse të saj.

E ardhmja e Kosovës është e qartë. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës është në fuqi dhe e detyrueshme, Agjenda e dytë e Reformave Evropiane është aty për të udhëzuar zbatimin e saj, ndërsa raporti i fundit dhe mjaft pozitiv për Kosovën i Komisionit Evropian gjithashtu thekson reformat që Kosova duhet t’iu jap prioritet.

Duke mbajtur një qëndrim të qartë kundër agresionit rus ndaj Ukrainës, Kosova e vendosi veten në anën e duhur të historisë. Ajo që partnerët e saj perëndimorë presin në vitin 2023 është që Kosova të ndërmarrë hapa të guximshëm drejt normalizimit të plotë dhe ligjërisht të detyrueshëm të marrëdhënieve me Serbinë, përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të ndërtoj më tej bashkëpunimin rajonal dhe, e fundit por jo për nga rëndësia, të ndërmarrë një hap të madh përpara edhe në dialogun e brendshëm.

Nga sa më sipër, viti 2023 mund të jetë një vit vendimtar në të cilin do të mund të arrihet përparim më i madh, duke e bërë edhe një herë të qartë si kristali se Kosova është e përkushtuar ndaj vlerave themelore të Bashkimit Evropian të përcaktuara me nenin 2 të Traktatit të Lisbonës, duke përfshirë respektimin e dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, shtetit të së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave.

Dëshiroj ta përfundoj duke e cituar nenin 49 të Traktatit të Lisbonës, i cili thotë: “Çdo shtet evropian, i cili respekton vlerat e përmendura në nenin 2 dhe është i angazhuar për nxitjen e tyre, mund të kërkojë të bëhet anëtar i Bashkimit.”

Kosova e ka bërë këtë hap. Edhe pse nuk mund të parashikoj vendimin e 27 shteteve anëtare, mund të them se BE-ja do të vazhdojë t’ju mbështesë në rrugën e anëtarësimit.

FAKT: BE-ja mbetet partneri më i madh tregtar i Kosovës dhe ofruesi më i madh i mbështetjes financiare për Kosovën, me 1.22 miliardë euro të investuara që nga viti 2007.

klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme