Sprova e kohërave të vështira 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 18.02.2025 09:05 18.02.2025 09:05 Blerim Shala 17 vjetorin e pavarësisë Kosova e kremtoi këtë të hënë në rrethanat ndërkombëtare më të vështira, më të ndërlikuara dhe më sfiduese, që prej se me 17 shkurt të vitit 2008 Kosova u bë shtet i pavarur. Siç po kuptohet gjithnjë e më shumë te sekush që provon të bëjë analiza të esëllta të rrjedhës së historisë së re të Kosovës, ky vend ishte me fat (gjithashtu, me meritë dhe me të drejtë, por ku nuk ke fat dhe nuk ke miq, merita dhe e drejta nuk të bëjnë gjë punë, shembuj ka sa të duash në të katër anët e Botës), si në vitin kur u çlirua, në atë 1999-të, si në atë kur u pavarësua, në 2008-tën. Të thuash, ne premë atë buletën e fundit si për çlirim ashtu edhe për tu bërë shtet i pavarur. E dimë si ndryshoi Bota rrënjësisht pas sulmit terrorist të 11 shtatorit (2001) mbi Amerikën. Pastaj, dihet çka ndodhi në Rruzullin tokësor pas krizës së madhe financiare të vitit 2008, dhe nismës së konfrontimit të ri në mes të Rusisë dhe Perëndimit. Shekulli XXI i cili siç e dimë të gjithë, historikisht dhe politikisht nisi me 11 shtator të vitit 2001 pas ngjarjeve në Washington dhe në New York, ka pasur kthesa të mëdha dramatike, në këto 25 vitet e kaluara, më shumë se sa gjatë gjithë rrjedhës gati gjysmëshekullore të Luftës së Ftohtë. Ka ndodhë, siç thuhet nga njohësit e politikës, ‘dendësimi i historisë’. Nëse i kthehemi vetvetes dhe shënimit të përvjetorit të pavarësisë, mund të themi pa bërë fare gabim (përkundrazi), që Perëndimi dhe Bota brenda të cilës ne gjetëm lirinë dhe shpallëm pavarësinë, nuk ekzistojnë më. Apo, thënë edhe më troç dhe më sinqerisht, në një Botë të sotme dhe me një Perëndim të kësisojt, Kosova as që do të çlirohej ndonjëherë, dhe as që do të bëhej shtet i pavarur i njohur nga mbi njëqind shtete, përfshirë këtu edhe ato më kryesoret në Perëndim. Pika më e lartë e suksesit historik të Perëndimit, e cila njohu një Amerikë ngadhënjimtare në Luftën e Ftohtë, ishte njëkohësisht edhe pika më e lartë e suksesit të Kosovës dhe të popullit të saj. Sidoqoftë, siç u tha tashmë, kjo kohë ka perënduar dhe nuk kthehet më. Nuk kemi vetëm ne nostalgji për këtë epokë të madhe historike dhe politike. Shumë popuj dhe shtete në Evropë do të kishin dëshirë që ajo epokë të ishte akoma këtupari. Natyrisht, diçka e tillë nuk është e mundur. Nuk na mbetet gjë tjetër pra, as neve dhe as shteteve të tjera në Evropë, pos që ta bëjmë më të mirën për t’iu adaptuar rrethanave më të reja ndërkombëtare, të cilat në masë të madhe janë reflektim i Administratës së re amerikane, të prirë nga Presidenti Donald Trump, në mandatin e dytë të tij. Natyrisht, Evropa dhe Bota sot janë krejt ndryshe nga periudha e mandatit të parë të Trump-it, në vitet 2017-2021. Problemi më i madh me të cilin u ballafaqua asokohe Trump ka qenë Pandemia e Covid-19, i cili zaten edhe e la për Zyrën Ovale dhe pa Shtëpinë e Bardhë. Tash ai synon që t’i jep fund luftërave në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, dhe që ta transformojë Amerikën dhe Perëndimin në përgjithësi, sipas kutit të tij. Gjëra të ditura këto për të gjithë që përcjellin sadopak lajmet ndërkombëtare. Gjërat që nuk dihen fare është çfarë pasojash për këto anë të Evropës, apo, për Ballkanin Perëndimor, do të ketë ky ri-aranzhim i Rendit perëndimor dhe evropian, i cili varet nga mënyra se si do të merr fund lufta në Ukrainë, dhe si do të zhvillohen tash e tutje raportet në mes të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian. Për ne si shtet i vogël, në këtë ambient goxha të çoroditur ndërkombëtar, me rëndësi është që ta ruajmë stabilitetin e brendshëm politik, të shprehemi të gatshëm ta zgjidhim problemin kryesor të marrëdhënieve me Serbinë (me synimin për ta bërë normalizimin e plotë të këtyre marrëdhënieve), dhe gjithsesi, t’i rrimë sa më afër si Amerikës ashtu edhe Evropës. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.